Safet Kamberi: Trepçës duhet të ia kthejmë shkëlqimin dhe të bëhet sërish krah i fortë i zhvillimit të Mitrovicës e Kosovës

Mitrovica

Safet Kamberi: Trepçës duhet të ia kthejmë shkëlqimin dhe të bëhet sërish krah i fortë i zhvillimit të Mitrovicës e Kosovës

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 17:36
Safet Kamberi

Safet Kamberi, kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë dhe kandidat i listës së LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës që do të formohet pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, është njëri nga më shumë se 10 kandidatët për deputet nga Mitrovica që ka gjasa reale për të fituar numrin e mjaftueshëm të votave për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Kamberi mendon se numri i madh i kandidatëve të propozuar për deputet nga ana e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetme nacionale, tregon se partitë politike kësaj radhe kanë qenë më të vëmendshme sa i përket përfaqësimit të mitrovicasve në Kuvendin e Kosovës.

“Mendoj se në mesin e kandidatëve të propozuar nga partitë politike për deputet  në Kuvendin e Kosovës, ka të tillë që i plotësojnë në tërësi kriteret për të qenë deputet dhe besoj se nëse ata fitojnë numrin e mjaftueshme të votave, do të jenë aktiv dhe përfaqësues të denjë për të përfaqësuar Mitrovicën dhe qytetarët e saj, përkatësisht interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës, duke kontribuar në zgjidhjen e sfidave dhe problemeve të shumta me të cilat ballafaqohet Mitrovica”, tha ai.

Sipas Kamberit, Mitrovica deri tash me përjashtime të vogla, nuk është përfaqësuar aq sa duhet në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë që Komuna e Mitrovicës është komuna që përveç problemeve të shumta politike e të sigurisë, ka ngecur shumë në çdo fushë dhe ende ka probleme të nduarduarshme që nuk i kanë komunat tjera.

“Nëse bëhem deputet e Kuvendit të Kosovës, e besoj se do të bëhem, tërë aktivitetin dhe angazhimin tim si deputet, do ia kushtoj zgjidhjes së problemeve të shumta e të rënda të qytetit të Mitrovicës dhe qytetarëve të saj. Besoj se në këtë drejtim do ta kem edhe mbështetjen e plotë të deputetëve nga Komuna e Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake”, thotë Kamberi.

Në vazhdim, ai ka shtuar se që në fillim të mandatit të deputetit, nëse bëhet, prioritet do ta ketë angazhimin me përkushtim për zgjidhjen e problemeve të “Trepçës”, duke qenë se ajo ka qenë kontributdhënësi më i madh i zhvillimit, jo vetëm të Mitrovicës, por edhe të Kosovës.

“Është për të të ardhur keq që “Trepça” nuk e ka pas kujdesin e duhur të institucioneve të Republikës së Kosovës pas lufte. Madje po të mos ishte Qeveria e Isa Mustafës e cila me ligjin e aprovuar e shpëtoi Trepçën” nga ndarja dhe copëtimi, sot nuk do të mund të flisnim as për mundësinë e investimeve dhe zhvillimit e tejkalimit të problemeve të këtij gjiganti të Kosovës. Qeveria e ardhshme e Kosovës, duhet të investoj në “Trepçë”, në mënyrë që ajo të bëhet sërish kontributdhënësja kryesore e zhvillimit të Mitrovicës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të saj e më gjerë”, tha ndër të tjera Kamberi. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat