Përkujtohet 20 vjetori i masakrës në tregun e Mitrovicës

Mitrovica

Përkujtohet 20 vjetori i masakrës në tregun e Mitrovicës

Më: 13 mars 2019 Në ora: 15:30
Foto

(E plotësuar) - Përfaqësues të institucioneve komunale dhe asociacioneve tjera në Mitrovicë, familjarë të viktimave e martirëve, si dhe qytetarë tjerë, janë tubuar sot në vendin e ngjarjes për të përkujtuar viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë që ndodhi 20 vjet më parë.

Atë kohë, forcat serbe sulmuan me minahedhës, derisa tregu ishte përplot me njerëz, ndërsa si pasojë mbetën të vdekur gjashtë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa u plagosën 128 të tjerë.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, tha se përkundër që vitet po kalojnë, dhimbja për viktimat e kësaj tragjedie nuk po zbehet. Sipas tij, drejtësia dhe ligji nuk e kanë dhënë fjalën e fundit dhe të duhur rreth kësaj ngjarje, ndërsa kërkoi falje për vonesën e pllakës përkujtimore, e cila ishte paraparë të vendoset sot, duke premtuar se komuna një gjë të tillë do ta realizojë pas një muaji.

Mujka: Pllaka përkujtimore do të vendoset pas një muaji

“Jam këtu sot bashkë me juve në emrin tim personal dhe të institucioneve komunale, që së bashku me juve të ndajmë dhimbjen, e cila edhe pse vitet po kalojnë dhimbja, nuk po zbehet dhe nuk po zvogëlohet. Drejtësia dhe ligji nuk e ka dhënë fjalën e fundit dhe të duhur. Ne vitin e kaluar të gjithë së bashku jemi zotuar se sot do ta përurojmë edhe një përmendore, obelisk, lapidar më të dinjitetshëm…Unë kërkoj falje për këtë vonesë, por zotimi ynë me siguri do të përmbushet dhe jo më larg se një muaj nga tani”, ka thënë Mujka.

Sabedin Uka, njëri nga personat që ka humbur gjymtyrët në këtë ngjarje, u shpreh I lumtur për premtimin se një pllakë përkujtimore kushtuar këtyre viktimave do të realizohet shpejt.

Uka: Nënkryetari ta mbajë premtimin për pllakën përkujtimore

“Besoj se nënkryetari i komunës do ta mbajë premtimin dhe shpresoj pas një muaji përsëri do të takohemi”, tha ai.

Ndërsa, Halit Barani, kryetar i KMLDNJ-së në Mitrovicë, u shpreh i pakënaqur me interesimin e institucioneve ndaj të mbijetuarve të kësaj masakre. Ai tha se fatkeqësisht shteti ka dështuar në trajtimin e mirëfilltë për personat, të cilët tani kanë mbetur invalidë të përjetshëm.

Barani: Njeriu me dy këmbë të humbura merr 120 euro në muaj

“Këtu 20 vjet më parë, në këtë vend, saktësisht në tregun e gjelbër të Mitrovicës, më 13 mars në orën 14:20, ushtria dhe policia kriminele çetnike serbe ka hedhur tre granata…ku kanë mbetur gjashtë persona të vdekur… janë plagosur mbi 128 tjerë, ku shumë prej tyre kanë mbetur invalidë të përjetshëm dhe është fatkeqësi, këtu i kemi dy të pranishëm që kanë mbetur pa gjymtyrë, të cilët për çdo muaj marrin nga 120 euro. Kjo nuk është ndihmë sociale, as asgjë, përveç se një mashtrim. Shteti ynë fatkeqësisht për një njeri që i ka dy këmbë të humbura ia jep 120 euro në muaj, nuk mund të quhet shtet absolutisht”, tha Barani. 

***

Si pasojë e hedhjes së granatës nga kriminelët serbë, në treg mbetën të vdekur gjashtë persona, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa që lëndime të rënda dhe të lehta morën 128 shqiptarë.

 Përfaqësues të institucioneve komunale me në krye Faruk Mujka, nënkryetar i komunës, përfaqësues të institucioneve e asociacioneve të tjera, familjarë të martirëve dhe qytetarë që atë ditë kishin marrë plagë të ndryshme, u tubuan në vendin e ngjarjes për të nderuar viktimat dhe për të kujtuar këtë ditë.

Nënkryetari Mujka, tha se  13 marsi i vitit 1999 ishte një ditë e tmerrshme, pasi që në tërë tregun shiheshin viktimat e vdekura e të plagosura.

“Ne emrin tim personal dhe të institucioneve komunale jemi mbledhur këtu që së bashku me ju të ndajmë dhimbjen e cila ndonëse vitet po kalojnë, ajo nuk po zbehet sepse është e thelluar në mendjen tonë, kur dihet se aty humbën jetën më të dashurit tanë dhe shumë bashkëqytetarë të tjerë të pafajshëm, si dhe për vet faktin që drejtësia akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit. Kjo ditë nuk do të harrohet asnjëherë, por do të kujtohet përgjithmonë në mënyrë që gjeneratave të reja tu tregohet se çka ka qenë në gjendje të bëjë armiku ndaj popullit tonë të pafajshëm”, tha ndër të tjera nënkryetari Mujka, njofton komunikata nga zyra për informim e komunës së Mitrovicës.

Në vendin e ngjarjes, ku 20 vite më parë kishte ndodhur atentati folën Sabedin Uka, Sadije Musliaj, të cilët kishin pësuar rëndë, sepse u ishin dëmtuar këmbët, duart e pjesët tjera të trupit.

Ata kërkuan nga institucionet e shtetit që të bëjnë më shumë për ta, pasi jeta e tyre është mjaft e rëndë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat