Eskalon protesta e banorëve të Koshtovës në Mitrovicë, pesë të lënduar

Mitrovica

Eskalon protesta e banorëve të Koshtovës në Mitrovicë, pesë të lënduar

Më: 25 prill 2019 Në ora: 14:53
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Pesë persona të lënduar dhe një automjet i dëmtuar është epilogu i një proteste të banorëve të fshatit Koshtovë të Mitrovicës, të cilët bllokuan sot paradite përreth gjysmë ore magjistralen Mitrovicë-Zubin Potok, në shenjë pakënaqësie për deponinë e mbeturinave të cilën e menaxhon Kompania ‘Uniteti’.

Sipas banorëve, kompania ‘Uniteti’ nuk po e mirëmban sa duhet këtë deponi të mbeturinave, dhe se për shkak të kundërmimit jetesa në këtë fshat është bërë e pamundur.

Ata kanë akuzuar drejtorin që e menaxhon kompaninë “Uniteti”, Gazmend Morina, për të cilin thanë se ka ardhur sot së bashku me katër truproja për të biseduar me banorët e këtushëm, ku gjatë bisedës janë ngritur tensione, me ç’rast truprojat kanë sulmuar banorët.

Nexhmedin Hajredini, banor i fshatit Koshtovë, ka bërë të ditur se pas shumë kërkesave të lagjes Hajredini rreth fshatit Koshtovë që deponia e bërllokut të mirëmbahet dhe të mbulohet, organet relevante nuk kanë ndërmarr asgjë tash e 20 vite.

Ai ka përshkruar konfliktin e sotëm duke akuzuar drejtorin e Unitetit dhe truprojat e tij, për të cilët tha se kanë nxitur konfliktin dhe kanë përdorur armë të ftohta.

Image

Hajredini: Truprojat së bashku me drejtorin përdorën armë të ftohta

“Diku rreth orës 10:00 vjen drejtori i Unitetit me katër truproja edhe pas një komunikimi verbal me ta, truprojat e tij filluan të ofendojnë banorët e fshatit, kështu që fillon një kacafytje fizike ku truprojat së bashku me drejtorin përdorin armë të ftohta. Drejtori kur sheh se situate ka eskaluar në masë të madhe, ai tenton me veturën e tij të ikë dhe me veturën e tij shkel një toger, një rreshter dhe një banor të fshatit Koshtovë të moshës 77 vjeçare…  Ne e kemi këtë problem tash e 20 vite. Për problemin për të cilin jemi duke folur janë të njoftuar edhe kryetari i komunës, nënkryetari i komunës, Ministria e Ambientit në Prishtinë, janë të njoftuara të gjitha organet relevante”, ka thënë Hajredini.

Faton Hajredini, banor i lagjes ‘Hajredini’ në Koshtovë, u shpreh se kërkesa e vetme e banorëve të këtushëm është me u mbulu deponia për shkak të kundërmimit, që e bënë të pamundshme jetesën këtu.

Hajredini: Është e pamundshme jetesa këtu për shkak të erës

“Kërkesa jonë është me u mbulu deponia sepse është e pamundshme jetesa këtu për shkak të erës”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Kompanisë Uniteti në Mitrovicë, Gazmend Morina, ka mohuar kategorikisht se ka qenë me katër truproja dhe se ka sulmuar banorët me armë të ftohta.

Sipas tij, ka ndodhur e kundërta, sepse ai është sulmuar me gurë e thikë nga banorët, të cilët ia kanë thyer xhamat e veturës, ndërsa siç u shpreh ai, falë dy policëve dhe faktit se ka arritur të ikë shpejtë me veturën e tij, ka mbetur gjallë.

“Sot së bashku me policinë dhe dakordim të Komunës kemi shkuar në vendngjarje për me u marr vesh në lidhje me kërkesat e qytetarëve dhe me i plotësu deri në vikend, mirëpo disa elemente brenda tyre nuk ishin të interesuar  për me fol për situatën. Kanë vazhduar me fyerje, pas fyerjeve ne jemi tërhequr nga aty dhe më pas na u kanë vërsulur prapa ku edhe përkundër kordonit të policisë për të ndaluar ardhjen në drejtimin tim, ata e kanë thyer kordonin e policisë dhe unë jam mbyllur brenda në ker. Ata m’i kanë thyer të gjitha xhamat e veturës, dy policë me gjithë qenien e tyre kanë qëndruar prapa këmbëve të mia dhe më kanë mbrojtur fizikisht nga ta. Kanë marrë edhe shumë lëndime në trup…Kam arritur me veturë me dal prej vendit të ngjarjes. Meqenëse magjistralja ka qenë vetëm dy metra larg, kam rrezikuar me rrok një ker deri sa ka qenë duke kaluar. Prapë më është dashur me lëvizë para. Katër dyert e veturës i kam pas të hapura duke më sulmuar banorët, dhe kam lëvizur për herë të dytë prapa dhe kam vazhduar për Mitrovicë… Po kam pësuar lëndime, më kanë rrok me një guri të madh në dorë, kam pësuar lëndime edhe të tjera në trup, është raporti mjekësor. Lëndime kanë pësuar edhe dy policë, janë të rrahur prej qytetarëve. Lëndime kanë pësuar edhe dy zyrtarë të Kompanisë…Në vendin e ngjarjes kam qenë me Ylber Murtezin, drejtorin operativ të Kompanisë, me Nimon Zekën shefin e grumbullimit të Kompanisë, Fadil Bahtirin shefin e njësisë operative të Vushtrrisë, Muhamet Hajzerin shofer të Kompanisë, si dhe Sami Pllanën i cili është zyrtar për sigurim i Kompanisë”…Asnjëherë, ne jemi sulmuar me gurë të mëdhenj mbi një kilogram me ç’rast për 10 minuta rresht m’i kanë thyer të gjitha xhamat e veturës edhe kanë tentuar me më sulmu me thikë brenda në ker, ndërsa unë kam evituar sulmin duke hedhur shqelm sulmuesit”, sqaroi Morina.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar se nga kjo ngjarje janë lënduar gjithsej pesë persona, janë identifikuar katër tjerë në cilësinë e të dyshuarve të cilët janë intervistuar nga policia, si dhe është dëmtuar një veturë.

Zahiti: Të lënduar kanë mbetur pesë persona

“Në vendin e ngjarjes ka ndodhur një incident në mes të banorëve të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me çështjen në fjalë, si shkak i një mosmarrëveshje të çastit që ka rezultuar edhe me lëndime trupore. Deri tani janë identifikuar katër persona në cilësinë e të dyshuarve të cilët tashmë ndodhen në stacionin policor duke u intervistuar, ndërsa gjithsej të lënduar kanë mbetur pesë persona…Tek dëmtimi i pronës kemi të bëjmë me një veturë të cilën drejtori i Kompanisë Uniteti në kohën e ngjarjes e kishte në shfrytëzim dhe vetura në fjalë ka pësuar dëme”, u shpreh Zahiti

***

Një protestë e banorëve të fshatit Koshtovë të Mitovicës ka përfunduar dhunshëm. Protesta që nisi nga banorët e fshatit për shkak të deponisë së mbeturinave që kompania “uniteti” e menaxhon, la gjashtë persona të lënduar. Drejtori që e menaxhon kompaninë “Uniteti” Gazmend Morina bashkë me një koleg të tij janë rrahur me protestuesit. Lëndime kanë pësuar këta dy dhe katër protestues.

Lajmin e ka konfirmuar Avni Zahiti nga policia rajonale e Mitrovicës.

“Ka ndodhur përkeshje mes banorëve (protestues) dhe zyrtarëve të kompanisë Uniteti. Gjashtë persona të lënduar, katër banorë të fshatit dhe dy zyrtarë të kompanisë, drejtori dhe një tjetër”, tha Zahiti.

Ndërkohë, policia ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje. Rasti po cilësohet si “Lëndim i lehtë trupore” dhe “dëmtim i pronës”- aty është dëmtuar një veturë e zyrtarëve të kompanisë.

Personat e intervistuar janë liruar nga ana e policisë. Po ashtu janë intervistuar edhe dëshmitarë nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa, banorët janë ankuar se kompania nuk po e mirëmban këtë deponi të mbeturinave, sipas tyre po kundërmon.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat