Përveç kacafytjes fizike, pati edhe përleshje me makineri te Ura e Ibrit, Policia e ndarë në dysh

Mitrovica

Përveç kacafytjes fizike, pati edhe përleshje me makineri te Ura e Ibrit, Policia e ndarë në dysh

Më: 17 mars 2020 Në ora: 13:45
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Dy grupe qytetarësh nga jugu dhe veriu i Mitrovicës janë përleshur verbalisht  në lidhje me ndërtimin e një ure improvizuese mbi lumin Ibër, e cila ndodhet afër urës kryesore, ndërsa reagimi i shpejtë i policisë nga të dyja anët e qytetit ka bërë që situata të mos eskalojë.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth mesditës, derisa kompania “Lirigzoni” ishte duke kryer punimet në vazhdimin e projektit të liqenit akumulues, përkatësisht rregullimin e sipërfaqeve buzë Ibrit, nga të dyja pjesët e saj.

Askush nuk ka dashur të flas për media, edhe pse gjatë kohës së incidentit kanë qenë prezentë zyrtarë komunalë nga jugu dhe veriu, duke përfshirë edhe kryetarin e Mitrovicës AgimBahtiri.

As zëdhënësi i policisë për rajonin e jugut të Mitrovicës, AvniZahiti, nuk ka konfirmuar ngjarjen, për shkak se siç u shpreh ai, akoma nuk ka marr ndonjë raport zyrtar rreth kësaj ngjarje.

Njëri prej personave që ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës sot aty, ka folur në kushte anonimiteti, duke sqaruar tërë rrjedhën e ngjarjes së sotme.

“Punëtorët e kompanisë që është duke I kryer punimet në këtë pjesë, kanë ndërtuar një urë improvizuese mbi Ibër qysh javën e kaluar, për shkak të qarkullimit më të lehtë të kamionëve mbi ujë. Të premten kanë ardhur inspektorët e veriut dhe kanë vënë shiritat për të ndërprerë ndërtimin e kësaj ure. Punëtorët kanë vazhduar punën e tyre përkundër kësaj, dhe sot kanë ardhur sërish inspektorët e veriut, të shoqëruar me policinë e asaj pjese, si dhe një bager, i cili e ka prish një pjesë të urës. Me këtë rast ka ardhur tek përplasja më shumë verbale mes punëtorëve dhe qytetarëve të jugut, me inspektorët dhe të tjerët që ishin prezentë aty nga pjesa veriore. Falë reagimit të policisë nuk është shënuar ndonjë incident më i madh”, ka thënë ky burim.

Në anën tjetër, ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryetarit të veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, pas kësaj ngjarje.

Ai në një komunikatë të cilën e posedon redaksia e kp, ka shkruar se një grup huliganësh nga Mitrovica e Jugut kanë sulmuar sot oficerët me kombësi serbe nga stacioni policor i Mitrovicës së Veriut, që sipas tyre ishin duke ofruar ndihmë për autoritetet komunale në përputhje me ligjin dhe në lidhje me vendimin e inspektimit komunal për heqjen e objektit që e quajnë të improvizuar e të paligjshëm.

Ky projekt sipas kësaj komunikate, realizon qëllimin e Agim Bahtirit për siç thonë ata, një lloj okupimi të Mitrovicës së Veriut.

‘Në emër të komunës së Mitrovicës së Veriut, e dënoj me forcë ndërtimin e kësaj argjinature të paligjshme që, sipas informacioneve tona është kryer nga komuna e Mitrovicës së Jugut, kundër ligjit dhe pa asnjë leje. Gjithashtu, unë dënoj sulmin brutal ndaj oficerëve të policisë serbe nga huliganët, të cilët duhet të arrestohen dhe ndiqen urgjentisht. Dhuna ndaj policëve që kujdesen për paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve është absolutisht e papranueshme”, thuhet mes tjerash në këtë komunikatë.

Ai  ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës që të ndalojnë Komunën e Mitrovicës së Jugut në punimet e paligjshme, dhe të mos rrisin tensionet.

***

Situata sot është tensionuar te Ura e Ibrit në Mitrovicë, kjo pasi që serbët me eskavator kanë tentuar ta prishin shtratin e Ibrit, çka kanë reaguar Policia e Kosovës dhe Komuna e Mitrovicës.

Por situata afër Ibrit ishte para eskalimit në dhunë, madje para syve të Policisë.

Sipas informacioneve jozyrtare, Policia e Veriut ka mbrojtur prishjen e shtratit të lumit, ndërsa Policia e Jugut ka përkrahur institucionet e jugut për ndalimin e prishjes së shtratit të Ibrit.

Ndërkohë, dëgjohen edhe britma teksa përplasen makineritë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat