Kryetari Bahtiri priti në takim KFOR-in LMT Zviceran

Mitrovica

Kryetari Bahtiri priti në takim KFOR-in LMT Zviceran

Më: 15 janar 2021 Në ora: 14:53
Pamje nga takimi

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në takim KFOR-in LMT të Zvicrës, kapitenin, Robin Rubler dhe togerin M. Goumaz, të cilët janë me mision në Komunën e Mitrovicës në monitorimin e sigurisë.

Gjatë këtij takimi, kryetari Bahtiri njoftoi të pranishmit për projektet që janë realizuar dhe kanë filluar të realizohen në të gjitha sektorët në komunën tonë, po ashtu për situatën aktuale me pandeminë globale Covid-19 si dhe menaxhimin e saj, ku për fat të mirë në komunën tonë situata është e qetë dhe stabile.

Më tutje kryetari Bahtiri njoftoj përfaqësuesit e KFOR-it, edhe për situatën e fundit të krijuar si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës, duke potencuar se Komuna e Mitrovicës kohë më parë ka bërë përgatitjet e duhura që të parandalojë vërshimet, duke realizuar edhe projekt të veçantë në rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, i cili nuk ka arritur të përfundoj ende si pasojë e shkurtimeve buxhetore nga niveli qendror, ndërsa në lagjen “2 Korriku”, janë evakuar 17 familje, po ashtu u është dal në ndihmë më pako ushqimore dhe higjienike e që për fat të mirë gjendja shëndetësore e tyre është e mirë, ndërkohë komisioni komunal do të vlerësoj dhe dëmet e shkaktuar nga vërshimet e fundit.

“Qyteti i Mitrovicës sot është qyteti më stabil në nivel të Kosovës e për këtë gjë u jam mirënjohës prezencës së KFOR-it, Policisë së Kosovës, Karabinierëve, dhe të gjithë ata që kontribuan në ruajtjen e paqes për qytetin tonë. Në këtë drejtim qenësor ka ndikuar edhe angazhimi dhe përkushtimi i vet qytetarëve, të të gjitha përkatësive etnike, për të pas një situatë të qetë dhe stabile”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Kapiteni, Robin Rubler u shpreh të jetë i kënaqur nga takimi me kryetarin Bahtiri, duke shtuar se bashkëpunimin e mirë të deritashëm ndërmjet Komunës dhe KFOR-it vetëm sa do ta intensifikojnë dhe pasurojnë, me qëllim të realizimit të kërkesave të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike për të jetuar në paqe dhe për të pas një jetë sa më të mirë e të pabrenga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat