Komuna do të vazhdojë rrënimin e objekteve pa leje afër liqenit akumulues në Suhadoll

Mitrovica

Komuna do të vazhdojë rrënimin e objekteve pa leje afër liqenit akumulues në Suhadoll

Më: 19 prill 2019 Në ora: 17:27
Suhadoll

Sot, Drejtoria e Inspeksionit ka filluar të rrënoj objektet të cilat janë të ndërtuara në afërsi të Liqenit Akumulues të lumit Ibër, rrënim i cili po bëhet me vendim të Kuvendit Komunal të Mitrovicës.

I pranishëm në këtë rast, ishte edhe drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, i cili tha se rrënimi i këtyre shtëpive po ndodh për të liruar pronën e Komunës, në mënyrë që të vazhdohet më tutje implementimi i projekti të Liqenit Akumulues.

Edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se ky vendim është në përputhje me ligjin, pasi që ato shtëpi janë të ndërtuara në pronën komunale, dhe duhet të vazhdoj së implementuari projekti i Liqenit Akumulues.

“Projekti për rregullimin e Liqenit në Suhadoll ka filluar në vitin 2014 dhe duhet të përfundoj plotësisht së realizuari në vitin 2020. Prandaj për tu implementuar një projekt kaq madhor dhe milionësh në komunën e Mitrovicës deri më tani janë rrënuar 14 shtëpi të cilat e kanë penguar realizimin e këtij projekti. Projekti i ndërtimit të liqenit në Suhadoll ka kushtuar 4.5 milionë euro, dhe me implementimin e tij do të shpenzohen edhe 4 milionë të tjera, ku qytetarët mitrovicas, por edhe ata të komunave të rajonit të Mitrovicës e të Kosovës do të kenë kushte jashtëzakonisht të mira për të pushuar, për t’u freskuar gjatë ditëve të verës dhe për të bërë plazh”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Po ashtu kryetari Bahtiri, theksoi se banorët kanë qenë të njoftuar paraprakisht që shtëpitë e tyre janë të ndërtuara në pronë komunale dhe se duhet liruar ato prona që sa më parë të implementohet ky projekt.

Në fund kryetari Bahtiri, ka kërkuar që të kenë mirëkuptim edhe banorët e atyre shtëpive, pasi që si organ ekzekutiv komunal e kemi për obligim të zbatojmë ligjin dhe të implementojmë projektet të cilat janë në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat