Thellimi i ndarjeve të serbëve në Kosovë nga Beogradi

Mitrovica

Thellimi i ndarjeve të serbëve në Kosovë nga Beogradi

Më: 29 qershor 2019 Në ora: 17:49
Mitrovicë e Veriut, foto nga arkivi.

Në dy dekadat e fundit, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, të gjitha qeveritë e Serbisë i kanë trajtuar serbët e Kosovës, të ndarë në serbë të jugut dhe të veriut, por autoritetet e tanishme, të cilat kanë pushtetin në Beograd, këtë ndarje e kanë theksuar edhe më shumë, thonë njohësit serbë të zhvillimeve politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në rubrikën e përjavshme Fokus, të Radios Evropa e Lirë, ata shprehin mendime të ndryshme lidhur me format dhe motivet e kësaj ndarjeje, e të cilat në fund synojnë një cak politik, madje duke ua krijuar bindjen edhe vetë serbëve të Kosovës, që ta shohin veten si serbë të jugut dhe të veriut të vendit.

Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se përvojat e deritashme kanë treguar se Beogradi zyrtar, në vazhdimësi i ka parë serbët që jetojnë në veri të Kosovës, si më të afërt se sa ata që jetojnë në jug të lumit Ibër apo në pjesën qendrore të Kosovës.

“Natyrisht që serbët në veri të lumit Ibër kanë qenë gjithmonë më të privilegjuar në krahasim me ata në jug të lumit Ibër dhe nga ana e Beogradit gjithmonë janë parë disi më të afërt, në çdo kuptim. Numri më i madh i investimeve, madje edhe i parave, gjithmonë kanë shkuar më shumë në veri sesa në jug dhe gjithmonë ata të veriut, që janë marrë me politikë, kanë qenë shumë më mirë të trajtuar dhe më të respektuar sesa ata në jug të Ibrit. Ka këtu edhe arsye objektive pse është kështu, sepse më lehtë është të arrihet deri te veriu sesa te disa enklava në brendësi të Kosovës. Por, ka edhe arsye subjektive dhe raporte personale dhe në veri, veçanërisht elita politike, është shumë më e privilegjuar sesa në jug”, theksoi Miletiq.

Veriu i Kosovës në fokus të Beogradit

Megjithatë, qasja e Beogradit zyrtar ndaj serbëve të Kosovës, duke i parë ata si serbë të veriut dhe të jugut, siç thonë njohësit e zhvillimeve politike, është jashtëzakonisht më e theksuar në dy vjetët e fundit. Për më shumë, sipas tyre, Beogradi zyrtar tashmë i ndanë serbët e Kosovës edhe në forma tjera.

Veroljub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në dy vjetët e fundit, fokusi i Beogradit zyrtar është orientuar gati se tërësisht te serbët që jetojnë në veri të Kosovës. Sipas tij, kjo mund të shihet edhe në bazë të investimeve që Serbia i bën për serbët e Kosovës, të cilat, si thotë ai, janë më të mëdha në veri se sa në jug të lumit Ibër.

“Ndarje ka gjithsesi. Përveç kësaj ndarjes materiale, Beogradi ka kontribuar që të bëhet edhe një qasje tjetër, gjegjësisht, ndarja në serbë lojalë dhe në serbë jolojalë apo në ‘serbët tanë’ dhe serbët e Thaçit. Kjo gjithsesi nuk është e mirë për bashkësinë serbe, qoftë në veri e qoftë në jug të lumit Ibër”, tha Petroniq.

Ai ka shtuar se ndarjet që kanë nisur rreth dy vjet më parë, patën sjell përplasjen dhe ndarjen edhe brenda Listës Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, si dhe janë çrregulluar marrëdhëniet ndërmjet vetë serbëve brenda elitës politike.

Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se Beogradi zyrtar ka problem strategjik për të caktuar marrëdhënien e tij me serbët e Kosovës, për shkak se e sheh çështjen e statusit të Kosovës si të pazgjidhur.

“Por, pse është fokusi në veri? Ky fokus ka qenë edhe në autoritetet e kaluara. Në fakt, ne që nga vitet 2005 dhe 2006 kemi një integrim relativisht të gjerë të serbëve në jug të Ibrit dhe kjo ka kontribuuar që qysh atëherë të flitet për dy lloj trajtimesh. Ndryshimi ka qenë i qartë që atëherë, sepse veriu i Kosovës nuk ka qenë i integruar deri në fund në institucionet e Kosovës. Por, tash, në fazën më të re, mendoj se është forcuar ky trajtim jo i barabartë, sepse ndër prioritetet e politikës në Beograd, ka ardhur çështja e caktimit eventual të kufijve”, theksoi Janjiq.

Ai ka shtuar që presidentit serb Aleksandar Vuçiq nuk ka hequr dorë nga ideja caktimit të kufirit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, pavarësisht deklaratave të tij për të kundërtën.

“Përcaktimi i kufirit” frikëson serbët

Por, a është ideja e Vuçiqit për “përcaktimin e kufirit ndërmjet shqiptarëve dhe serbeve” arsyeja e fokusimit të Beogradit zyrtar te serbët e veriut të Kosovës?

Miletiq thotë se cilado qoftë ideja e Beogradit zyrtar për zgjidhjen e kontestit me Kosovën, serbët e kësaj të fundit, nuk do të kenë asnjë ndikim.

“Serbët e Kosovës, nuk kanë fuqi që ta kundërshtojnë çfarë do ideje që vjen nga Beogradi, sepse nuk kemi dëgjuar as përfaqësuesit e Listës Serbe që janë në jug të lumit Ibër, kryetarët e komunave, që kanë kundërshtuar ‘përcaktimin e kufirit’, ndonëse është mjaft e qartë që nëse ky plan do të kishte sukses, ata do të mbeteshin në pjesën, e cila nuk do të ishte në Serbi. Serbët e Kosovës më nuk janë subjekt politik dhe faktorë politikë, me fajin e vetes dhe marrëdhënies së tyre me Beogradin”, tha Miletiq.

Petroniq shpreh mendimin se të gjitha veprimet e Beogradit, veçanërisht në dy vjetët e fundit, përfshirë edhe qasjen dhe trajtimin e ndryshëm ndaj serbëve që jetojnë në veri të Kosovës dhe atyre në pjesën qendrore të vendit, janë në funksion të idesë për ndryshim të kufijve.

“Te serbët në jug të lumit Ibër është krijuar frika se vendi amë do t’i braktisë. Ndërkaq, serbët në veri konsiderojnë që në qoftë se arrihet deri te ndarja, atëherë veriu, për një ose dy vjet, do ta ketë rëndësinë sikurse disa fshatra në pjesën lindore të Serbisë, pra vende që janë në fund të listës së prioriteteve të Qeverisë së Serbisë”, u shpreh Petroniq.

Ndërkaq, Janjiq thotë se tashmë Beogradi ka arritur që të imponojë bindjen te serbët e Kosovës që ndarja e tyre, në jug dhe në veri, është shndërruar në fakt.

“Kjo është aq shumë realitetet, sa që thjeshtë, shumicën e tyre duhet t’i bindni se ekzistojnë pikat e përbashkëta. Kjo ka shkuar aq thellë sa që këtu janë formuar dy nën-identitete politike dhe mendoj se aty ekziston edhe pakënaqësia me politikën e tanishme të Beogradit, para së gjithash me (Marko) Gjuriqin, Zyrën për Kosovën dhe presidentin Vuçiq, si dhe eksponentët e tyre të Listës Serbe. Akumulimi opozitar duket se është më lehtë që të shpërfaqet në Kosovën qendrore sesa në veri, gjë që jep tone më të lirshme e që dëgjohen nga jugu. Veriu duket se e ka humbur rrugën, për shkak të kontrollit të tërësishëm që e ka Beogradi përmes Listës Serbe. Por, është fakt që më ka befasuar edhe mua, që ndarja është aq e thellë, sa që njerëzit e kanë pranuar si realitet”, vlerësoi Janjiq.

Sidoqoftë, njohësit serbë të zhvillimeve politike, kanë theksuar që në funksion të krijimit të ndasive ndërmjet serbëve kanë ndikuar edhe veprimet, por në disa raste edhe mosveprimet e Prishtinës zyrtare, karshi komunitetit serb që jeton në Kosovë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat