​Mitrovicasit po zbatojnë në maksimum masat kundër Covid-19, dikush të Kosovës e dikush të Serbisë

Mitrovica

​Mitrovicasit po zbatojnë në maksimum masat kundër Covid-19, dikush të Kosovës e dikush të Serbisë

Më: 19 prill 2020 Në ora: 13:18
Mitrovicë

Qytetarët e të dyja pjesëve të Mitrovicës thonë se janë duke i zbatuar masat e qeverisë për kufizimin e lëvizjes, ndonëse veriorët meritat për respektimin e këtyre masave ia atribuojnë Qeverisë së Serbisë.

Bashkim Muja, qytetar nga Mitrovica, ka bërë të ditur se masat e qeverisë respektohen shumë mirë në Mitrovicë.

Sipas tij, është ngritur vetëdija te qytetarët dhe këtë e dëshmojnë më së miri rezultatet, në bazë të të cilave në këtë qytet akoma nuk është shënuar asnjë rast me COVID-19.

Muja: Rezultatet po tregojnë sepse akoma nuk kemi virus në Mitrovicë

“Për kohën 90 minutëshe sa kemi mundësi me dalë, masat respektohen shumë mirë në Mitrovicë. Banoj afër rrugës, dalë në oborr sa me humb kohë, nuk shoh vetura që lëvizin pavarësisht kohës natën apo ditën, dhe sigurisht rezultatet po tregojnë, sepse ne akoma nu k kemi virus në Mitrovicë.. Gjobat kanë ardhur më vonë, mua ma merr mendja se popullata është vetëdijesuar”, ka thënë Muja.

Ai ka lavdëruar punën e qeverisë në detyrë sa i përket pandemisë, duke thënë se ajo ka ndërmarrë një sërë masash të duhura për parandalimin e përhapjes së virusit.

Seniha Haxhimehmeti, një qytetare tjetër, thotë se mitrovicasit janë duke iu përmbajtur maksimalisht masave qeveritare.

Haxhimehmeti: Qytetarët në maksimum po i përmbahen masave

“Po besoj që në Mitrovicë qytetarët në maksimum janë duke iu përmbajtur masave për mbrojtjen nga koronavirusi”, tha ajo.

Edhe Gazmend Boletini, nga Mitrovica, theksoi se qytetarët po dëshmojnë kulturë dhe janë duke dhënë maksimumin në respektimin e masave të qeverisë.

Ai potencoi se pikërisht falë respektimit të këtyre rekomandimeve nga ana e qeverisë, në Mitrovicë nuk ka të infektuar.

Boletini: Qytetaret kanë dhënë maksimumin, duke treguar kulturë

“Qytetarët e Mitrovicës kanë dhënë maksimumin, duke treguar kulturën e tyre në lidhje me pandeminë. Kështu që falë respektimit ndaj masave dhe rregullave të shtetit tonë për COVID-19, asnjë rast deri tani nuk është lajmëruar në qytetin tonë”, sqaroi Boletini.

Ndërkaq, Ratka Trajiq, pensioniste nga veriu i Mitrovicës, tha se masat e ndërmarra nga kryetari i Serbisë janë me vend, dhe se ato po respektohen nga qytetarët.

Ajo shtoi se jeton vetë dhe e ka shumë të vështirë, por gati dy muaj nuk ka dalë fare nga banesa.

Trajiq: Vuçiq ka ndërmarr masa të shkëlqyeshme

“Shkëlqyeshëm ka marrë masa, sepse sikur të mos kishte ndërmarr masa të tilla, nuk do të mund të jetohej, të gjithë do të vdisnin. Unë nuk kam dalë gati dy muaj deri sot, dhe nuk po mundem më të jetoj vetëm midis katër mureve…Kryetari mirë ka bërë, shkëlqyeshëm, kryetari ynë në Beograd, dihet cili, Vuçiq”, tha për KosovaPress Trajiq.

Edhe një qytetar tjetër nga veriu, i cili nuk deshi të flas para kamerës, u shpreh se qytetarët në atë pjesë po i përmbahen në maksimum rekomandimeve të qeverisë, por asaj të Serbisë.

Në anën tjetër, zëdhënësit e policisë të të dyja rajoneve të Mitrovicës, Avni Zahiti dhe Branisllav Radoviq, kanë konfirmuar përmes telefonit për KosovaPress, se policia është duke zbatuar në përpikëri masat e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes.

“Jemi duke zbatuar në përpikëri masat qeveritare për kufizimin e lëvizjes. Policia po ashtu është mobilizuar mirë si në logjistikë, staf dhe fusha tjera, ndërsa janë vendosur shirita në të gjitha hapësirat e gjelbëruara dhe vendet ku ka frekuentim të qytetarëve, me qëllim preventiv”, ka thënë Zahiti.

Ai shtoi se pesë pjesëtarë të policisë, dy nga komuna e Skend erajt, dy nga Vushtrria dhe një nga Mitrovica, ndodhen në vetizolim, përkundër që analizat e tyre kanë rezultuar negative.

Izolimin e disa policëve në veri e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në atë pjesë, Radoviq.

“Masat e qeverisë së Kosovës po zbatohen jashtëzakonisht mirë, si në kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, ashtu edhe sa i përket bartjes së masave mbrojtëse. Kemi pesë pjesëtarë të policisë të cilët ndodhen në karantinë, në konviktin e studentëve në veri të Mitrovicës. Dy prej tyre janë nga stacioni policor Zubin Potok, dhe nga një nga stacionet policore Leposaviq, Zveqan e Mitrovicë Veriore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore është stabile”, u shpreh Radoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat