Ish-deputeti i Parlamentit të Kosovës, njëherësh nënkryetar i Listës serbe, Igor Simiq, deklaroi para gazetarëve se vetëm fitorja e Listës serbe me dhjetë nga dhjetë mandatet në Kuvend, është garanci e vetme për qëndrimin e popullit serb në hapësirat e Kosovës.
Sipas tij, zgjedhjet në veri janë duke shkuar mirë dhe pa probleme.
Ai ka apeluar tek ndërkombëtarët që mos të lejojnë çfarëdo manipulimesh të cilat do të mundësonin që ata të cilët nuk e përkrahin popullin serb, të vendosin për popullin serb.
Simiq: Fitorja e Listës Serbe, garanci për qëndrimin e serbëve në Kosovë
“Gjithçka është duke shkuar në mënyrën më të mirë, që nënkupton se nuk ka pasur asnjë parregullsi, vonesë, ndërsa në anën tjetër po shfrytëzohen dokumentet që janë përshkruar dhe definuar gjatë ditëve të kaluara… Ftojmë të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, Misionin vëzhgues të Unionit Evropian, por edhe OSBE-në, që mos të lejojë çfarëdo manipulimesh të cilat do të mundësonin që ata të cilët nuk e përkrahin popullin serb, të vendosin për popullin serb. Absolutisht besojmë në unitetin e popullit serb dhe fitoren e Listës serbe, dhe një fitore që do të thotë 10 nga 10 mandatet, sepse vetëm kjo është garancia e vetme për qëndrimin e popullit serb në hapësirat e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Simiq.