Mblidhet Shtabi Emergjent Lokal për Menaxhimin e Zjarreve

Mitrovica

Mblidhet Shtabi Emergjent Lokal për Menaxhimin e Zjarreve

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 16:27
Mblidhet Shtabi Emergjent Lokal për Menaxhimin e Zjarreve

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka ftuar në takim anëtarët e Shtabi Emergjent Lokal për Menaxhimin e Zjarreve ku u diskutua gjendja aktuale sa i përket përhapjes së zjarreve në komunën e Mitrovicës.

Fillimisht kryetari Bahtiri ka theksuar se është aktivizuar mekanizmi i emergjencave kundër zjarreve, duke përfshirë këtu institucionet komunale nga sektori i emergjencave, zjarrfikësit dhe akterët tjerë relevantë me qëllim që të veprohet në kohën, e sa më të shpejtë në rast të shfaqjes së rrezikut nga përhapja e zjarreve dhe parandalimin e tij.

“Jemi mbledhur këtu që të diskutojmë për gjendjen aktuale në Rajonin e Shalës sa i përket përhapjes së zjarreve, mobilizimin e institucioneve komunale në parandalimin e zjarreve, dhe gatishmërinë tonë që ti dalim në ndihmë banorëve në rast rreziku nga përhapja e zjarreve”, ka thënë krytari Bahtiri.

Gjatë këtij takimi, Nehat Bahtiri, në cilësi të shefit të Qendrës Operative Emergjente Lokale, ka njoftuar të pranishmit se aktualisht kemi prezencë të zjarrit në fshatin Rrzhanë të Shalës, ku përkundër terrenit të papërshtatshëm janë kryer edhe intervenime të zjarrfikësve në lokalizim të zjarreve.

Më tutje, shefi i Njësisë së Zjarrfikësve, Tahir Mikullovci, ka theksuar se që nga data 15 gushtë ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar në këtë anë për të parandaluar përhapjen e zjarrit, ku fatmirësisht rreziku është i vogël që të përhapet në zonat tjera, dhe nuk ka pasur nevojë për ndonjë evakuim eventual të banorëve ani pse kemi dendësi më të vogël të popullatës në ato anë.

Ndërsa, Emin Begu, zyrtarë i pylltarisë, ka theksuar se dëmet e shkaktuar nga këto zjarre janë kryesisht drunjë jashtëpyjor që nuk vlerësohen në pylltari si dëme të mëdha.

Kurse, komandanti i Stacionit Jugor të Policisë, Ahmet Xhosha, ka theksuar se Policia e Kosovës, ka realizuar disa fushata vetëdijësuese dhe ka shpërndarë broshura tek përfaqësuesit e fshatrave në parandalimin e zjarreve. Ai më tutje ka shtuar se janë zhvilluar procedura ligjore në rastet ku shkaktarë të zjarreve ka qenë faktori njëri.

Në përfundim të takimit kryetari Bahtiri ka potencuar se do të realizoj një vizitë në terren dhe në rast se vlerësohet e nevojshme do të kërkojë edhe mbështetje nga përfaqësuesit e KFOR-it në mënyrë që mos të rrezikohen jeta e asnjë qytetari dhe mos të vazhdojë më tutje dëmtimi i pyjeve, duke apeluar tek qytetarët që të mos ndezin zjarre fushore dhe zjarre të tjera që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat