Hoxhaj: Nuk mund të shkruhet historia e Mitrovicës pa Bajram Rexhepin

Mitrovica

Hoxhaj: Nuk mund të shkruhet historia e Mitrovicës pa Bajram Rexhepin

Nga: A.SH Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 15:26
Bajram Rexhepi

U.d i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar në lidhje me atë se Komuna e Mitrovicës po tenton ta anashkalojë figurën e Bajram Rexhepit.

Sipas tij, pa Rexhepin histroia e Mitrovicës nuk mund te shkruhet sepse ai ishte është vetë përpjekja, rezistenca dhe nderi i këtij qyteti.

Postimi në Facebook:

Më i rëndë se harrimi i historisë është shtrembërimi, respektivisht, gjymtimi i saj.

Por, kur kjo ndodh në një qytet që ka prodhuar kaq shumë histori, atëherë është abuzim që përbuz të kaluarën dhe fyen të tashmen.

Nuk mund të shkruhet historia e Mitrovicës pa Bajram Rexhepin. Bajram Rexhepi është vetë përpjekja, rezistenca dhe nderi i këtij qyteti.

Bajrami ishte zëri i minatorëve, krenaria e mjekëve, heroi i luftës dhe i paqes, por edhe ajka e intelektualëve dhe melodia e rokut mitrovicas.

Tentimi i Komunës së Mitrovicës për ta anashkaluar figurën e tij, por edhe të shumë intelektualëve, atdhetarëve e artistëve të mëdhenj të këtij qyteti, si figura që me djersën e tyre kanë ndërtuar rrëfimin për këtë qytet, është mungesë themelore e edukatës dhe e njohurive bazike për vetë themelet mbi të cilat është ngritur Mitrovica.

Bajrami dhe të tjerët janë më të mëdhenj se “vlerësimi partiak” që shpërfaq edhe një herë injorancën e thellë të udhëheqësve të kësaj komune, sepse ata janë vetë qyteti. Megjithatë, ky veprim nuk mund të kalojë pa u shënuar si akt që gjymton në thelb historikun e Mitrovicës.

Është vërtet për keqardhje, që një qytet me të kaluar kaq të pasur ka rënë në duart e një qeverisjeje të tillë, e cila përbuz vlerat e vërteta. Por, lajmi i mirë është se ky pushtet që mendon se historia fillon me ta, po perëndon dhe dielli për Mitrovicën do të lindë përsëri.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat