Marrin fund shqetësimet e nxënësve në Mitrovicë, ata vazhdojnë mësimin normalisht

Mitrovica

Marrin fund shqetësimet e nxënësve në Mitrovicë, ata vazhdojnë mësimin normalisht

Më: 25 mars 2019 Në ora: 14:55
Mitrovicë

Kanë marr fund shqetësimet rreth një dukurie se diçka e mistershme kishte ndodhur javë më parë në njërën prej klasave të shkollës së mesme ekonomike “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, me ç’rast 10 vajza të një paraleleje ishin ankuar se janë alivanosur për disa ditë me radhë, pa e ditur shkakun e kësaj dukurie.

Kjo i kishte shqetësuar tej mase prindërit e këtyre nxënësve dhe më gjerë, ndërsa në marrëveshje me drejtorin e shkollës, nxënësit e kësaj klase janë dërguar në pushim.

Pasi kanë pushuar një javë, ata i janë kthyer sot procesit mësimor normalisht, ndërsa nuk është shfaqur ndonjë problem shëndetësor tek ta.

Drejtori i shkollës së mesme ekonomike në Mitrovicë, Avdulla Bejtullahu, ka bërë të ditur për KosovaPress se pas pushimit një javor, nxënësit e klasës në fjalë i janë kthyer sot mësimit dhe gjendja e tyre është e mirë. Sipas tij, tre nxënësve të të njëjtës klasë i është vazhduar pushimi edhe për një javë, meqë kanë qenë raste më të ndjeshme, ndërsa siç tha ai, në bazë të kontakteve të vazhdueshme me prindërit e këtyre nxënësve, konfirmohet gjendja e mirë e tyre.

Bejtullahu:  Nuk bëhet fjalë për helmim

“Pas pushimit që u kemi dhënë nxënësve të cilët kanë pasur probleme shëndetësore, sot janë kthyer në shkollë. Gjendja është e mirë, nuk ka ndonjë rast që është lajmëruar. Tre nxënësve të asaj klase ua kemi vazhduar pushimin, meqë kanë qenë raste më të theksuara dhe më të ndjeshme, ndërsa besoj se javën e ardhshme edhe ata do të kthehen…Vazhdimisht kujdestari I klasës është autorizuar që të mbaj kontakt me prindërit e tyre…gjendja e tyre është e mirë është përmirësuar dhe shpresoj se në të ardhmen nuk do të ketë raste të tilla…Unë I marr parasysh vetëm analizat, rezultatet dhe raportet e mjekëve. Në bazë të raporteve të tyre nuk bëhet fjalë për kurrfarë helmimi”, ka thënë Bejtullahu.

Halil Mustafa, kujdestar i klasës 11/10, tha se këta nxënës kanë filluar sot sërish mësimin, nuk ka shqetësime dhe gjendja e përgjithshme është normale.

Mustafa: Nuk ka vend për shqetësim

“Dyshim i bazuar nuk ekziston, spekulime të ndryshme mund të qarkullojnë, por diçka konkrete prej spitalit dhe mjekëve nuk kemi. Gjendja është normale. Sot kemi filluar mësimin, kemi praktikën profesionale sot të cilën e zhvillojmë në këtë gjykatore, dhe deri tani gjendja është në rregull, nuk ka shqetësime”, theksoi Mustafa.

Vetë nxënësit i kanë konfirmuar ekipit të KosovaPressit gjendjen e tyre të mirë dhe pa probleme, por nuk pranuan të flasin para kamerës.

Edhe Mursel Tahiri, babai i njërës prej nxënëseve që ka përjetuar probleme të tilla, nuk pranoi të flas para kamerës, por tha se ka bërë të gjitha analizat e duhura për vajzën, dhe se ajo po ndjehet tani shumë mirë.

 Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se veprimet policore janë të vazhdueshme në kontakt me autoritetet e shkollës, të Drejtorisë së Arsimit, inspektorët komunalë, si dhe gjithë mekanizmat tjerë, me qëllim që problematika e shfaqur në atë shkollë të trajtohet nga mekanizma përkatës.

 Ai ka potencuar se pas kontrollit të detajuar nga policia në hapësirat e shkollës, nuk është gjetur ndonjë element që do të ishte çështje për ta hetuar policia.

Zahiti: Nuk ka elemente të veprës penale

“Policia ka qenë në vendin e ngjarjes, pra në klasën e mësimit të shkollës në fjalë, mirëpo nga shikimi i vendit të ngjarjes, aty ku nxënësit kanë qenë prezentë në klasë, nuk është gjetur ndonjë element, dëshmi apo indikacion që do të ishte çështje për ta hetuar policia”, sqaroi Zahiti.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat