Kryetari Bahtiri në mbështetje të shoqatës “Down Syndrom Kosova”

Mitrovica

Kryetari Bahtiri në mbështetje të shoqatës “Down Syndrom Kosova”

Më: 31 maj 2021 Në ora: 16:29
Foto nga takimi

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtor i Arsimit, Skender Avdiu, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani si dhe drejtori i Financave, Shukri Gashi, sot kanë pritur në takim përfaqësueset e shoqatës "Down Syndrom Kosova“, nga Prishtina dhe Mitrovica, me të cilat është biseduar për mundësitë e mbështetjes për projektet e kësaj shoqate.

Sebahate Beqiri, nga shoqata ”Down Syndrom Kosova”, tha se personave me Sindromën Down ju nevojitet një mbështetje e vazhdueshme, në mënyrë që kjo kategori e shoqërisë të integrohet në tërësi në shoqëri.

Ajo më tutje ka shtuar se me Syndromin Down në Mitrovicë janë të evidentuar 65 persona të cilët deri më tani kanë pasur mbështetjen e duhur, falë përkrahjes edhe të institucioneve lokale, mirëpo për këtë shoqatë sfiduese mbetet qëndrueshmëria e shërbimeve duke kërkuar kështu mbështetje financiare në realizim e shërbimeve sociale, shërbimeve që ndikojnë në ngritjen dhe zhvillimin e aftësive profesionale, angazhimin e logopedëve dhe psikologeve që kanë për qëllim ndihmën ndaj personave me Sindromin Down.

Ndërsa, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, gjatë këtij takimi ka theksuar se kjo drejtori është e gatshme që për fëmijët e kësaj shoqate të ofrojë shërbimin e fizioterapisë, ndërkohë drejtori i Arsimit, Skender Avdiu, ka potencuar se kjo drejtori do të marrë përsipër që të sigurojë një psikolog dhe asistentë mbështetës për shoqatën Down Syndrom në Mitrovicë.

Ndërkaq, kryetari Bahtiri, ka thënë se kjo pjesë e shoqërisë duhet të ketë mbështetje të fuqishme nga të gjithë akterët e shoqërisë dhe do të bëjë gjithçka çka është në mundësinë e tij dhe të autoriteteve komunale, që këtyre personave të ju ndihmohet edhe në të ardhmen sipas mundësive buxhetore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat