Përfaqësuesit e bizneseve u shprehën unanimisht që dita e diel të jetë ditë pushimi në Mitrovicë

Mitrovica

Përfaqësuesit e bizneseve u shprehën unanimisht që dita e diel të jetë ditë pushimi në Mitrovicë

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 15:31
Pamje nga takimi

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, dhe drejtorin e Inspekcionit, Fidan Ademi, sot kanë pritur në takim përfaqësuesit e bizneseve që operojnë në qytetin e Mitrovicës, me të cilët është biseduar lidhur me vendimin e marrë nga Kuvendi Komunal për rikthimin e ditës së diel si ditë pune për bizneset në Mitrovicë.

Fillimisht, kryetari Bahtiri ka falënderuar përfaqësuesit në fjalë për pjesëmarrjen në këtë takim, duke thënë se me vullnetin dhe kërkesat e tyre të njëpasnjëshme drejtuar komunës vitin e kaluar është vendosur që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset në Mitrovicë, me qëllim që të mbështetës pronarët dhe punëtorët e angazhuar në këto biznese, mirëpo partitë opozitare në Kuvendin Komunal kanë miratuar një vendim për rikthimin e ditës së diel si ditë pune për bizneset, ligjshmëria e të cilit vendim është konfirmuar edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Siç e dini edhe ju, që nga ardhja ime si kryetar komune çdo herë kam mbështetur njerëzit e biznesit, dhe në bashkëpunim me ju, duke i marrë parasysh kërkesat tuaja të vazhdueshme, kemi marrë vendim që Komuna e Mitrovicës të funksionoj me rregulla evropiane ku dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjithë bizneset, me qëllimin e vetëm që punëtorët por edhe pronarët e bizneseve të kenë një ditë pushimi, ku mund të kalojnë kohën me familjet e tyre dhe të kenë një trajtim më të mirë”, tha kryetari Bahtiri.

Po ashtu kryetari Bahtiri ka potencuar se mos respektimi i këtij vendimi nga ana e tij rezulton me shkelje ligjore gjë të cilën ai nuk e dëshiron, pasi që është i përkushtuar në respektimin e të gjitha ligjeve të Republikës së Kosovës, mirëpo ai tha se do të mundohet në mundësi tjera ligjore t’u ndihmoj njerëzve të biznesit të cilët janë pro që dita e diel të jetë prapë ditë pushimi. Prandaj kryetari Bahtiri theksoi se javën e ardhshme do të thërret mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për shfuqizimin e këtij vendimi, dhe dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset në Mitrovicë, por nëse nuk arrihet kjo në Kuvend do të mblidhen nënshkrimet e të gjitha bizneseve që janë pro vendimit për diten e diel si ditë pushim përmes një peticioni të përbashkët.

Ndërkaq njëri nga përfaqësuesit e bizneseve në Mitrovicë, në emër të të gjithë pranishmëve ka falënderuar kryetarin Bahtiri për bashkëpunimin e mirë dhe përpjekjet e tij të pa reshtura për t’i ndihmuar biznesit në Mitrovicë, duke thënë se ky vendim që dita e diel të jetë ditë pushimi ka ardhur me iniciativën e 168 bizneseve, dhe se kjo nismë është në dobi të biznesit dhe të drejtave të punëtorëve, referuar edhe kërkesës nga një numër i konsiderueshëm i bizneseve mitrovicas që patën parashtruar që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset.

Në fund të takimit, përfaqësuesit e bizneseve të pranishme u shprehen unanimisht që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset në Mitrovicë, dhe qyteti ynë të jetë shembull dhe model nëpër qytetet tjera për nga organizimi dhe funksionimi i mirë i tyre.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat