Situatë e rëndë e pandemisë me COVID-19 në regjionin e Mitrovicës, por e menaxhueshme

Mitrovica

Situatë e rëndë e pandemisë me COVID-19 në regjionin e Mitrovicës, por e menaxhueshme

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 11:30
Mitrovicë

Situata e përgjithshme e pandemisë me COVID-19 në regjionin e Mitrovicës, që përfshinë edhe komunat e Skenderajt dhe të Vushtrrisë, paraqitet e rëndë, por megjithatë është e menaxhueshme.

Prej fillimit të këtij viti vetëm në komunën e Mitrovicës, 5 mijë e 228 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, prej të cilëve rreth 4 mijë janë shëruar, ndërsa 72 persona kanë humbur betejën me këtë virus.

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Luljeta Zhubi, ka bërë të ditur për kp se në këtë spital nga 100 shtretër të paraparë për pacientët me këtë sëmundje, 40 përqind të kapaciteteve mbeten gjithmonë të pashfrytëzueshme.

Ajo tha se të gjithë mjekët, duke përfshirë edhe ata të profileve tjera, janë të angazhuar maksimalisht, në mënyrë që të ofrohet trajtim sa më adekuat për pacientët, ndërsa përmendi terapinë për të cilën tha se gjithmonë ekziston dhe se rrallë herë ndodhë që ndonjë pacientët të ketë nevojë të blejë terapi mbështetëse.

Zhubi: Puna kryesore është mos me mbet pa oksigjen

“Situata e pandemisë në spitalin e Mitrovicës e cila përfshinë edhe regjionin, është e menaxhueshme, është situatë e rëndë, nuk është e lehtë, sepse është një sëmundje që kërkon trajtim pak më të gjatë, më specifik[...]Spitali ynë ka të paraparë 100 shtretër për Covid, të cilat asnjëherë nuk janë plotësuar fatbardhësisht. Gjithmonë kemi akoma 40 për qind të kapacitetit të pashfrytëzuar, që urojmë kurrë të mos shfrytëzohet. Këtyre pacientëve të shtrirë mundohemi t’u ofrojmë mbështetje profesionale, trajtim, ofrim të shërbimeve si nga ana mjekësore ashtu edhe nga ana infermierore, në mënyrë që atyre mos t’u mungojë trajtimi adekuat dhe sa më shpejtë të këndellen dhe të kthehen të shëndoshë në familjet e tyre… Jemi në gjendje tani për tani me këto kapacitete, si hapësinore ashtu edhe me kapacitete profesionale t’i dalim ballë pandemisë. Mjekët janë të mobilizuar edhe të profileve tjera, të gjithë jemi të angazhuar dhe sistematizuar nëpër vende të caktuara dhe planifikuara ku secili mund të ofrojë ndihmën e vet[…]Puna kryesore është mos me na çalu oksigjeni, terapia tjetër mbështetëse gjithmonë ekziston, rrallë ndodhë që ndonjë pacient të duhet të marr rrallë ndonjë terapi mbështetëse”, ka thënë Zhubi.

Drejtoresha e qendrës rajonale të shëndetit publik në Mitrovicë, Teuta Fejza, duke përmendur shifra të sakta, tha se gjatë muajit gusht ka pasur fluks të madh të testimeve.

Ajo theksoi se ditët e fundit vërehet rënie e numrit të pacientëve të infektuar.

Fejza: Aktualisht janë 1mijë e 191 raste aktive me COVID-19

“Për momentin aktivë pozitivë në komunën e Mitrovicës janë 1 mijë e 191 raste, ndërsa të tjerët që I kemi pasur të infektuar prej1 janarit e deri më tash janë 5 mijë e 228 raste pozitive vetëm në komunën e Mitrovicës…. Prej tyre të shëruar janë 3 mijë e 965 raste, ndërsa 72 raste janë të vdekjes[…]Për muajin gusht po dua me fol më shumë për arsye se kemi pasur fluks të madh të testimeve, kërkesave, udhëzimeve me simptome…Mirëpo këto tre ditët e fundit kemi një numër pak më të vogël të rasteve pozitive që po na rezultojnë, prandaj kemi shpresë që më tutje ndoshta do të zvogëlohet numri”, sqaroi Fejza.

Në anën tjetër, për dallim nga deklaratat e krerëve të këtij spitali, Shefqet Jashari, qytetar nga Skenderaj, i cili shoqëronte një familjar të tij të shtrirë në repartin e pomologjisë nga sëmundja covid-19, u shpreh i zhgënjyer me institucionet, duke thënë se në këtë spital mungojnë gjërat elementare, dhe se të gjitha ilaçet pacientët detyrohen t’i blejnë vetë. Ngjashëm pohuan edhe shumë qytetarë tjerë të cilët shoqëronin familjarët e tyre, por që nuk pranuan të flasin para kamerës, për shkak të frikës së reflektimit të trajtimit nga ana e personelit mjekësorë.

Jashari: Lumi ai që ka dikë jashtë, nëse s’e ke, veç ke me vdekë

“Të gjitha gjërat elementare që I duhen spitalit, duhet me I ble vet. Asgjë s’ka këtu…Nuk kam besuar që 20 vjet pas luftës, sot me ardhë Kosova që mos me pas gjëra elementare, kjo është e papranueshme[…]Lumi ai që ka dikë jashtë, nëse s’e ke, veç ke me vdekë. Kam shku kam ble 45 euro ilaçe, nuk e di për çka janë ato. Edhe tash isha I bleva dy vaksina të vogla, veç duhet me ble, me barëra edhe ujë me pi duhet me ble[…]Zoti këtë popull e ndihmoftë, sesa për qeveritë tonë prej të parës e që 20 vjet , vërtetë nuk e di a vinë ndonjëherë me pa këtë vend. Gjithkund në Kosovë kështu është, në Skenderaj ka, qenë së pari, njëjtë krejt duhet me i ble, si në Skenderaj, Mitrovicë, si çdokund”, u shpreh i revoltuar Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat