Një mal me shkelje në Komunën që udhëhiqet nga Vetëvendosje

Mitrovica

Një mal me shkelje në Komunën që udhëhiqet nga Vetëvendosje

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 12:06
Foto ilustrim

Prona komunale që po keqpërdorën, parregullsi në kontrata e në leje të ndërtimit, janë disa prej parregullsive që i ka evidentuar Zyra e Auditimit Kombëtar për Komunën e Mitrovicës në raportin për pasqyrat financiare të vitit 2019.

Disa prej të gjeturave të ZKA-së që janë evidentuar në raportin e auditorit për komunën e Mitrovicës e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje, mund të jenë edhe subjekt trajtimi për hetuesinë.

Sipas Ligjit, prona e paluajtshme e komunës mund të jepet në shfrytëzim për të gjithë personat me një afat të caktuar. Sipas kushteve të kontratave, pagesa e obligimit duhet të bëhet deri me datën 10 të çdo muaji vijues.

Në kontrata specifikohet se Kuvendi Komunal çdo 2 vjet, duhet të bëjë rivlerësimin e gjendjes ekonomike të familjeve, me qëllim të vazhdimit/ndërprerjes së vlefshmërisë së kontratës. Pas përfundimit të afatit të përcaktuar në kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, prona i kthehet komunës.

Nga testimi i listave të shfrytëzuesve të pronës publike (dhënien e lokaleve afariste me qira, dhënien e banesave për familjet e dëshmorëve, rastet sociale dhe për kuadro) nga 80 sa ishin gjithësej, Auditori ka gjetur se prej 14 lokaleve të dhëna me qira, në 6 prej tyre komuna arkëton të hyra nga qiradhënia, ndërsa në 8 rastet tjera komuna nuk faturon dhe nuk arkëton të hyra.

Po ashtu, sipas Auditorit, në dy raste shfrytëzuesit operonin pa kontrata si rezultat i shkëputjes së një anshme të kontratës nga komuna në mungesë të pagesave të qirave.

“Në komplekset banesore të dhëna me qira për familjet e dëshmorëve dhe rastet sociale (36 familje) si dhe për fondin për kuadro (13 familje), gjendjet e shfrytëzuesve dhe kontratat nuk janë verifikuar nga viti 2011 përkatësisht 2018 për fondin për kuadro. Komuna nuk arkëton të hyra dhe nuk i faturon qiramarrësit meqenëse atyre ju kishin skaduar kontratat. Megjithatë, pronat shfrytëzohen ende pa ndonjë vendim zyrtar apo ripërtëritje të kontratës; dhe Në 17 banesat e dhëna në Stan Terg në vitin 2018, shfrytëzuesit kishin paguar qiranë vetëm muajt e parë, ndërsa për pjesën tjetër nuk kishin paguar, duke grumbulluar kështu borxhe prej 5,186 euro”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, vazhdimi i praktikave të tilla mund të nxisin edhe obliguesit tjerë t’i shmangen pagesës së qirave dhe mos arkëtimi i qirave nga dhënia në shfrytëzim e pronave, komunës i shkakton humbje buxhetore në vlerë prej 18,289 euro për vit dhe rritë rrezikun e dështimit të projekteve të planifikuara nga burimet vetjake, apo edhe projekteve të reja në dobi të qytetarit.

Parregullsi në lëshimin e lejeve të ndërtimit

Sipas Ligjit Nr. 04/L -110 për Ndërtim, neni 4 ku specifikohet se Lëshimi i lejes ndërtimore dhe përcaktimi i kërkesave të saj do të zbatohen në pajtueshmëri me parimet si në vijim: pika 1.1. mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë, si dhe neni 21 Procedura për lëshimin e lejes ndërtimore pika 2. Nëse organi kompetent vlerëson se dokumentacioni ndërtimor nuk është përgatitur në përputhje me kushtet ndërtimore dhe me dispozitat e këtij ligji, nuk do të lëshojë lejen ndërtimore.

Nga testimi i tetë mostrave për lëshimin e lejeve ndërtimore, Auditori ka gjetur se në një rast vendimi për lejen ndërtimore ishte lëshuar tetë muaj para se të merrej pëlqimi nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Mitrovicës së Jugut.

ZKA thotë se në katër raste tjera vendimi për leje ndërtimore tek pjesa për mbrojtje nga zjarri dhe mbrojtja nga zhurma ishte lëshuar në dy prej tyre pa u nënshkruar Lista Kontrolluese për shqyrtim të dokumenteve për ndërtim, dhe në dy rastet tjera lista në fjalë ishte nënshkruar 1 respektivisht 26 ditë pas lëshimit të lejes ndërtimore.

“Për këto, ne nuk morën ndonjë përgjigje se pse kishin ndodhur çështjet e tilla.

Lëshimi i lejes ndërtimore pa pëlqim nga drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, mos verifikimi i dokumenteve të nevojshme për ndërtim, si dhe nënshkrimi i listave kontrolluese pas dhënies së lejeve, rrezikon që ndërtimet të bëhen jo sipas standardeve të përcaktuara ndërtimore dhe kjo mund të vë në rrezik jetën e qytetarëve”, thuhet në raportin e ZKA.

Nënshkrimi i kontratave përtej vlerës së parashikuar të buxhetit

Sipas LPP-së, nëse autoriteti kontraktues është organizatë buxhetore dhe prokurimi përkatës do të shkaktojë ngritjen e obligimeve financiare të cilat do të përmbushen nga ndarjet buxhetore që pritet të bëhen në vitet e ardhshme fiskale. ZKF do të siguroj që tabelat e bashkëngjitura Ligjit për Ndarjet Buxhetore, ofrojnë bazë të arsyeshme për të pritur se në vitet e ardhshme fiskale do t’i ofrohen fonde të mjaftueshme për përmbushjen e obligimeve të tilla. Lidhur me këtë, Auditori ka gjetur se bashkëfinancimet me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për projektin “Rregullimi i shtratit të lumit Sitnica-Mitrovicë” – vlera e parashikuar dhe e buxhetuar për tre vite ishte 3,100,000 euro, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerë 6,045,726 euro me një diferencë prej 2,945,726 eurove, më të lartë së vlera e planifikuar.

Projekti “Rregullimi i shtratit të lumit Ibër-Mitrovicë”- vlera e parashikuar dhe e buxhetuar për tre vite ishte 950,000 euro ndërsa kontrata është nënshkruar në vlerë 1,777,427 euro, apo 827,427 euro më e lartë se vlera e parashikuar.

Projekti “Ndërtimi dhe mirëmbajtja e parqeve në hapësirat publike” – vlera e parashikuar për tre vite ishte 600,000 euro ndërsa kontrata është nënshkruar në vlerë 1,200,000 euro, apo 600,000 euro më e lartë se vlera e parashikuar.

Projekti “Ndërtimi dhe asfaltimi në rrugën Fushë Ibër” – vlera e parashikuar për tre vite ishte 100,000 euro ndërsa kontrata është nënshkruar në vlerë 206,720 euro.

Projekti “Mirëmbajtja e varrezave dhe lapidareve” – vlera e parashikuar për tre vite ishte 165,403 euro ndërsa kontrata është nënshkruar në vlerë 211,545 euro, etj.

“Hyrja në obligime kontraktuale nga komuna përtej mundësive buxhetore dhe në kundërshtim me ligjin, po ndikon dhe rrezikon mbarëvajtjen dhe implementimin e projekteve sipas planifikimeve si dhe po krijon kosto shtesë për komunën, duke e futur komunën në vështirësi të thella në përmbushjen e obligimeve të krijuara”, thotë Auditori.

Mangësi në menaxhimin e kontratave

Gjatë ekzaminimeve fizike në teren Auditori ka vërejtur mangësitë e identifikuara në vijim:

Për projektin “Rregullimi i oborreve dhe fushave sportive”, në vlerë prej 95,409 euro, konkretisht SHFMU “Abdulla Shabani” dhe SHFMU “Aziz Sylejmani”, dy 15 pozicione të cilat ishin faturuar dhe paguar në vlerë 3,587 euro, nuk ishin realizuar sipas pozicioneve të përcaktuara në kontratë; dhe Për projektin “Ndërtimi dhe riparimi i rrugëve dhe trotuareve” e lidhur në vlerë prej 2,468,275 euro, tek raporti i punëve të pranuar për rrugën “Shtjefën Gjeqovi” në vlerë prej 10,495 euro, vendosja e katër kapakëve të pusetave nuk ishte realizuar fare, edhe pse pagesa ishte lëshuar duke u bazuar në situacionin për pranimin e punëve ku përfshihej dhe pozicioni në fjalë.

Pagesa ishte kryer me datën 12.12.2019, ndërsa vendosja e pusetave ishte bërë pas dërgimit të draft raporti të auditimit, përkatësisht me datën 21.05.2020 apo 5 muaj nga data e pagesës.

“Kontrolli jo i mirë apo pakujdesia e organit mbikëqyrës, menaxherëve të kontratave dhe çertifikuesit në aplikimin e kontrolleve mund të rezultojë me pagesa të parregullta për punët të cilat nuk janë kryer dhe shton rrezikun për keqpërdorimin e parasë publike”, thotë ZKA-ja.

 Shkelje në procedurat e prokurimit

Për dy16 projekte me vlera të mëdha, kontratat e lidhura mes komunës dhe operatorëve ekonomik, ZKA thotë se ishin nënshkruar nga udhëheqësi i zyrës së prokurimit, mirëpo nuk ishin nënshkruar nga Kryetari i Komunës, duke shpërfillur kërkesën specifike të LPP-së, përkatësisht Nenit 26, që kontratat me vlera të mëdha, përveç menaxherit të prokurimit duhet të nënshkruhen edhe nga Zyrtari Kryesor Administrativ, përkatësisht Kryetari i Komunës.

“Nënshkrimet e përcaktuara sipas këtij Neni, konfirmojnë dhe pranojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në kontratë, në të kundërtën kontratat janë të pazbatueshme. Pas vërejtjes nga ana e jonë kontratat ishin nënshkruar nga ana e Kryetarit”, thotë ZKA.

Po ashtu, sipas ZKA, Komuna kishte zhvilluar jashtë planit të prokurimit procedurat e tenderimit për projektin “Ndërtimi i monumentit të masakrës së tregut”, duke mos e njoftuar, AQP-në ashtu siç kërkohet me nenin 9.6 të LPP-së për procedurat të cilat nuk janë të përfshira në planin vjetro të prokurimit.

Ndërkohë, me datë 04.02.2019 komuna kishte nënshkruar kontratë në vlerë financiare 2,468,275 euro për projektin “Ndërtimi, rregullimi dhe riparimi i rrugëve dhe trotuareve në bashkëfinancim me qytetaret“. Në raport të ZKA, thuhet se, kontrata në fjalë nuk ishte prezantuar në raportin vjetor të kontratave publike, ashtu siç kërkohet me nenin 87 të LPP-së, që çdo kontratë e nënshkruar të prezantohet në raportin vjetor të kontratave duke identifikuar me detaje të arsyeshme të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët që autoriteti kontraktues i ka zhvilluar gjatë vitit gjatë vitit.

“Mos nënshkrimi i kontratave nga Kryetari i Komunës, rrezikon në kryerjen e pagesave të pa rregullta të mbështetura në ato kontrata. Lidhja e kontratave jashtë planit të prokurimit, ndikon në realizimin e kontratave që janë planifikuar dhe ndryshime në prioritete e komunës. Ndërsa mungesa e informatave për kontratat e nënshkruara, si rezultat i mos prezantimit të tyre në raportin vjetor ndikon në raportim jo të drejtë për kontratat e realizuara apo kontraktuara”, konsideron ZKA-ja.

Auditori ka gjetur edhe shumë parregullsi tjera në këtë komunë, ku ka dhënë disa rekomandime.

Në raport është shkruar se përgjigja ndaj rekomandimeve të vitit paraprak nuk po adresohet në nivelin e kërkuar. Prej 16 rekomandimeve, katër ishin zbatuar, dy rekomandime janë konsideruar të mbyllura, ndërsa 10 rekomandime nuk ishin zbatuar ende. 

 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat