Shtëpitë e shqiptarëve në veri të Mitrovicës shndërrohen në deponi mbeturinash nga serbët

Mitrovica

Shtëpitë e shqiptarëve në veri të Mitrovicës shndërrohen në deponi mbeturinash nga serbët

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 14:27
Foto ilustrim

Shumë prona dhe shtëpi të shqiptarëve në veri të Mitrovicës të cilat janë shkatërruar në luftën e fundit nga forcat serbe, përveç që nuk janë rindërtuar dhe nuk po mund të shfrytëzohen për banim nga pronarët shqiptarë, disa prej këtyre pronave janë shndërruar në deponi mbeturinash nga serbët në atë pjesë.

Edhe në të kaluarën është bërë rindërtimi shtëpive në veri të Kosovës, por fatkeqësisht ende një numër i madh i shtëpive të djegura gjatë luftës nuk janë rindërtuar. Ato familje vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira, shumë prej tyre në asistencë sociale, e shumë prej tyre edhe me qira.

Qeveria e Kosovës në një prej mbledhjeve të fundit ka bërë një ndryshim plotësim të Udhëzimit Administrativ për rindërtimin e shtëpive në pjesën veriore që konsiderohen se janë edhe rreth 300 shtëpi të pa rindërtuara.

Naser Spehiu nga lagjja Kroi i Vitakut, i cili aktualisht është i strehuar përkohësisht nga komuna e Mitrovicës së jugut, nga pas lufta deri në vitin 2015 ka paguar qira për banim.

Spahiu rrëfen për KosovaPress se as kushtet minimale nuk i ka për jetesë në vendin ku banon në pesë vjetët e fundit si i strehuar. 

Meqë nuk ka kushte materiale, ai mezi pret që Qeveria t’ia rindërtojë shtëpinë në vendlindjen e tij dhe të kthehet me dhjetë anëtarë të familjes në pronën e vet,  e cila i është bërë një deponi mbeturinash nga serbët në veri.

Spahiu: Shtëpia ime e djegur nga serbët më është bërë deponi

“Mezi presim me u kthyer në shtëpitë dhe pronat tona… Te ne ka premtime shumë, ndërsa realizim të tyre shumë pak, për arsye se qe tetë vjet asnjë bllok nuk është vendosur  në këtë pjesë dhe as nuk e dinë se ku jetojmë ne banorët e pjesës veriore… Këtu ka qenë shtëpia, të cilën ma kanë bërë deponi. Kam kërkuar edhe ndihmë nga institucionet e shtetit tonë, por nuk kanë intervenuar për ta ndaluar këtë çka kanë bërë serbët. Në luftë ka qenë e shkatërruar, posedojmë dokumentacionin që kemi pasur në atë kohë… (Banoj)Në Jug të Mitrovicës, 15 vjet me qira, ku kam hyrë kredi më paguar qira… Ne serbëve s’ju kemi bërë asgjë, sigurinë e kemi, prona është e imja, po të ishte edhe në një shtet tjetër prona është e imja, unë do të kthehem në vendin tim. Nuk e ngacmoj askënd, por edhe nuk e toleroj askënd në pronë timen. Ne mezi presim me u kthyer”, pohon Spahiu.  

Edhe Nadire Kralanit nga Kodra e Minatorëve, e cila banon me qira në jug të Mitrovicës nuk i është rindërtuar ende shtëpia që i është djegur dhe shkatërruar nga forcat serbe gjatë luftës.

Ajo thotë se me dëshirë do të ishte kthyer në pronën e vet, por nuk pati fatin që t’i rindërtohet shtëpia deri tash.

Kralani kërkon ndihmën e Qeverisë që t’ia rindërtojë shtëpinë, ngaqë e ka të pa mundur të banojë me qira në jug të Mitrovicës.

Kralani: Unë jam për me u kthyer, këtë e duan edhe fëmija, është vendi jonë

“Unë banoj në Jug të Mitrovicës, sepse shtëpia është e djegur. Në këtë pronë këtu e kemi pasur shtëpinë dhe nuk më është rindërtuar. Po unë jam për me u kthyer, këtë e duan edhe fëmija, është vendi im. Me kënaqësi kthehemi këtu. Për siguri, ka, i kam edhe kunetërit këtu nuk është që nuk ka siguri”, thotë Kralani.

Ndërsa, Sinan Behrami nënkryetar i lagjes së Kroi Vitakut, të cilit i është rindërtuar shtëpia më parë nga Qeveria, beson se të gjithë shqiptarët do të ktheheshin në pronat e tyre, po që se bëhet rindërtimi i shtëpive të tyre.

Behrami thotë në lagjen ku jeton ai janë edhe 70 shtëpi që nuk janë rindërtuar.  

 Behrami: Me rindërtimin e shtëpive banorët do të kthehen në pronat e tyre

“E kam pasur pronën e djegur prej serbëve, e kam shtëpinë e rindërtuar prej Qeverisë jetoj qe shtatë vjet në të… Kemi disa shtëpi që janë të rindërtuara dhe banorët nuk janë kthyer, afërsisht 10 shtëpi. Por më merr mendja se me ata që bisedojmë, secili banorë thotë se kemi me u kthyer, besojmë që kthehen, shumica po”, deklaron Behrami.

Ndërsa, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 19 korrik, me propozimin e Ministrisë së Financave është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për prokurimet e centralizuara që udhëhiqen nga Agjencia Qendrore e Prokurimit. Qëllimi i ndryshimeve është menaxhimi i kërkesave nga Agjencia Qendrore e Prokurimit për sigurimin e mallrave, shërbimeve ose punëve që kanë përdorim të përbashkët të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në veçanti, vendimi i miratuar do t’i mundësojë Agjencisë së Prokurimit Qendror që të zbatojë të gjitha procedurat në projektin e rindërtimit të shtëpive të djegura në Mitrovicën e Veriut.

Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza beson që projekti për rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës është i rëndësishëm dhe i veçantë edhe në aspektin humanitar, në aspektin social dhe ekonomik, por edhe në aspektin shtetëror, mbase sipas tij, njerëzit kanë të drejtë me jetuar në pronat e tyre.

Hamza për KosovaPress thotë se kostoja e projektit do të ndahet nëpër vite buxhetore dhe nuk do të jetë diçka e pa përballueshme për buxhetin e Kosovës. Për këtë vit, sipas tij, mjetet janë brenda Ministrisë së Financave dhe beson se edhe në proceset e ardhshme buxhetore do të ketë kujdes në këtë projekt.

Hamza po ashtu thotë se nuk do të jetë problem aspekti i financimit, edhe pse projekti është miliona euro.

Hamza: Nuk është problem aspekti i financimit

“Për këtë vit varësisht prej dinamikës së ekzekutimit të punimeve, por sa do që të jetë aq ka mundësi të financohet. Pra, nuk është problem aspekti i financimit, edhe pse po flasim për miliona euro ose shuma milionësh të cilat pritet që të kushton ky projekt për me u finalizuar në tërësi”, deklaron Hamza.

Ai po ashtu pret që në bazë të proceduarve të cilat do të aplikohen nga Agjencioni Qendror i Prokurimit, projekti për rindërtim të fillojë në tetor të këtij viti.

Hamza: Presim që projekti për rindërtim të nisë në tetor

“Ka evidenca, po flasim për komplet pjesën e veriut të Kosovës, duke përfshirë komunat Zubin Potok, Mitrovicë e veriut, Leposaviq dhe Zveçan, që janë diku mbi 300 shtëpi të cilat duhet të rindërtohen. Unë uroj që të realizohet projekti sivjet, por edhe nëse krejt sivjet ndodhë prapë ka mundësi të financohet. Por, për shkak të procedurave të lidhjes së kontratës dhe fillimi i ekzekutimeve është e pa mundur që projekti të përfundohet brenda vitit aktual fiskal. Një pjesë uroj që të kryet këtë vit dhe pjesa tjetër të vazhdohet në vitet vijuese…. Unë kisha dashur që fillimi i tetorit do të jetë koha e fundit kur fillon ekzekutimi i rindërtimit të shtëpive. Megjithatë, këtë pjesën ligjore, procedurale është çështje që e zhvillon AQP-ja , i cili është i pavarur në punën e vet”, thotë ai.

Ai në fund tha nuk është ky projekt në përpjekje të një komuniteti e në dëmtim të komunitetit tjetër, por çdo shtëpie e djegur gjatë luftës në pjesën veriore të Kosovës do të ketë financim.

Ndryshe, në pjesën veriore nga autoritetet e Serbisë është duke u realizuar projekti  ilegal “Lugina e Diellit”, që vlen vetëm për serbët në atë pjesë.

Image
Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat