Përkujtohet heroi Safet Boletini, në 20 vjetorin e rënies

Mitrovica

Përkujtohet heroi Safet Boletini, në 20 vjetorin e rënies

Më: 31 maj 2019 Në ora: 18:15
Përkujtohet heroi Safet Boletini

Heroi i Kosovës Safet Boletini – komandant Tigri, ishte figurë e rëndësishme i cili iu kundërvy një regjimi shtypës, si ushtar i dalluar dhe ndërgjegje e zgjuar kombëtare, ndërsa hoqi frymën e fundit duke belbëzuar fjalët ‘Rroftë Shqipëria etnike të cilën e deshëm aq shumë’.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë akademisë përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së heroit të kombit Safet Boletini, që u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri , në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, potencoi se gjithmonë në momente të tilla shfaqen ndjenja të përziera, ndjenja mallëngjimi, pikëllimi, por gjithsesi edhe ndjenja krenarie.

 Mujka: Sot duhet të mbizotërojë ndjenja e krenarisë

“Në këto momente gjithmonë kemi ndjenja të përziera, ndjenja mallëngjimi, pikëllimi, por gjithsesi duhet të mbizotërojë ndjenja e krenarisë, duke ditur se Safeti ra  në mënyrë heroike, që Kosova të fitojë lirinë”, ka thënë Mujka.

Hysni Ahmeti, bashkëluftëtar dhe komandant i Brigadës 141 ‘Mehë Uka’, duke folur për figurën, jetën dhe veprën e Safetit, tha se heroi u lind dhe u rrit në periudhën kur buka shtrohej me frikë në sofër, kur gjëma e vaji i zëvendësonin stinët, kur bukë kishte ndërsa armiqtë nuk lejonin për ta ngrënë, dhe kur njerëzit ishin më të fortë se shkëmbi.

Sipas tij, për tokën shqiptare ishte flijuar jo vetëm Safeti, por gjyshi dhe stërgjyshi i tij, si dhe tabore burrash të Boletinëve.

Ahmeti: Safeti la Gjermaninë për të hyrë në luftë

“Kur në Kosovë pushkët e UÇK-së pas më shumë se një gjysmë shekulli përtërinë istikamet e baballarëve tanë, Safeti la Gjermaninë dhe më 28 maj 1998 arrin në Shqipëri. Sa nuk fluturonte nga gëzimi, sepse po shkelte tokën amë për të cilën kishin luftuar gjyshi e stërgjyshi i tij, për të cilën ishin flijuar taborë burrash të Boletinëve, nga Isai deri te Salih Boletini. Përpara i shfaqeshin luftërat e prijësit Isa Boletini kundër tri perandorive”, theksoi Ahmeti.

Në anën tjetër, Adnan Boletini, I cili në emër të familjes ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, tha se kjo pa dyshim e bënë më të lehtë dhimbjen e familjarëve.

Boletini: Çdo përvjetor është dhimbje për ne

“Në çdo përvjetor me dhimbje e krenari kujtojmë më të dashurit tonë. Çdo përvjetor është dhimbje e sërishme dhe një kujtesë e pashlyer e jona”, tha ai. Gjatë kësaj akademie u kënduan këngë dhe u recituan poezi kushtuar jetës dhe veprës heroike të Safet Boletinit.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat