KQZ del me rezultatet preliminare për zgjedhjet – Ngritet përqindja e votave te partitë shqiptare

Mitrovica

KQZ del me rezultatet preliminare për zgjedhjet – Ngritet përqindja e votave te partitë shqiptare

Më: 19 maj 2019 Në ora: 07:32
Vendvotim

(E plotësuar) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Sipas këtyre rezultateve, Lista Serbe ka fituar zgjedhjet në këto katër komuna.

Ndërsa nga kandidatët e partive shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës ka prirë me vota.

Image
Image
Image
Image

Lista Serbe shpall fitoren, merr urime nga Vuçiq

Lista Serbe ka shpallur sonte fitoren e saj në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës.

Kandidatët për kryetarë të komunave nga kjo parti kanë bërë të ditur para gazetarëve se në bazë të rezultateve të tyre jozyrtare që posedojnë, Lista Serbe ka fituar këto zgjedhje me mbi 90 për qind të votave.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, fitoren e tij e ka quajtur fitore të popullit serb dhe shtetit të Serbisë në këto hapësira.

Rakiq: Lista Serbe fitoi  mbi 90 për qind të votave

“Shpalli fitoren e Listës Serbe, përkatësisht fitoren e popullit serb. Ajo që dua në fillim të them është se bojkoti i opozitës dhe disa kuazi-satelitëve këtu në terren nuk ka pasur sukses. Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave në katër komunat veriore. Unë kam të dhëna jo zyrtare sipas të cilave në katër komunat veriore Lista Serbe ka fituar 94.24 për qind të votave. Në veri të Mitrovicës kjo përqindje është 90.18, që do të thotë se në raport me zgjedhjet e vitit 2017, 1675 vota më shumë ka marrë Lista Serbe. Do ta përsëris edhe njëherë, se bojkoti i opozitës nuk ka pasur sukses sipas të cilit është tentuar që popullin serb ta çojë në duart e Prishtinës. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Gjuriqit, Aleksandar Vuçiqit, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”, ka thënë Rakiq.

Edhe kandidatët tjerë për kryetar të komunave tjera kanë folur, duke thënë se me këtë fitore është dëshmuar fuqishëm fitorja e popullit dhe shtetit të Serbisë këtu.

Në fund të kësaj konference për gazetarë, të pranishmëve iu është drejtuar përmes linjës telefonike edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka përshëndetur dhe falënderuar popullin serb për daljen masive në këto zgjedhje.

Sipas tij, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave vitale dhe nacionale, si dhe interesave më të rëndësishme të shtetit të Serbisë.

Vuçiq: Me këtë fitore nuk do t’i zgjidhim të gjitha problemet tona

“Njerëzit tonë kanë dëshmuar energji jashtëzakonisht të madhe dhe dëshirën se duan të luftojnë për të ardhmen e tyre dhe një të nesërme më të mirë për fëmijët e tyre…Me këtë fitore nuk do t’i zgjidhim të gjitha problemet tona, por kemi treguar se duam unitet në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe zgjidhjen e përbashkët të tyre. Mendoj se pas të gjitha kërcënimeve nga shqiptarët dhe disa serbë, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të luftës për interesat tona vitale dhe nacionale dhe interesat tona më të rëndësishme shtetërore”, tha përmes telefonit Vuçiq.

Rezultatet preliminare të DnV: Fitojnë kandidatët e Listës Serbe

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka vëzhguar tërë procesin zgjedhor për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Të gjitha vendvotimet janë mbyllur me kohë.

Në bazë të raportimeve nga terreni, dalja e votuesve deri në mbylljen e vendvotimeve në 19:00 është 39% nga 85% e vendvotimeve të procesuara.

 Rezultatet preliminare të DnV-së për 85 përqind të vendvotimeve të numëruara janë:   Mitrovicë e Veriut: Lista Serbe, Goran Rakic (95.2%) Partia Demokratike e Kosovës, Gonxhe Çaushi (3.1%) Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq (1.6%)

Zubin Potok:  Lista Serbe, Srdjan Vulovic (94.1%) Partia Demokratike e Kosovës, Hysen Mehmeti (3.1%) Lëvizja Vetëvendosje, Liridona Kahrimani (2.8%)   Leposaviq:  Lista Serbe, Zoran Todic (96.4%) Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Hetemi (2.1%) Lëvizja Vetëvendosje, Fisnik Veseli (1.5%)

Zveçan  Lista Serbe, Vucina Jankovic (96.4%) Lëvizja Vetëvendosje, Avdi Peci (2.2%) Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Peci (1.4%)

KQZ: Ecuria e zgjedhjeve në veri pa probleme

Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor kanë vlerësuar të qetë dhe pa probleme ecurinë e sotme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka,  ka bërë të ditur të dhënat nga dalja e qytetarëve në zgjedhjet e sotme, ku deri në ora 19.00 kanë votuar gjithsej 42.42 për qind.

Daka: Vendvotimet mbyllen me kohë, ecuria e zgjedhjeve pa probleme

“Në 87 vendvotime të komunave janë mbyllur të gjitha me kohë në ora 19.00. Sipas të dhënave preliminare nga terreni, procesi i votimit në këto katër komuna është zhvilluar pa ndonjë problem. Ju njoftojmë se të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme e shfrytëzuan 24.595 apo 42.42 për qind qytetarë me të drejtë vote nga gjithsej 57.983 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në zgjedhjet e tetorit deri në të njëjtën kohë kishin votuar 23.981 votues  apo 41.90 për qind. Kjo është dalja sipas komunave: Leposaviq 41.57 për qind, Zubin Potok 50.74 për qind, Zveçan 48.17 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut 38.74 për qind”, tha Daka.

Ajo ka bërë të ditur se nga ora 19.00 rrjedh afati 24 orë për ankesa të subjekteve politike në PZAP lidhur me procesin e votimit në veri të Kosovës, ndërkohë  që lidhur me konferencën e radhës ku do të njoftohen rezultatet preliminare do të bëhet e ditur më vonë nga KQZ-ja.

Ndryshe, në zgjedhjet e sotme në katër komunat në veri të Kosovës të drejtë vote kanë pasur 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Në këto zgjedhje garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Të drejtë vote në Mitrovicën Veriore kanë 22 mijë e 242 persona, në Leposaviq 18 mijë e 390, Zveçan 9 mijë e 276 dhe Zubin Potok 8 mijë e 612 persona.

Sipas renditjes së KQZ-së, në garë për kryetar të Leposaviqit janë Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga PDK dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.

Në Zubin Potok garojnë Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe. Ndërsa në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe.

Në Mitrovicën e Veriut garojnë Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka angazhuar 670 komisionarë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë mbajtur në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje për shkak të vendosjes së  taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

KQZ flet për daljen në zgjedhje në veriut (Drejtpërdrejt)

Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media bën të ditur se kjo parti ka marr më së shumti vota në zgjedhjet në katër komunat veriore.

“Zgjedhjet për kryetarin e komunës, në katër komunat e veriut, të mbajtura sot, me kandidatët e saj, Gonxhe Çaushi për Mitrovicë të Veriut, Shaqir Hetemi për Leposaviq, Hysen Mehmeti për Zubin Potok dhe Ilir Peci për Zveçan, nga informatat e deritashme kanë shënuar fitore kundrejt kandidatëve tjerë shqiptarë”, thuhet në komunikatën e PDK-së. 

PDK thotë se sipas informatave të para nga komisionarët, procesi zgjedhor në disa vendvotime, dëshmon epërsi të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, kundrejt partive tjera shqiptare. 

“Kështu, në fshatin Lipë të Zveçanit, kandidati i PDK-së për kreun e komunës, Ilir Peci ka fituar 82 vota, kundrejt Vetëvendosjes, 5 vota.  Ndërsa në Zveçan, numri total i votave për PDK-në është 117, ndërsa Vetëvendosje ka marrë në koalicion me të gjitha partitë, 55 vota”, thuhet në komunikatë.

Sipas PDK-së në  Leposaviq, ku kandidat është Shaqir Hetemi, PDK-së, ka fituar 110 vota, kundrejt 62 votave. 

Ndërsa në vendvotimin Kodra e Minatorëve, po ashtu, prinë kandidatja e PDK-së, Gonxhe Çaushi, 100 kundrejt 95.

“Në lagjen ‘7 Shtatori’, Çaushi ka fituar 109 vota, kundrejt 33 votave të Vetëvendosjes dhe partive tjera në koalicion me të.  Në Zubin Potok, kandidati i PDK-së, për kreun e kësaj komune, Hysen Mehmeti, ka fituar 112 vota, kundrejt 98 votave të krejt partive shqiptare bashkë”, thuhet në komunikatë.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban konferencën për media për pjesëmarrjen në votime deri në orën 19:00.

Mbyllen vendvotimet në zgjedhjet në komunat veriore

Në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

Vendvotimet janë hapur nga ora 7:00, kurse nga ora 19:00 ka filluar mbyllja e tyre, kur edhe ka nisur numërimi i votave.

Deri në orën 16:00 votuan 35 % e qytetarëve

Sipas koalicionit të organizatave Demokracia në Veprim, e cila po monitoron zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, deri në orën 16:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 35 për qind e qytetarëve. 

“Koalicioni i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’, po vazhdon vëzhgimin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, 19 maj 2019. Procesi i votimit po vazhdon të zhvillohet i qetë. Deri në orën 16:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë rreth 35% e të gjithë votuesve me të drejtë vote”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas komunave veç e veç, dalja e votuesve në zgjedhje, sipas DnV-së është Zubin Potok (39%), Zveçan (38%), Leposaviq (34%) dhe Mitrovicë e Veriut (33%).

Sipas koalicionit, parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 16:00 janë: Votimi familjar i evidentuar në 23 vendvotime, në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet; Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 6 raste; Votimi jashtë kabinës, është vërejtur në pesë raste; Tentime për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë), janë evidentuar në dy raste.

***

DnV po mban konferencë për media lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe daljen në zgjedhje deri në ora 17:00. (18:00)

KDI: Në të gjitha komunat ka pasur votim me dokumenta të Serbisë

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, një nga parregullsitë e procesit zgjedhor është edhe votimi me dokumente të Serbisë. Kjo është konfirmuar edhe nga ana e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Një gjë të tillë për KosovaPress e thotë edhe Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës. Sipas saj, një fenomen i tillë është vërejtur në katër komunat pa dallim.

“E pranoi se ne të gjitha komunat është vërejtur që ka pasur votim të qytetarëve me dokumenta të Serbisë. Në mëngjes ky fenomen ka qenë më i theksuar dhe janë lejuar por më vonë një gjë e tillë është ndërprerë. Ka pasur mos qartësi edhe në mesin e vetë komisionarëve deri në ora 12:00 rreth kësaj çështjeje prandaj disa kanë lejuar dhe disa jo”, thotë ajo.

Megjithatë, ajo nuk ka përmendur shifra sa të tillë kanë votuar.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, janë 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime. Kurse, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto katër komuna është 57 mijë e 983 votues apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

KQZ: Kaq qytetarë kanë votuar deri në ora 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri në ora 15:00 drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 18 729 qytetarë

Kurse deri në ora 11:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 16.14% e qytetarëve me të drejtë vote.

Gjatë ditës KQZ- ja ka njoftuar se të gjitha 87 vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk është raportuar për parregullësi.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 57 mijë e 983 persona apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Në Leposaviq kanë të drejtë vote 18 mijë e 164 votues; 18 qendra të votimit; 31 vendvotime; në Zubin Potok: 8 mijë e 535 votues; 12 qendra të votimit; 16 vendvotime; në Zveçan: 9 mijë e 229 votues; 7 qendra të votimit; 13 vendvotime dhe në Mitrovicë e veriut: 22 mijë e 055 votues; 7 qendra të votimit; 27 vendvotime.

KQZ-ja ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 medie.

Gjithashtu KQZ-ja ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Evidentohen parregullsi

Deri në orën 12:00, në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, 21 për qind e qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës. E parregullsitë më të shpeshta deri në këtë kohë, kanë qenë identifikimi i vëzhguesve dhe votimi me dokumente të Serbisë, që si proces është lejuar në disa raste nga ana e komisionarëve.

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, në një konferencë për media ka njoftuar se sa për qind e qytetarëve, kanë votuar në katër komunat veriore të Kosovës.

Cakolli: 21 për qind e qytetarëve kanë dalur për të votuar deri në orën 12:00

“Deri në orën 12:00 në bazë të të dhënave që kemi marrë  nga vëzhguesit tanë nga terreni 21 për qind  e qytetarëve të katër komunave veriore të Kosovës kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës dhe në këtë përqindje prin komuna e Leposaviqit me 24 përqind të pjesëmarrjes, pasuar nga komuna e Zveqanit me 21 përqind, nga komuna e Mitrovicës së Veriut me 20 përqind, si dhe komuna e  Zubin Potokut që ka përqindjen më të ultë të pjesëmarrjes me vetëm 18 përqind”, tha Cakolli.

Pavarësisht se Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka evidentuar ndonjë parregullsi për këto zgjedhje të jashtëzakonshme, DnV thotë se ka pasur raste të tilla.

Cakolli: Ka votues që kanë votuar me dokumente të Serbisë

“Parregullsitë më të shpeshta të cilat e kanë karakterizuar këtë proces zgjedhor deri në orën 12:00 kur  ne kemi marrë të dhënat nga vëzhguesit tanë, është identifikimi i vëzhguesve dhe votimi me dokumente të Serbisë, që si proces është lejuar në disa raste nga ana e komisionarëve. Votuesit të cilët kanë qenë në listën e votuesve dhe kanë prezantuar dokumente të identifikimit të Serbisë, u është lejuar të votojnë. Një nga fenomenet tjera të cilat e kanë karakterizuar këtë proces deri më tani është edhe vështirësia e votuesve për të gjetur emrin e tyre në listën e votuesve. Ankesa në lidhje me këtë problem ka pasur në tri vendvotime, dy të cilat janë në Mitrovicën e Veriut, ndërsa një tjetër në komunën e  Leposaviqit”, tha ai.

 Ai thotë se parregullsi tjetër ka qenë edhe votimi familjar, i cili është evidentuar edhe në 15 votime, prej të cilave Mitrovica e Veriut me gjithsej shtatë raste. Madje ka pasur edhe raste kur është votuar jashtë kabinave të votimit.

Cakolli: Në tri vendvotime është votuar jashtë kabinave të votimit

“Sa i përket rasteve kur është votuar jashtë kabinave të votimit që si problem është i rregulluar edhe me aktet e KQZ-së, ky fenomen është shfaqur në gjithsej tri vendvotime në komunën e Leposaviqit, ndërsa në komunat tjera nuk është evidentuar ndonjë rast i tillë. Sa i përket tentativës për të votuar më shumë se një herë, pra votimi i dyfishtë, si problem është identifikuar vetëm në një rast, përkatësisht në qendrën e votimit 3803B, përkatësisht në shkollën ‘Aziz Sylejmani’ në Mitrovicën e Veriut, në vendvotimin 01R, tha ai.

Demokracia në Veprim ka ftuar qytetarët që të dalin në votime dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes.

I pyetur se sa mund të ndikojë tek qytetarët shqiptarë prezenca  e flamurit të Serbisë në disa vend votime, Cakolli tha se nuk është evidentuar asnjë rast që ky flamur ka penguar qytetarët të komunitetit shqiptar apo të komuniteteve tjera, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Daka: Deri në orën 11:00 kanë votuar 9 mijë e 361 qytetarë

Image

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka njoftuar se në 44 qendrat e votimit në katër komunat e veriut të Mitrovicës, procesi zgjedhor është duke vijuar pa asnjë problem.

Daka në një konferencë për media ka thënë se deri në orën 11:00 të drejtën e e votës e kanë shfrytëzuar mbi 9 mijë qytetarë, nga 57 mijë sa kanë të drejtë vote. 

Daka: Deri në orën 11:00 kanë votuar 9 mijë e 361 qytetarë  

“Deri në orën 11:00, të drejtën e tyre për të votuar  e kanë shfrytëzuar 9 mijë e 361 qytetarë me të drejtë vote, nga 57 mijë e 983 sa është numri i përgjithshëm në këto katër komuna. Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit të vitit 2017 deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8483 votues apo 14,88për qind. Sipas komunave, iu njoftoj se deri në orën 11:00 në Leposaviq  kanë votuar 3262 qytetarë apo 17,96 përqind, në Zubin Potok kanë votuar 1174 qytetarë, apo 13,76 përqind, në Zveqan 1488 votues apo 16,12 përqind dhe në Mitrovicën e Veriut 3437 votues, apo 15,58 përqind”, tha Daka.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, janë 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime. Kurse, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto katër komuna është 57 mijë e 983 votues apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Çaushi: Është shumë e rëndësishme vota e qytetarëve

Kandidatja e PDK-së për komunën e Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushi ka votuar në Lagjen e Boshnjakeve.

Ajo falënderoj komisionarët dhe ata që po votojnë për herë të parë. 

“Falënderoj te gjithë komisionarët për kontributin e tyre, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Gjithashtu te përshëndes qe votojnë për here te pare. Mendoj qe kemi bere një fushat dinjitoze. Ftoj te gjithë qytetare te votojnë. Është shume e rëndësishme vota e tyre për ti dhëne drejtimin që duan vendit.”, u shprehë Çaushi.

Image

Erden Atiq: Jemi optimist

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq, pasi ka votuar është shprehur se procesi i votimit është duke shkuar me një ritëm konstant, ndërsa ka deklaruar se janë optimist sa i përket pritjeve të tyre.

I pyetur se a beson se do të fitojë, Atiq tha se duhet të persin orën 19:00, derisa ka deklaruar se nga këto zgjedhje presin faktorizim.

Atiq: Deri tash është duke shkuar me një ritëm konstant, jemi optimist

“Sapo e përfundova obligimin tim qytetar, qysh është zakon dhe traditë bëjë ftesën gjithë qytetarëve të kësaj pjese të dalin me krye obligimin e tyre. Ende është herët, deri tash është duke shkuar me një ritëm konstant, jemi optimist... Të shohim pas orës 7... Faktorizimi, nënstop e kemi thënë këtë, e kemi pasur përkrahjen edhe të subjekteve të tjera, ka pasur një fushatë mund të them dinjitoze qytetare, fushatë të civilizuar dhe kjo na jep shpresë goxha shumë”, tha ai.

Kundërkandidat të Erden Atiq janë Kandidati i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Gonxhe Çaushi nga PDK.

Image
Image
Image

**

Kandidati për komunën e Mitrovicës së Veriut nga Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq ka dhënë votën e tij. 

Atiq ka votuar në një nga qendrat e votimit në Lagjen e Boshnjakëve.

Arsyeja kryesore që e ka shtyrë të kandidojë për kryetar është se ka në plan bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

***

Qytetarët e veriut të Mitrovicës që nga hapja e vendvotimeve kanë nisur të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ata mendojnë që zgjedhjeve duhet t’i përgjigjen sa më shumë në numër dhe të vendosin për një të ardhme më të mirë për ta, por ka edhe të atillë që thonë se ajo pjesë është e tyre.

Dushanka Petroviq thotë se ka lindur në veri dhe se kjo pjesë është e tyre.

Petroviq: Pjesa veriore është e jona

“Unë pres nga këto zgjedhje se do të bëhet mirë. Jam e lindur këtu dhe kjo pjesa veriore është e jona dhe nëse dikush mendon me marrë këtu, unë jam këtu dhe familja ime kemi lindur këtu, dhe mendoj që do të bëhet mirë “, ka thënë ajo.

Kurse, Nada Gjukiq shpreson se të bëhet më mirë dhe se Kosova të mbetet serbe.

Gjykiq: Në zgjedhje duhet të dalin të gjithë

“Çka të iu them, pres nga këto zgjedhje se do të bëhet mirë se Kosova të mbetet serbe dhe pres dalje të qytetarëve në këto zgjedhje dhe duhet të dalin të gjithë”, tha ajo.

Edhe Vllaiq Dragolub pret nga këto zgjedhje që të bëhet më mirë për të gjithë.

Dragolub: Shpresoj që qytetarët do të dalin në zgjedhje

“Çka të pres tjetër përveç që do të bëhet mirë në kuptimin e jetesës dhe gjitha të tjerave. Siç po shihet në mëngjes shpresoj që qytetarët do të dalin në zgjedhje“, tha ai.

Të drejt vote kanë 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këto katër komuna ka angazhuar rreth 670 komisionarë. Ndërkaq, numri i vëzhguesve të akredituar nga ana e KQZ-së dhe të cilët do të mund të përcjellin votimin është rreth 500 vëzhgues. Këta vëzhgues përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, dy zyre ndërlidhëse, 12 ambasada, dy organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, katër organizata jo-qeveritare vendore dhe 16 shtëpi mediale.

Votimi i Goran Rakiqit

Kandidati i Listës Serbe për komunën e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pasi ka votuar, ka thënë se qytetarët e Mitrovicës e kanë kuptuar seriozisht rëndësinë e këtyre zgjedhjeve lokale, që është referendum për ekzistencë në këto hapësira.

Rakiq ka ftuar qytetarët që të dalin në votime dhe të dëshmojnë se sa domethënëse është për ata të mbeten dhe të jetojnë në këto hapësira.

Rakiq: Ky është referendum për ekzistencë

“Kemi kryer obligimin tonë qytetar. Siç mund të shihni edhe vet, qytetarët e Mitrovicës e kanë kuptuar seriozisht rëndësinë jo vetëm të këtyre zgjedhjeve lokale por bukfalisht referendumit, i cili për neve që jetojmë këtu do të thotë ekzistencë në këto hapësira. Kisha shfrytëzuar rastin të ftoj të gjithë qytetarët që në mënyrë sa më masive të dalin në këto zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe ftoj të gjithë qytetarët jo vetëm të Mitrovicës së veriut, por edhe të Leposaviqit, Zubim Potokut, Zveçanit që të dalin me familje, me fqinjët, që ta shfrytëzojnë këtë ditë dhe të dëshmojnë se sa për neve do të thotë bashkimi, uniteti dhe sa domethënëse është për neve që të mbetemi dhe të jetojmë në këto hapësira”, tha ai.

I pyetur nga mediat, se a do ta pranonte rezultatin nëse do të fitonin kundër kandidatët e tij, Gonxhe Çaushi nga PDK ose Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, ai tha se do ta pranojnë atë që qytetarët vendosin.

KQZ: Zgjedhjet në veri kanë nisur me kohë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet në komunat e veriut të Mitrovicës janë hapur në orën e paraparë dhe sipas të dhënave nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se duke u mbështetur në të dhënat nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull.

Elezi: Procesi i votimit po zhvillohet në rregull

“Duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve fletëvotimet dhe të gjitha materialet tjera të ndjeshme zgjedhore janë shpërndarë sipas planifikimeve. Po ashtu, ju njoftojmë se të gjitha vendvotimet e këtyre komunave janë hapur në orën e paraparë, pra në orën 7:00. Duke u mbështetur në të dhënat nga tereni procesi i votimit po zhvillohet në rregull. ..... Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote nga këto komuna që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, janë 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime. Kurse, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto katër komuna është 57 mijë e 983 votues apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017. 

Simiq: Zgjedhjet kanë nisur pa asnjë problem

Procesi zgjedhor në katër komunat në veri të Mitrovicës, tanimë kanë filluar. Në njërën nga qendrat e votimit, që nga mëngjesi vërehet një interesim i madh i qytetarëve për të votuar.

Aty votoi edhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili tha se është me rëndësi që secili ta kryej punën e vet, që zgjedhjet të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundshme

Simiq: Zgjedhjet kanë nisur pa asnjë problem, shpresoj të shkojnë kështu

“Shpresoj që këto zgjedhje do të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme ashtu siç kanë filluar. Janë hapur të gjitha qendrat zgjedhore në bazë të informacioneve që kam dhe pa asnjë problem. Siç po e shiheni interesimi është i madh te qytetarët e Mitrovicës së Veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar dhe për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ajo çka është më me rëndësi, është që secili ta kryej punën e vet, që zgjedhjet të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe që qytetarët të mund të vendosin vet për atë që kush do të mund t’i udhëheq në periudhën e ardhshme“, ka thënë ai.

Ai është shprehur i bindur se kandidatët e Listës Serbe do t’i fitojnë këto zgjedhje.

Simiq: Kandidatët tonë do të arrijnë fitore të bindshme

“Është fakti që unë jam thellë i bindur dhe të gjithë anëtarët e listës serbe se katër kandidatët e tyre do të arrijnë fitore të bindshme, jo për faktin se jam unë pjesë e listës serbe por e di që kjo është mënyra e vetme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë në këto hapësira”, tha ai.

Nis votimi në veri 

Në këto momente ka nisur votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Mitrovicës, ku të drejt vote kanë 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këto katër komuna ka angazhuar rreth 670 komisionarë. Ndërkaq, numri i vëzhguesve të akredituar nga ana e KQZ-së dhe të cilët do të mund të përcjellin votimin është rreth 500 vëzhgues. Këta vëzhgues përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, dy zyre ndërlidhëse, 12 ambasada, dy organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, katër organizata jo-qeveritare vendore dhe 16 shtëpi mediale.

Shpërndahen fletëvotimet në veri

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shpërndarë fletëvotimet dhe materialit tjetër të ndjeshëm zgjedhor në katër komunat e veriut të Mitrovicës, ku së shpejti nis votimi për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Të drejt vote kanë 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këto katër komuna ka angazhuar rreth 670 komisionarë. Ndërkaq, numri i vëzhguesve të akredituar nga ana e KQZ-së dhe të cilët do të mund të përcjellin votimin është rreth 500 vëzhgues. Këta vëzhgues përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, dy zyre ndërlidhëse, 12 ambasada, dy organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, katër organizata jo-qeveritare vendore dhe 16 shtëpi mediale

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat