​Covid-19 në Mitrovicë, 14 infektuar në vetizolim dhe një në Infektiv

Mitrovica

​Covid-19 në Mitrovicë, 14 infektuar në vetizolim dhe një në Infektiv

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 13:48
Ilustrim

Gjendja e përgjithshme me pandeminë në qytetin e Mitrovicës është stabile, ndërsa dy rastet e fundit të konfirmuara me Covid-19, gjatë 24 orëve të fundit, çojnë në 15 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në këtë komunë.

Erseka Barani, drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress, se përveç një rasti që po trajtohet në Klinikën Infektive në Prishtinë, të gjithë të infektuarit tjerë ndodhen në vetizolim dhe janë në gjendje shëndetësore stabile.

Sipas saj, zbutja e masave nga niveli qendror nuk nënkupton moskujdesin nga ana e qytetarëve. Ajo kërkoi respektim të rekomandimeve të institucioneve përkatëse.

Barani: Duhet t’i përmbahemi rekomandimeve

“Gjendja e përgjithshme me Covid-19 në komunën e Mitrovicës është stabile. Me dy rastet e fundit që u paraqitën dje, në total kemi 15 raste aktive pozitiv me Covid-19, ndërsa kemi 19 të shëruar në komunën tonë… Gjendja e të gjithë të infektuarve është stabile, do të thotë janë asimptomatik, përveç njërit që ndodhet në klinikën infektive në QKUK, i cili ka pasur simptoma, por edhe gjendja e tij shëndetësore është stabile….Me lirimin e masave nga niveli qendror, edhe qytetarët janë relaksuar, mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk duhet të kemi kujdes, sepse duhet t’i përmbahemi rekomandimeve nga institucionet gjegjëse”, ka thënë Barani.

Xhevdet Ferizi, qytetar nga Mitrovica, thotë se duhet pasur kujdes shumë, sepse situata është e ndërlikuar sa i përket koronavirusit.

Ai shtoi se ka mos respektim të rekomandimeve, ngase siç u shpreh ai, qytetarët janë duke e konsideruar gjithë këtë situatë si një gënjeshtër.

Ferizi: Duhet me u ruajt shumë nga ky virus

“Jam i mendimit se ky popull i ynë duhet me u ruajt shumë nga ky virus, derisa të mendojmë se ka kaluar, ose nuk kthehet më… Qytetarët nuk po i respektojnë rekomandimet sepse po mendojnë se kjo është një gënjeshtër dhe s’ju është mbushur mendja akoma…Tash iku në shtëpi dhe nuk dalë më pa maskë sepse vërtetë është situatë e ndërlikuar kjo”, theksoi Ferizi.

Ndërkaq, Erduan Mehmeti, një qytetar tjetër, konsideron se e gjithë situata rreth pandemisë është e panjohur dhe vetëm dezinformatë.

Mehmeti: S’jam duke besuar send

“Absolutisht këtë gjë e marr si diçka të panjohur, nuk po shoh ndonjë të infektuar në Mitrovicë. Veç dezinformata mendoj unë…Unë asnjë person të sëmurë prej këtij Covid-19 që po thonë, nuk po e shoh. Nuk jam duke besuar send, shkurt…S’kam as maskë as doreza dhe shëndosh si topi jam”, tha Mehmeti.

Ndryshe, nëpër rrugët e Mitrovicës vërehet qarkullim i madh i qytetarëve, shumica e të cilëve nuk respektonin distancimin fizik dhe nuk bartnin maska e doreza. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat