Komuna e Mitrovicës shqyrton mundësinë e bashkëpunimit për digjitalizimin e mësimit në shkolla

Mitrovica

Komuna e Mitrovicës shqyrton mundësinë e bashkëpunimit për digjitalizimin e mësimit në shkolla

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 16:27
Foto nga takimi

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka pritur në një takim drejtorin e kompanisë Criteria EDU SHPK, Enis Presheva, me ç’ rast kanë biseduar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit për realizimin e projektit “EDU” që ka të bëjë me procesin e digjitalizimit të mësimit në shkolla.

“Fillimisht drejtori i kompanisë Criteria EDU shpk, Presheva ka njoftuar kryetarin Bahtiri për rëndësinë e digjitalizimit të mësimit në shkolla, duke thënë se ky proces bënë të mundur të realizohet bashkëpunimi prindër-mësimdhënës-nxënës, si dhe arritjen e mundësive për të realizuar programin arsimor përmes mësimit online.

Gjithashtu ai theksoi se projekti në fjalë mundëson një monitorim dhe vlerësim më gjithëpërfshirës të sistemit tonë arsimor duke realizuar një mbikëqyrje më të përgjegjshme nga DKA-ja në raport me shkollat, si raportimin dhe evidentimin online të suksesit të nxënësve, statistikave shkollore, raporteve shkollore, aktiviteteve shkollore, digjitalizimit të materialit pedagogjik dhe njësive mësimore përmes videove”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërkaq, kryetari Bahtiri pasi falënderoi Preshevan për vizitën, vlerësoi iniciativën e ndërmarrë nga kjo kompani për të vënë në zbatim një projekt kaq të rëndësishëm për sistemin arsimor në përgjithësi, duke shtuar se digjitalizimi i mësimit do të krijonte lehtësim të madh të arsimit gjithëpërfshirës në institucionet tona arsimore dhe punës edukativo arsimore.

Në fund të takimit kryetari Bahtiri së bashku me drejtorin e kompanisë në fjalë, Presheva u dakorduan të takohen prapë, dhe të shohin mundësitë e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit për realizimin e këtij projekti në shkollat e Komunës së Mitrovicës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat