Një bisedë “për gjithçka” me kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtiri

Mitrovica

Një bisedë “për gjithçka” me kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtiri

Më: 8 janar 2020 Në ora: 16:07
Agim Bahtiri

Peshk në horoskop, i pëlqejnë barsoletat shumë, adhurues i të gjitha zhanreve të muzikës, me theks asaj folklorike me tematikë kombëtare dhe i zërit të arritur deri në perfeksion. Di të luajë instrumenteve muzikore dhe këndon vetë. Është këmbëngulës dhe i durueshëm deri në arritjen e qëllimeve, ndërsa në kohët e kaluara ka qenë më shumë nervoz sesa tash.

Nuk ka mbetur pa para kurrë në jetë. Nuk dinë saktë sa peshon pasuria e tij, por thotë më shumë se 100 milionë. Vozit Range Rover, ka edhe Audi. Bart rroba firmato që të tundojnë dhe nuk dinë sa ka, sepse vajza kujdeset më shumë në përzgjedhjen e tyre. Përdorë shumë lloje të parfumeve. Tokio është qyteti që i pëlqen më shumë. Thotë se nënën e ka pikë të dobët dhe asaj do t’ia dedikojë një dhuratë të veçantë për festë. Nuk di të përgatisë gjellë  ose ndonjë ëmbëlsirë. Nuk pi alkool, as duhan, ndërkaq Vitin e Ri do ta presë me qytetarët në sheshin e qytetit të Mitrovicës.

Ky është përafërsisht “backgroundi” më i shkurtër i Agim Bahtirit, kryetarit të Mitrovicës.

Gjatë një interviste Bahtiri të lë përshtypjen e atij prindi që do e dëshironte çdo fëmijë, apo bashkëshortit që do e donte çdo grua, e mbi të gjitha mikut që do të donin të gjithë ta kishin pranë.

Është i thjeshtë. Kjo e bën popullor dhe nga ana tjetër të imponon respekt.

Bahtiri ka bërë të ditur se pritjet e qytetarëve gjatë këtyre gjashtë viteve të udhëheqjes me Komunën e Mitrovicës, ka arritur t’i përmbushë 95 përqind.

Sipas tij, Mitrovica nga një qytet me shumë sfida e probleme në kohën e ardhjes së tij në pushtet, tani është shndërruar në qytetin më të qetë në vend.

Ai potencoi se mandatin e dytë e ka fituar pa premtime, ngase qytetarët kanë vlerësuar punën e tij qysh gjatë mandatit të parë.

Bahtiri: Më kanë votuar 17 mijë qytetarë, pa premtime

“Mendoj se pritjet e punës time nuk kanë qenë  100 përqind, por diku 95 përqind…Sfida më e madhe e imja ka qenë në vitin 2013 që ta normalizoj situatën. Ju e dini që qyteti i Mitrovicës ka qenë, është dhe mbetet qytet specifik, i cili nuk është trajtuar vetëm në Mitrovicë e Prishtinë, por edhe në Bruksel dhe Uashington…E kam gjetur një Mitrovicë me kontrabandë dhe korrupsion, me gjendje të rëndë ekonomike, me 15 mijë banorë të shpërngulur nga pjesa e veriut, me probleme dhe telashe të shumta, dhe tani situata është ndër qytetet më të qeta në Kosovë… Më 2013, kam qenë i panjohur për qytetarët e Mitrovicës, sepse kam qenë 25 vite jashtë vendit. Kam marrë rreth 12 mijë e ca vota, kurse më 2017 nuk kam premtuar asgjë, sepse s’kam pasur nevojë, ngase qytetarët më kanë kuptuar që jam një njeri punëtor, i afërt me qytetarë… dhe më kanë votuar 17 mijë qytetarë, pa premtime”, ka t hënë Bahtiri

Ai sqaroi se në fillim, me ardhjen e tij në postin e kryetarit, nuk ka qenë në dijeni se ligjet mund ta kufizojnë, gjë që e ka penguar në përmbushjen e premtimeve për punësim.

Bahtiri thotë se nga pushteti i postit të kryetarit ka krijuar shumë miq, ndërsa mohon të ketë armiq, sepse siç u shpreh ai, nuk ka ardhur për të përfituar dhe ta dëmtojë askënd, por të ndihmojë me shpirt dhe zemër.

Sa i përket projekteve kapitale, ai tha se ka arritur të realizojë rreth 100 projekte deri tash, vlera e të cilave kap shumën mbi 250 milionë euro.

Bahtiri: U realizuan afër 100 projekte kapitale

“Vitin e parë kam menduar më ndryshe, sepse në atë kohë kam menduar se i kam duart e lira për të vepruar, dhe nuk e kam ditur se ligjet të kufizojnë… janë afër 100 projekte kapitale që janë realizuar në këto gjashtë vitet e udhëheqjes time, janë projekte me rëndësi, siç është liqeni akumulues i cili ka kushtuar 4 milionë e 800 mijë euro, fabrika e mbeturinave që ka përfunduar tani me kosto 3.5 milionë euro, lumi Sitnica që do të bëhet komplet me infrastrukturë…Mendoj se të gjitha këto projekte të cilat kanë ndodhur dhe do të ndodhin për të cilat i kemi nënshkruar memorandumet që do të përfundojnë deri në vitin 2021, shuma e tyre është diku mbi 250 milionë euro”, tha ai.

Ndërsa pranon se për shqiptarët e veriut ka arritur të bëjë shumë në aspektin e sigurisë dhe të lëvizjes së lirë, por jo edhe në aspektin material.

Ai thotë se Qeveria asnjë cent nuk ka dhënë për të shpërngulurit nga veriu në jug dhe se këta njerëz kanë mbetur jashtëzakonisht keq.

Ai çështjen e Trepçës e ka quajtur emergjente e cila duhet zgjidhur sa më parë. Duke folur për fëmijërinë e tij, pastaj marrëdhënien me familje, thotë se ka pasur fëmijëri shumë të lumtur, duke falënderuar babin që ishte i pasur. Fal raporteve të shkëlqyeshme në familje dhe në konsultim me babin, gjithmonë ka marrë vendime edhe për çështjet familjare, edhe pse në moshë ka qenë më i ri sesa vëllezërit tjerë.

Ai ka potencuar se është i pa korruptuar, duke thënë se s’ka para në botë që mund ta korruptojë.

Bahtiri: S’ka para në botë që më korrupton

“Tek unë kjo nuk vlen, sepse s’ka para në botë që mua më korrupton dhe as njeri në botë që më frikëson. Unë kam dinjitetin tim personal dhe familjar. Nuk kam ardhur për t’u pasuruar por për të shërbyer. Prej ardhjes time dhe deri sot, unë nuk kam marr asnjë cent nga kjo komunë. As mëditje, as pagë, andaj për këtë pyetje nuk mund të jap ndonjë sqarim sepse s’e kam provuar asnjëherë”, sqaroi Bahtiri.

Ai u shpreh i bindur se qeveria do të formohet dhe nuk do të shkohet në zgjedhje, ndërsa si arritjen më të madhe të tij, konsideron faktin se ka arritur që Mitrovicën ta shndërrojë nga një qytet me shumë probleme e tensione, në vendin më të qetë në Kosovë.

Nuk ka ambicie për kryeministër, sepse thotë se duhet t’i kthehet familjes, por nuk precizon nëse do të kandidojë edhe për një mandate të kryetarit. Nga të gjithë politikanët shqiptarë, vlerëson Albin Kurtin, duke e krahasuar me Hasan Prishtinën.

Bahtiri: Albin Kurti e ka zënë vendin e Hasan Prishtinës

“Unë nuk jam dorëzuar ende, dhe as që kam ndërmend të dorëzohem. Qeveria jam duke shpresuar shumë se do të ndodhë, por duhet edhe një shtyrje, për ta realizuar këtë. Shtyrje nga njerëz të devotshëm nga të dyja partitë, për të bërë ndonjë lëvizje edhe pak më shumë për koalicion…Mitrovica është sikur nata me ditën në raport se si ka qenë dhe si është sot. Mitrovica sot është qyteti më i qetë në krejt Kosovën, kjo është arritja ime më e madhe…Jo, nuk kam menduar ndonjëherë për kryeministër, për arsye se gjithë familjen e kam jashtë vendit dhe mendoj një ditë të kthehem tek familja…Mendoj se koha e bën të vetën, do ta lë edhe Mitrovicën, ashtu siç kam pasur dëshirë, dhe nuk kam absolutisht ambicie për asgjë tjetër...Do të shohim si po shkojnë projektet. Nuk dëshiroj që një punë e mirë e cila është nisur të mbetet në gjysmë. Të shohim projektet madhore, si dhe sa po ecin, a do tà « arrimë t’i përfundojmë gjatë mandatit të tanishëm. Dhe ka kohë deri atëherë, të mendoj nëse jam i nevojshëm t’u prijë këtyre proceseve…Nëse është dikush që e zë vendin e Hasan Prishtinës, ai është Albin Kurti”, u shpreh Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës tha se kohë të lirë ka shumë pak, megjithatë rastet e tilla i shfrytëzon për të ndenjur me miq, por edhe për aktivitete sportive. Ai thotë se nuk e di saktë sa është i pasur, por përmend shifrën afërsisht mbi 100 milionë euro.

Bahtiri: Pasuria më shumë se 100 milionë

“Kohë të lirë kam shumë pak… por megjithatë kur kam kohë të lirë kam dëshirë të rri me miq, me shokë dhe të bëj sport. Këtë nuk e di, mund ta them një shifër që mund të mos jetë e saktë, sepse kompanitë që kam në Holandë, por edhe kompanitë tjera nëpër të cilat kam aksione, duhet të llogaritet secila prej tyre në mënyrë që të arrihet deri tek një përfundim se sa është kapitali. Nuk e di, janë disa miliona, por nuk e di sa.. më shumë se 100 milionë”, tha ai.

Pranon se i mungon koha për t’ia kushtuar nënës, të cilën e quan simbol të jetës së tij, tek sa në vitin 2020, Mitrovicën e sheh me plot investime të reja.

Bahtiri: Nënën e kam simbol në jetë

"Më mungon të jem me nënën më shumë. E kam simbol të jetës. Nëna për mua është gjithçka dhe s’ka gjë në botë që se bëj për të. Më mungon koha për të ndenjur me nënën… Mitrovicën në vitin 2020, e shoh me plotë investime, me plot përpjekje të pashtershme për Mitrovicën. Mitrovica do të merr pamje ndryshe, sidomos kjo pjesa prej urës dhe deri tek liqeni", tha ai.

Duke uruar qytetarët për festat e fundvitit, Bahtiri iu dëshiron atyre shëndet, paqe dhe lumturi në familjet e tyre.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat