Komuna e Mitrovicës e pranon që punimet ku vdiq 27 vjeçari po kryheshin pa leje

Mitrovica

Komuna e Mitrovicës e pranon që punimet ku vdiq 27 vjeçari po kryheshin pa leje

Më: 23 prill 2019 Në ora: 13:34
Pamje nga vendi i ngjarjes

Nënkryetari i komunës Jugore të Mitrovicës, Faruk Mujka, ka thënë se është themeluar një komision për verifikimin e gjendjes në terren, pas vdekjes së të riut nga Mitrovica nën gërmadhat e hotelit të shembur Adriatik.

Ky komision sipas nënkryetarit të komunës  do t`i dorëzojë një raport organeve të rendit.

“Ne sot herët e kemi themeluar një komision nga zyrtarët e Drejtorisë se Urbanizmit, Inspeksionit dhe Emergjencave të cilët duhet ta verifikojnë gjendjen faktike në terren sot dhe pastaj të dalin me konkluzion se cilët hapa duhet të ndërmarr komuna e Mitrovicës, dhe pastaj ky raport do t`i përcillet edhe prokurorisë, policisë”, tha Mujka.

Sipas tij objekti i shembur dje ku humbi jetën një punëtor nën gërmadha, nuk ka pasur leje për të kryer kurrfarë punimesh brenda dhe jashtë tij.             

“Ne dje në mënyrë jozyrtare kemi marr vesh se punimet kanë filluar të dielën dhe të hënën gjatë ditëve të pushimit. Nuk ka asnjë kërkesë apo leje në Drejtorin e Urbanizmit. Ju e dini që pa marr parasysh a është pronë private apo jo, duhet të pajiset me leje. Asnjë kërkesë nuk ka as nga punëdhënësi as nga punëkryerësi tani kjo çështje i takon prokurorisë dhe policisë”, tha Mujka.

Dje nga shembja e një pjese të hotelit Adriatik humbi jetën Visar  Behrami 27 vjeçar nga Mitrovica. Kërkimet për gjetjen dhe nxjerrjen e turpit të tij zgjatën disa orë. Për këtë u angazhuan edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat