Zhbllokohet rruga Mitrovicë-Stantërg, protesta vazhdon para minierës - Bota Sot
Zhbllokohet rruga Mitrovicë-Stantërg, protesta vazhdon para minierës

Mitrovica

Zhbllokohet rruga Mitrovicë-Stantërg, protesta vazhdon para minierës

Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 10:43
Protesta

Në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në ndërmarrjen Trepça, dhjetëra protestues, në ditën e katërt të protestës së tyre, kanë bllokuar sot në mëngjes rreth 40 minuta rrugën Mitrovicë-Stantërg.

Ata rreth orës 6:30, tek Tuneli i Parë, fillimisht kanë lënë disa automjete në rrugë, pastaj i kanë larguar ato dhe kanë vazhduar të qëndrojnë në rrugë, duke paralizuar kështu lëvizjen e plotë nga Mitrovica në drejtim të Stantërgut dhe anasjelltas

Njëkohësisht, në këtë mënyrë është pamundësuar edhe shkuarja në punë e shumë minatorëve nga Mitrovica në minierën e Stantërgut dhe në flotacion, ndërsa protestuesit më vonë kanë liruar qarkullimin e automjeteve të vogla, por jo edhe të autobusëve me punëtorë.

Herë herë ka pasur tensione në rastet kur protestuesit identifikonin pumëtorët të cilët ishin duke udhëtuar me automjetet e tyre, të cilat i kthenin mbrapsht.

Arsim Musa, nga këshilli protestues, ka bërë të ditur për KosovaPress, se qëllimi i bllokimit të rrugës ka qenë mos lejimi i shkuarjes në punë të atyre punëtorëve të cilët nuk i kanë mbështetur këto protesta.

Sipas tij, përkundër thirrjes së protestuesve për takim me kryeministrin ose ministrin e Zhvillimit Ekonomik, ata akoma nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Ne kemi dalë këtu për bllokimin e rrugës komplet…Kemi kërkuar nga minatorët që të na përkrahin, na kanë përkrahur pjesërisht, prandaj kemi dashur me i ndalë njerëzit dhe në mënyrë të organizuar mos me i lënë me shku në punë…Kemi kërkuar përgjigje nga kryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, ka thënë Musa, duke mos precizuar kohën sa do të zgjasë protesta e sotme.

Ndërkaq, Ahmet Xhosha, komand anti i stacionit policor në Mitrovicë, tha se është arritur që me mirëkuptim dhe në mënyrë profesionale të komunikohet me protestuesit për t’i bindur ata që ta zhbllokojnë rrugën.

“Ne kemi tentuar që të komunikojmë gjatë tërë kohës me protestuesit dhe me mirëkuptim, në mënyrë sa më profesionale, që ata e kanë edhe obligim ligjor për ta liruar rrugën, kështu që në fund kemi arritu pa përdorimin e forcës të lirojmë rrugën. Gjatë protestës nuk kemi pasur ndonjë incident në raport me qytetarët as me protestuesit. Nuk kemi të arrestuar as të lënduar për momentin dhe rruga është liruar në tërësi dhe po funksionon normalisht”, theksoi Xhosha.

Pas zhbllokimit të rrugës, protestuesit po vazhdojnë protestën e tyre para hyrjes së minierës në Stantërg.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat