Në Mitrovicë shënohet ‘Eksodi 99’

Mitrovica

Në Mitrovicë shënohet ‘Eksodi 99’

Më: 15 prill 2019 Në ora: 14:28
Foto

Me moton “Përkujtojmë tragjedinë- Festojmë lirinë”, sot në Mitrovicë u shënua 20-vjetori i eksodit, kur gjatë luftës rreth një milion shqiptarë u detyruan të shpërngulen në Shqipëri dhe Maqedoni nga forcat kriminale serbe.

Në këtë përvjetor morën pjesë përfaqësues komunalë të Mitrovicës, zëvendës ministra, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Bashkisë së Kukësit Bashkim Shehu, përfaqësues fetarë, si dhe shumë qytetarë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nën përkujdesjen e të cilit u mbajt ky manifestim, tha se sot po përkujtohen ditët e dhimbjes më të fortë të cilat shkaktuan plagë e lot për shumë qytetarë të Kosovës.

Sipas tij, në ditën e sotme para 20 vjetësh ishte habitur mbarë Evropa se si një shtet i vogël si Shqipëria po përballonte fluksin aq të madh refugjatësh në një afat të shkurtër kohor.

Bahtiri: Shqipëria befasoi BE-në duke pritur një milion refugjatë

“Sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar ditët e dhimbjes, dhimbjen më të fortë të cilën na shkaktuan plagë dhe lot në sy të nënave e motrave tona, vëllezërve tonë që u detyruan ta lëshojnë vendin, atdheun e tyre, shtëpitë dhe pronat e tyre, për të mësyrë gur-themelin, truallin, tokën tonë, nënën Shqipëri…Një Shqipëri e vogël të presë një milion qytetarë për një kohë shumë të shkurtër, ka çuditur dhe tronditur gjithë Bashkimin Evropian”, ka thënë Bahtiri.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, potencoi se ajo që bënë shqiptarët për shqiptarët është një detyrim vëllazëror.

Shehu: Shqiptarët gjithmonë janë treguar paqedashës

“Ajo që ka ndodhur në këto ditë në Kukës, Shqipëri, në të gjitha qytetet, është thjesht ajo që kemi bërë gjithmonë ne si shqiptarë, sepse ne jemi gjithmonë paqedashës, jemi vëllezër dhe ajo që bëjmë për njëri- tjetrin është thjesht një detyrim familjar, shoqëror dhe vëllazëror”, tha Shehu.

Ndërsa, ambasadori Minxhozi tha se shembulli i Kukësit flet shumë, pasi shqiptarët e duan njëri-tjetrin dhe nuk ndahen nga njëri-tjetri. Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë krenarë që arritën ta kujtojnë këtë ditë për çdo vit, por me motive të reja. Ai shtoi se Kosova fitoi luftën, por duhet të fitojë edhe paqen, gjithnjë në bashkëpunim mes vete, përballë sfidave.

Ambasadori Minxhozi theksoi se ideja e kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq ishte që duke përzënë shqiptarët nga Kosova të krijojë një përplasje mes shqiptarëve, e cila nuk u realizua.

Minxhozi: Millosheviqit nuk i doli siç e mendoi

“Atë që mendoi Millosheviqi, që duke përzënë shqiptarët nga trojet e tyre për një vend tjetër, rezultoi në një dështim të radhës, sepse u mendua se do të kishte përplasje, nuk do të kishte mikpritje dhe bujari, por ndodhi komplet e kundërta”, ka thënë Minxhozi.

Në anën tjetër, kryetari i Organizatës joqeveritare ‘Eksodi 99’, Ali Topalli, duke elaboruar vështirësitë e eksoduesve nga Mitrovica deri në Morinë, tha se shumë prej tyre përjetuan tronditje të mëdha pasi u rrahën dhe u vranë.

Topalli: Eksoduesit duarthatë u rrahën e u vranë

“Eksoduesit duarthatë gjatë këtij rrugëtimi prej më se 200 kilometrave nga kufiri Mitrovicë-Morinë, përjetuan tronditje të mëdha, rrahje, plaçkitje, maltretime, vrasje, e mos të flasim për dhunimet që kanë ndodhur gjatë këtij rrugëtimi”, tha ai.

Për kontributin e dhënë gjatë luftës u ndanë mirënjohje për Don Lush Sopin dhe kryetarin e Kukësit Bashkim Shehu, ndërsa për të pranishmit u shfaq edhe një program artistik.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat