COVID-19 mbyll shumë biznese në Mitrovicë

Mitrovica

COVID-19 mbyll shumë biznese në Mitrovicë

Më: 30 mars 2020 Në ora: 18:01
Ilustrim

Shumë biznese në qytetin e Mitrovicës janë mbyllur, ndërsa ndërmarrjet kanë pësuar rënien më të madhe pothuajse që nga paslufta, si pasojë e pandemisë COVID-19, derisa vazhdon luhatja nga dita në ditë edhe e atyre pak bizneseve të vogla që janë duke funksionuar me numër simbolik të punëtorëve.

Kompanitë dhe bizneset që kanë ndërprerë punën kanë pushuar punëtorët, ndërsa është shtuar frika për një recesion ekonomik global.

Basri Ibrahimi, menaxher i Trepçës, ka bërë të ditur se koronavirusi ka ndikuar edhe në punën e kësaj ndërmarrje. Sipas tij, tregu botëror i metaleve ka ra dhe operatorët ekonomikë marrin vetëm sasi të cilat janë të domosdoshme, derisa sasinë tjetër nuk po kanë ku ta plasojnë.

Ai tha se do të ishte mirë që qeveria ta ndihmojë Trepçën, në mënyrë që të ruhet mbarëvajtja e punëve në këtë ndërmarrje.

“Natyrisht që koronavirusi ka ndikuar edhe në Trepçë, sepse një pjesë jo esenciale të punëtorëve i kemi lëshuar në shtëpi, ata që kanë dy anëtarë të familjes dhe janë brenda Trepçës, edhe ata duhet të jenë në shtëpi, që njëri prej tyre të kujdeset për fëmijët…Koronavirusi ka ndikuar shumë në çmime, dhe kjo tash po na nxjerr telashe tjera, sepse çmimet e metaleve në tregun botëror kanë ra bukur shumë, dhe kjo pastaj po na shkakton telashe neve në inkasimin e mjeteve që na nevojiten…Koronavirusi ka ndikuar që operatorët ekonomikë që e marrin koncentratin nga ne, mos të kenë mundësi të marrin sasi tjera të koncentrateve për shkak se tregu botëror i metaleve ka ra dhe operatorët ekonomikë marrin vetëm sasi, të cilat janë të domosdoshme dhe ato që janë të parapara me kontratë, sepse janë të detyruar për me i marr, ndërsa sasia tjetër që neve po na mbetet, ne nuk po kemi ku ta plasojmë sepse ka ndikuar koronavirusi”, tha Ibrahimi.

Ai thotë se punëtorët e Trepçës po i zbatojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa kërkon ndihmë nga institucionet e vendit për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje si pasojë e koronavirusit që ka prekur pothuajse të gjithë botën.

“Ne kemi nevojë që së paku kjo pjesë e cila është dëmtuar, edhe çmimet që kanë ra, por edhe pjesën tjetër për sasinë që nuk arrimë ta shesim që të na kompensojë dhe të na ndihmojë qeveria në mënyrë që të ecim më tutje për mbarëvajtjen e punëve në Trepçë. Aq më shumë kur këta punëtorë nuk janë ndalur për asnjë minutë…Deri tani punëtorët janë të kompensuar për çdo muaj, presim edhe këtë muaj që të merren pagat, natyrisht tash kemi edhe subvencionet nga qeveria, dhe pres shpejt që këto ditë të nënshkruajmë marrëveshjen me qeverinë për subvencionet të cilat i kemi me buxhet të planifikuara”, ka thënë Ibrahimi.

Lulzim Imeri, menaxher i prodhimit në shtypshkronjën ‘VIP’ print në Mitrovicë, ka konfirmuar po ashtu krizën që ka shkaktuar koronavirusi në kompaninë e tij. Ai sqaroi se si rrjedhojë e gjendjes së krijuar, menaxhmenti i kësaj kompanie është detyruar t’i pushojë nga puna mbi 70 punëtorë.

Imeri tha se çdo ndihmë nga qeveria në këtë situatë do të ishte e mirëseardhur.

“Si pandemi mbarë botën që e ka prek, edhe te ne ka ndikuar shumë. Duke pasur parasysh faktin se i kemi të punësuar mbi 70 punëtorë, faktikisht jemi mundu disi që deri më datën 15 mars të punojë edhe me tre ndërrime… Nuk i kemi ato kërkesa të cilat kanë qenë edhe më herët, për këtë arsye jemi detyruar që edhe stafin komplet të dërgojmë në pushim të padëshirueshëm…Ne do të mundohemi vetë si menaxhment disi të mbledhim të hyra materiale, por duke pasur parasysh faktin se të hyra tjera nuk kemi dhe bazohemi vetëm në atë që ne prodhojmë, atëherë çdo ndihmë nga qeveria është e mirëseardhur për ne”, tha Imeri.

Ndryshe, edhe disa pronarë tjerë të bizneseve, të cilët nuk deshën të flasin para kamerës, kanë pohuar se situata aktuale e krijuar me virusin ka imponuar mbylljen e bizneseve të tyre dhe pushimin e punëtorëve nga puna.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat