Banorët e Zhabarit me kërkesë publike për komunën

Mitrovica

Banorët e Zhabarit me kërkesë publike për komunën

Më: 13 qershor 2021 Në ora: 20:34
Zhabar

Banorët e Zhabarit të Poshtëm kanë paraqitur një kërkesë drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Mitrovicës për rregullimin e trotuarit përreth stadiumit “Adem Jashari”, para çfarëdo pune tjetër që bëhet aty dhe rregullimin e gropave në rrugë.

Kërkesën e ka publikuar Valton Peci, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, kërkesë kjo e cila ka ardhur pas ngushtimit të rrugës rreth stadiumit për renovimin që do bëhet në te.

Postimi i plotë:

Tash e disa muaj kanë filluar punimet për rregullimin e stadiumit "Adem Jashari" në Mitrovicë. Punime këto të cilat nuk pritet të përfundojnë ndoshta me vite. Rruga dyshiritëshe që sillet rreth stadiumit është kthyer në rrugë njëshiritëshe dhe pjesa punuese është rrethuar me llamarina të larta, çka e bën më të vështirë pamjen në largësi.

Siç shihet në fotot e bashkëngjitura më poshtë, rreth kësaj rruge nuk ka trotuar i cili do ta mundesonte ecjen e sigurt për banorë - i detyron qytetarët të ecin në rrugë, ndërsa hapësira e ngushtuar e rrugës ka mbetur me gropa të mëdha që po i dëmton mjetet transportuese të banorëve që frekuentojnë këtë rrugë. Pra, rrezik për jetën e qytetarëve që ecin në këmbë dhe dëm ekonomik për ata që shfrytëzojnë mjetet e transportit.

Punimet e ndryshme që bëhen për ta përmirësuar jetën e qytetarëve nuk duhet të bëhen në dëm të tyre deri në maksimumin e mundshëm, sidomos kur bëhet fjalë edhe për rrezikimin e jetës së tyre. Prandaj, si banor i fshatit Zhabar i Poshtëm, pas bisedimeve me banorët e tjerë të këtij fshati dhe lagjes Iliridë, paraqes këtë kërkesë publike për institucionet përkatëse (kërkesa do të bëhet edhe përmes kanaleve tjera zyrtare gjatë kësaj jave):

1. Rregullimi me prioritet i trotuarit përreth stadiumit, para çfarëdo pune tjetër që bëhet aty. Dhe

2. Rregullimi i gropave në rrugë.

P.s. kjo rrugë përveç që shfrytëzohet rregullisht nga banorët e fshatit Zhabar (fshat me numër të konsiderueshëm të banorëve) dhe lagjes Ilirida (njëra nga lagjet më të mëdha të Mitrovicës), shfrytëzohet edhe nga qytetarë e tjerë të cilët e frekuentojnë "liqenin akumulues", e që gjatë sezonit veror shtohen në numer e tash edhe në rrezikshmëri për jetë. Gjithashtu, afër kësaj hapësire është e vendosur edhe shkolla fillore "Migjeni" me mijëra nxënës, ku një pjesë e tyre e shfrytëzojnë rregullisht këtë rrugë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat