Vazhdojnë protestat kundër punësimeve në “Trepçë”, pavarësisht anulimit të pjesshëm të konkursit

Mitrovica

Vazhdojnë protestat kundër punësimeve në “Trepçë”, pavarësisht anulimit të pjesshëm të konkursit

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 12:10
“Trepçë”

Dhjetëra qytetarë kanë vazhduar të protestojnë edhe sot para hyrjes së objektit të menaxhmentit të “Trepçës” në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje, edhe pse tashmë është anuluar pjesërisht konkursi.

Protestuesit duke përmendur fakte të reja për parregullsitë gjatë procesit të fundit të pranimit të punëtorëve të rinj, kërkuan anulimin e plotë dhe jo të pjesshëm të këtij konkursi.

Arsim Musa, nga këshilli organizativ protestues, ka bërë të ditur se konkursi nuk mjafton të korrigjohet vetëm pjesërisht, duke thënë se ai duhet të anulohet krejtësisht, si dhe të shkarkohet bordi i ndërmarrjes si dhe menaxhmenti.

Sipas tij, kandidatët e pranuar në këtë konkurs kanë qenë raste tipike familjare dhe politike. Ai ka përmendur emra të zyrtarëve të lartë, për të cilët tha se kanë punësuar familjarët e tyre.

Ai paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë edhe ditët në vijim, deri në plotësimin e plotë të kërkesave të tyre.

Protesta që zgjati një orë u zhvillua e qetë, ndërsa një numër shumë i vogël i pjesëtarëve të policisë në krahasim me protestat e kaluara, kanë vëzhguar situatën nga afër.

Ndryshe, menaxhmenti i “Trepçës” kishte anuluar dy ditë më parë pjesërisht konkursin, përkatësisht 38 pozita nga gjithsej 220 sa kanë qenë në këtë konkurs, pas protestave të vazhdueshme të të pakënaqurve të cilët nuk u pranuan në këtë ndërmarrje për shkak të parregullsive.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat