​Mitrovicasit mirëpresin zbutjen e masave kundër COVID-19

Mitrovica

​Mitrovicasit mirëpresin zbutjen e masave kundër COVID-19

Më: 18 maj 2020 Në ora: 15:15
Ilustrim

Qytetarët e Mitrovicës, por edhe përfaqësues të bizneseve të vogla në këtë qytet, kanë mirëpritur fillimin e fazës së dytë të zbutjes së masave.

Ata thanë se këto masa do të shërbejnë për të mirën e qytetarëve, bizneseve, por edhe ekonomisë së vendit në përgjithësi.

Sabit Sinani, qytetar i Mitrovicës, tha se mirëpret zbutjen e këtyre masave, ngase qytetarët fillojnë të lëvizin, punojnë, por edhe ekonomia fillon të rimëkëmbet.

Sinani: Është mirë për ekonominë

“Zbutja e masave është e mirë për shkak se njerëzit fillojnë të punojnë nga pak, me lëvizë, por edhe për shkak të ekonomisë”, ka thënë Sinani.

Enveri, një qytetar tjetër, bëri të ditur po ashtu se zbutja e masave është në të mirë të ekonomisë.

Ai ka tërhequr vërejtjen për nevojën e kujdesit nga ana e qytetarëve, në mënyrë që të mos përsëritet çështja e pandemisë.

Enveri: Nuk bën të relaksohemi shumë

“Zbutja e këtyre masave është e mirë për ekonominë. Tani qytetarët dalin pak më lirshëm, edhe pse nuk bën të relaksohemi shumë sepse kjo mund të kthehet sërish”, tha ai.

Ndërkaq, Xhafer Fetahu, pronar i një restoranti në Mitrovicë, biznesi i të cilit ka filluar të punojë sot në variantin “merre me vete”, ka bërë të ditur se zbutja e masave kundër pandemisë është jashtëzakonisht e mirëseardhur.

Sipas tij, masat do të shërbejnë për të mirën e qytetarëve, bizneseve dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi.

Ai masat e deritashme strikte i ka quajtur të arsyeshme dhe të efektshme, dhe kjo, siç u shpreh ai, dëshmohet me numrin e vogël të të infektuarve.

Fetahu: Zbutja e masave, për të mirën e të gjithë

“Tash është bërë një lehtësim i mirë sepse kjo shkon në të mirën e të gjithë neve, sidomos në të mirën e qytetarëve, neve si biznese... Shpresoj që këto masa të jenë në të mirën e ekonomisë... Masat megjithëse ndonjëherë ishin edhe tepër strikte, mirëpo shihen rezultatet me numrin jo shumë të madh të të infektuarve... Do të thotë këto masa kanë qenë të arsyeshme... edhe pse në një mënyrë na kanë penguar pak, mirëpo kanë qenë të arsyeshme dhe kanë bërë efektin e duhur për shkak të ruajtjes së shëndetit publik dhe të gjithë neve”, sqaroi Fetahu.

Edhe Shenoll Hasani, floktar, tha se fillimi i zbutjes së masave është në të mirën e qytetarëve, bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi.

Hasani: Zbutja e masave një hap përpara

“Fillimin e zbutjes së masave e shoh si veprim të mirë dhe një hap përpara… Është mirë për biznese, ekonominë dhe për qytetarë”, u shpreh Hasani.

Në anën tjetër, Izedin Krasniqi, ekonomist, zbutjen e masave e konsideron si pozitive për mbarë shoqërinë, ndonëse paralajmëroi rënie ekonomike dhe pasoja të rënda për vendin.

Krasniqi: Zbutja e masave e mirëseardhur për shoqërinë

“Zbutja e masave është pozitive gjithsesi, meqenëse pasojat ekonomike do të jenë mjaft të rënda, veçanërisht për ekonominë e Kosovës që parashihet të ketë rënie ekonomike. Kështu që sado pak fillon jeta, dhe ky depresion jo vetëm ekonomik, por edhe shoqëror, do të ketë një nxitje për kthim në normalitet... Normalisht që fillimi i zbutjes së masave është shumë i mirëseardhur për ekonominë, qytetarët dhe në përgjithësi për shoqërinë”, u shpreh Krasniqi.

Ndryshe, vlen të theksohet se qytetarët në qytetin e Mitrovicës në numër të konsiderueshëm janë vërejtur pa maska, doreza dhe pa distancë fizike, duke mos respektuar kështu rekomandimet IKSHPK-së.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat