Në Mitrovicë së shpejti pritet të rifunksionalizohet Kinemaja e Qytetit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve

Mitrovica

Në Mitrovicë së shpejti pritet të rifunksionalizohet Kinemaja e Qytetit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 15:20
Pamje nga takimi

Sot në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, ka mbajtur takim pune me stafin dhe institucionet vartëse të DKRS-së.

Në këtë takim të pranishëm ishin stafi i DKRS-së, stafi i Muzeut të Qytetit, stafi i Palestrës së Sportit,“Minatori”, stafi i Bibliotekës së Qytetit “Latif Berisha”, stafi i Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, si dhe stafi i Teatrit të Qytetit “Muharrem Qena”.

Takimin e hapi dhe kryesoi drejtori i DKRS-së, Tafil Peci, ku pas prezantimit të rendit të ditës u vazhdua me pikën kryesore të rendit të ditës që ishte caktimi i personave kontaktues në mes të DKRS-së dhe institucioneve vartëse.

Gjatë këtij takimi, drejtori Peci potencoi problemet me të cilat po ballafaqohen institucionet vartëse, sidomos tek mungesa e drejtuesve të këtyre institucioneve, për çka theksoi se tash e tutje këto institucione do ti kenë personat përgjegjës të cilët do të jenë urë lidhëse, dhe të gjitha problemet të cilat i kanë duhet ti drejtojnë tek ta.

Përgjegjës për Institucionet e Kulturës do të jetë Gani Baliu i cili është zyrtar për Kulturë pranë DKRS-së. Më tutje drejtori Peci kërkoi përgjegjësi tek secili i punësuar në DKRS si në respektimin e orarit të punës, ashtu edhe në mbarëvajtjen e punëve ditore. Më pas është vazhduar me Qendrën e Kulturës, Muzeun dhe Teatrin e qytetit për çka i falënderoi për angazhimin e tyre dhe kërkoi që të vazhdohet me angazhim edhe më të madh profesional.

Palestra e Sporteve “Minatori”, është një aset shumë i rëndësishëm për qytetin e Mitrovicës, dhe si e tillë duhet të shfrytëzohet për të hyra financiare ku përmendi parkingun e palestrës së sporteve, byfen dhe terminet të cilat janë të shumta.

Pikë tjetër e cila u diskutua në këtë takim ishte respektimi i orarit të punës nga të gjithë zyrtarët, si nga DKRS-ja ashtu edhe te institucioneve vartëse, ku u theksua se çdo zyrtar i cili nuk e respekton orarin e punës do të merren masa ndëshkuese ndaj tij.

Ndërkaq pika tjetër e rendit të ditës kishte të bëjë me raportimet javore, ku u kërkua nga të gjitha institucionet vartëse që çdo të premte në orën 12:00 ti dërgojnë raportet javore në DKRS.

Në fund të takimi drejtori Peci u zotua se gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti do të rifunksionalizohet Kinemaja e Qytetit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Qytetit, duke theksuar se janë inicuar procedurat për rifunksionalizim, dhe gjatë këtij viti qyteti i Mitrovicës do të jetë i kompletuar me institucionet kulturore.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat