KKSB bisedoi për sigurinë e përgjithshme në Komunën e Mitrovicës

Mitrovica

KKSB bisedoi për sigurinë e përgjithshme në Komunën e Mitrovicës

Më: 16 korrik 2021 Në ora: 15:30
Pamje nga takimi

Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në të cilën mori pjesë edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues nga Stacioni Jugor i Policisë, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Bashkësisë Islame, të komuniteteve, drejtorë të drejtorive komunale dhe zyrtarë tjerë komunal.

Temat të cilat u diskutuan gjatë këtij takimi ishin gjendja e sigurisë së përgjithshme në Mitrovicë, siguria e përgjithshme nëpër shkolla, si dhe fluksi i madh i automjeteve në trafik.

Fillimisht në fjalën e tij, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se rastet e fundit të përleshjes mes të rinjve, dhe vrasja e një qytetari të Mitrovicës kanë qenë mjaft shqetësuese, e sidomos kur në Mitrovicë siguria dhe rendi e qetësia kishin marrë të mbarën dhe kur krimet kanë shënuar rënie drastike, duke bërë që qyteti të jetë një nga më të qetët në vend.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri në këtë mbledhje ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e KKSB-së të japin vlerësimin e tyre në lidhje me situatën aktuale të sigurisë në qytet.

Anëtarët e KKSB-së me gjithë faktin se kohëve të fundit kanë ndodhur këto raste, konstatuan se gjendja aktuale e sigurisë në Komunën e Mitrovicës është stabile dhe nën kontroll, dhe për këtë çështje u shtrua nevoja e një bashkëpunimi sa më të ngushtë dhe koordinim për aktivizimin e mekanizmave kundër efekteve negative, si dhe u kërkua bashkëpunim më i mirë i përfaqësuesve të Policisë me Drejtorinë e Inspekcionit.

Po ashtu kryetari Bahtiri ka kërkuar nga Policia të përgatisin projektin për vendosjen e kamerave të sigurisë në të gjitha hapësirat e qytetit.

Përveç kësaj, anëtarët e KKSB-së folën edhe për sigurinë në trafik, duke vlerësuar se tani gjatë sezonit veror qarkullimi i automjeteve shtohet dukshëm edhe për faktin se bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit, vijnë këtu për pushime.

Lidhur me këtë, anëtarët e KKSB-së kërkuan nga institucionet komunale dhe Policia e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të pas rend në trafik dhe për të evituar rreziqet për këmbësorë dhe pjesëmarrës në komunikacion.

Ndërsa nga qytetarët u kërkua që të kenë të kujdesshëm dhe të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe ligjin, si dhe të shfrytëzojnë për parkim të automjeteve vetëm hapësirat e dedikuara për këtë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat