Në Bajgorë të Mitrovicës u mbajt takimi tradicional me mërgimtarë

Mitrovica

Në Bajgorë të Mitrovicës u mbajt takimi tradicional me mërgimtarë

Më: 28 korrik 2019 Në ora: 19:37
Pamje nga vendi i ngjarjes

Organizuar nga komuna e Mitrovicës, komuna e Vushtrrisë dhe komuna e Podujevës, si dhe me mbështetje të Ministrisë së Diasporës, është mbajtur në Bajgorë takimi tradicional kushtuar bashkatdhetarëve ”Dita e Mërgimtarëve”.

Të pranishëm në këtë takim ishin kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nënkryetari i Vushtrrisë, Besim Muzaqi, nënkryetari i Podujevës, Nexhmi Rudari, zv.ministri i MMPH-së, Gjergj Beka, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, drejtorë të drejtorive komunale dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka falënderuar dhe shpreh respektin e tij më të thellë për mërgimtarët që kanë marrë rrugën për të ardhur në këtë vend të bukur të Shalës së Bajgorës, për të kaluar një ditë të këndshme, ku, siç tha ai, do të kenë edhe mundësi të mira për tu njohur më mirë me njëri-tjetrin dhe për të lidhur miqësi të tjera.

“Ju mergimtarë të nderuar jeni treguar gjithmonë të gatshëm ti ndihmoni këtij populli, këtij vendi të larë me gjak, dhe ne si instuticione komunale dhe ato qendrore u jemi shumë mirënjohëse, për arsye se i keni ndihmuar shumë Kosovës, gjë të cilën e keni dëshmuar edhe me rastin e luftës së fundit, me ç’rast qëndruam të gjithë të bashkuar për ti dalë zot atdheut, dhe së bashku kemi sjellë fitore e cila nuk guxon të preket nga askush sepse është e shenjtë. Kjo safrificë duhet të jetë arsye për të ecur përpara, ne do tu jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni në Kosovë“, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Në vazhdim kryetari Bahtiri tha se roli dhe kontributi i mërgimtarëve gjatë dekadave të tëra, deri në ditët e sotme, në mbështetje të atdheut, në forma nga më të ndryshmet, ishte i jashtëzakonshëm.

“Përkrahja juaj për çlirimin dhe zhvillimin e Kosovës dhe natyrisht edhe të komunave tuaja nga ju vini, ishte e shumëllojshme dhe e pakursyer deri në vetëmohim, prandaj edhe meritoni respektin më të thellë dhe vëmendjen e merituar të institucioneve tona të lira e demokratike”, tha ai ndër të tjera.

Nënkryetari i komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi, duke i përshëndetur të pranishmit ka thënë se kontributi i mërgatës kosovare është i jashtëzakonshëm, ndërsa ka shtuar se ardhja e bashkatdhetarëve nga shtetet e huaja në muajt e verës i japin shpirt Kosovës.

Ndërsa nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se mërgimtarët çdo gjë që bëjnë për Kosovën e bëjnë me shumë dashuri. ”Ne ju jemi shumë mirënjohës të gjithë bashkatdhetarëve tanë për përkrahje dhe dashurinë e madhe ndaj Kosovës. Të gjitha veprat e mëdha që i keni bërë për Kosovën, i kemi bërë me shumë dashuri”, tha ai.

Për të pranishmit u shfaq edhe një program i pasur artistik, me këngë e valle të ndryshme nga ansamblet e tri qyteteve.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat