Në Mitrovicë mirëpritet lehtësimi i masave, vlerësohen si të domosdoshme edhe për ekonominë

Mitrovica

Në Mitrovicë mirëpritet lehtësimi i masave, vlerësohen si të domosdoshme edhe për ekonominë

Më: 5 maj 2020 Në ora: 11:54
Foto

Qytetarët e Mitrovicës kanë mirëpritur zbutjen e masave nga ana e qeverisë, pas kufizimeve strikte të ndërmarra javë më parë në lidhje me pandeminë.

Ata thonë se lehtësimi i masave kanë ardhur në momentin e duhur sepse shërbejnë për shumë sfera të jetës, ndërsa njohësit e ekonomisë vlerësojnë se këto janë të mirëseardhura edhe për këtë fushë.

Hysni Syla, qytetar nga Mitrovica, ka bërë të ditur se masat e reja të qeverisë kanë qenë të nevojshme dhe janë marrë në momentin e duhur.

Sipas tij, këto masa përveç se do të shërbejnë për lëvizjen e qytetarëve, do të shërbejnë me theks të veçantë për këndelljen e ekonomisë.

Ai shtoi se përkundër faktit që rreziku i madh nga pandemia pothuajse ka kaluar, qytetarët duhet të jenë ende vigjilentë, të kenë kujdes dhe t’i respektojnë të gjitha masat e IKSHP-së.

Syla: Janë masa të nevojshme dhe në momentin e duhur

“Janë masa të nevojshme që kanë ardhur në momentin e duhur. Njerëzit kanë nevojë për të dalë pak nga izolimi disa javor apo mujor. Ka nevojë edhe ekonomia të këndellet. Besoj se qytetarët duhet të jenë ende vigjilentë, të kenë kujdes, t’i respektojnë të gjitha masat e IKSHP-së”, ka thënë Syla.

Edhe Nexhmedin Shyti, një qytetar tjetër nga Mitrovica, potencoi se zbutja e masave të reja ndaj koronavirusit do t’i shërbejë të gjitha sferave të jetës, sidomos ekonomisë.

Shyti: Është mirë për ekonominë dhe të gjitha sferat e jetës

“Masat janë në nivel, fillon të hapet një dritare dalëngadalë, dhe kjo është në të mirë të shoqërisë dhe shtetit në përgjithësi… Besoj se me një kujdes të veçantë edhe kjo do të përfundojë në mënyrën më të mirë…Kjo është mirë për ekonominë, për të gjitha sferat e jetës, është në të mirë të popullit, shtetit dhe në përgjithësi sa i përket jetës”, theksoi Shyti.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Shukri Gashi, duke thënë se masat e reja të qeverisë janë marrë pikërisht në kohën e duhur, potencoi se ato do të jenë në të mirë të ekonomisë në radhë të parë, si dhe të vendit në përgjithësi.

Ai tha se një pjesë e humbjeve do të kompensohen nga qeveria e Kosovës dhe BE-ja, përmes granteve ose kredive me kushte të volitshme, dhe siç u shpreh ai, ky kompensim do të jetë i kënaqshëm për bizneset.

Gashi: Masat e reja janë për të mirën e ekonomisë dhe vetë Kosovës

“Sipas mendimit tim është koha e duhur për masat të cilat kanë filluar të ndërmerren, është për të mirën e ekonomisë, Mitrovicës dhe vetë Kosovës… Për humbjet nuk kemi bërë ndonjë analizë në nivelin lokal, besoj se qeveria do të bëjë një lloj analize në të ardhmen ku do t’i përcaktoj humbjet, edhe pse një pjesë e humbjeve do të kompensohen nga qeveria, po ashtu edhe ndihmat nga BE-ja dhe shtetet e tjera do të mund të përdoren si lloj asistence për këto biznese dhe besoj se pas kalimit të kësaj situate, ndoshta jo 100 për qind, por një pjesë e madhe e këtyre humbjeve do të mbulohen nga masa e qeverisë e pakos fiskale, si dhe ndihmat tjera që do të vinë nga BE-ja dhe grantet apo kreditë me kushte të volitshme nga shtetet tjera… Nuk besoj se bizneset kanë me vërejte humbjen e madhe të qarkullimit dhe fitimit të tyre, do të ketë humbje si në krejt botën, megjithatë kompensimi do të bëhet në nivel të kënaqshëm”, sqaroi Gashi për KosovaPress.

Ndryshe, 51 persona janë arrestuar të hënën në Mitrovicë për mosrespektim të vendimeve qeveritare. Në raportin e Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se arrestimi ka ndodhur në dy lokale të cilat ishin hapur dhe të njëjtat kanë pranuar klientë.

Në lidhje me zbutjen e masave ndaj COVID-19 në Kosovë, e që për synim ka të lirohet ekonomia, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ditë më parë pati thënë se masat e reja janë planifikuar në tre faza dy javëshe, ku faza e parë fillon më 4 maj, e dyta më 18 maj ndërsa e treta më 1 qershor.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat