Kamionët dëmtojnë rrugën në Mitrovicë, banorët të rrezikuar nga puseta e hapur

Mitrovica

Kamionët dëmtojnë rrugën në Mitrovicë, banorët të rrezikuar nga puseta e hapur

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 06:40
Foto ilustrim

Ndërtimi i disa banesave afër rrugës “Shtypshkronja” në komunën e Mitrovicës, ka shkaktuar edhe hapjen e një pusete. Kjo gjë i ka shqetësuar banorët, ngase paraqet rrezik për shkak të tensionit të lartë që kanë telat e rrymës brenda saj. Nga Komuna thonë se kjo rrugë nuk është në kompetencën e tyre.

Pavarësisht rrezikut, Sedat Hasanit nga Mitrovica i duhet të kalojë çdo ditë në rrugën “Shtypshkronja”. Aty gjendet edhe një pusetë.

Ai thotë se puseta është hapur si pasojë e kalimit të kamionëve me peshë të rëndë për bartjen e materialit për ndërtimin e banesave.

“Ky problem është hapur më shumë se një muaj dhe paraqet rrezik të lartë. Fëmijët nuk janë në gjendje të kuptojnë rrezikun. Askush nuk jep llogari për këtë dëmtim, e ne kemi frikë se mundet të ndodh më e keqja”, shprehet për RTV Dukagjinin, Sedat Hasani.

E për rrezikun njëjtë është shprehur edhe Islam Smakaj, i cili brengën më të madhe i ka fëmijët.

“Ne jetojmë këtu. Fëmijët nuk guxojmë t’i lëmë vetëm. Duhet t’i marrim për dore e t’i dërgojmë në shkollë”, shprehet banori tjetër Islam Smakaj.

Ndërsa nga Komuna e Mitrovicës thonë se rregullimi i kësaj pusete është detyrë e vetë operatorit që e ka dëmtuar.

“Ajo është një rrugë që vet pronarët e kanë rregulluar dhe pasi që janë ende duke u punuar banesa, gjatë punimeve e kanë dëmtuar pusetën dhe duhet ta rregullojnë në afatin më të shkurtër. Përndryshe, ne si komunë do të kishim intervenuar shumë më herët pasi i dimë të gjitha problemet e qytetit. Nëse nuk rregullohet këto ditë nga operatorët, ne do ta shikojmë mundësinë e intervenimit”, deklaroi Naser Muja.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat