Spitali i Mitrovicës me shërbime të kompletuara në ortopedi

Mitrovica

Spitali i Mitrovicës me shërbime të kompletuara në ortopedi

Më: 10 prill 2019 Në ora: 16:58
Foto

Përveç ndërhyrjeve për vendosjen e protezës totale, mjekët janë duke realizuar edhe një operacion tjetër si, ligamento-plastika  në ligamentin kryesor të përparmë të gjurit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm, Enis Istrefi, vlerësoi lart punën e mjekëve specialistë, derisa tha se qytetarët e Mitrovicës dhe qyteteve përreth nuk kanë nevojë më t’i drejtohen QKUK-së për të tilla shërbime ortopedike.

“Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës ka mbështetur dhe do të mbështesë në vazhdimësi Repartin e Ortopedisë për punën që po bëjnë. Qytetarët e Mitrovicës dhe Regjionit të Mitrovicës, tash e tutje, mund  t’i drejtohen në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë për ato lloj të operacioneve dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në QKUK, pasi që ato kryhen edhe te ne”, tha Istrefi.

Në anën tjetër, shefi i Repartit të Ortopedisë, Afrim Ngucati,  tha se aktivizimi i shërbimeve për problemet e pjesës ortopedike ndihmon shumë edhe QKUK-në.

“Qëllimi ynë është që të shkarkohet edhe Qendra Klinike Universitare, ku dihet që është një fluks shumë i madh i pacientëve”, tha ai.

Ortopedi  Amir Veseli, ndërkaq, foli për numrin e operacioneve që kryhen në baza javore, gjersa theksoi nevojën për hapjen edhe të një salle të re, në mënyrë që të mbulohen të gjitha kërkesat me kohë.

“Numri i operacioneve mund të shkojë deri në 10 brenda javës, duke përfshirë gjithë patologjinë e pjesës ortopedike” thotë Veseli.

Në këtë spital, shërbime mjekësore për problemet që ndërlidhen me ortopedinë, marrin edhe pacientë nga Vushtrria dhe Skenderaj.

Pacienti Bujar Kerolli, i shtrirë në Repartin e Ortopedisë, pas operacionit, thotë se trajtimi ishte në nivelin e duhur. Kerolli nuk ka besuar që pa pritur gjatë do të operohej.

"S’kanë nevojë të shkoj në privat, as në Shqipëri. Sa i përket Repartit të Ortopedisë, më shumë se perfekt është", vlerëson Kerolli.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat