Përkujtohet njëra nga masakrat më të rënda të Mitrovicës

Mitrovica

Përkujtohet njëra nga masakrat më të rënda të Mitrovicës

Më: 13 mars 2017 Në ora: 10:23
Përkujtohet 18 vjetori i masakrës në tregun e Mitrovicës

(E plotësuar) - Është përkujtuar sot njëra nga masakrat më të rënda në komunën e Mitrovicës, kur 18 vjet më parë nga një bazë e forcave serbe, është hedhur një granatë në tregun kryesor në qendër të qytetit, kur ishte ditë tregu dhe përplot me qytetarë.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, gjatë shënimit të 18 vjetorit të kësaj dite, tha se përkujtimi i kësaj ngjarje të llahtarshme është me rëndësi të veçantë.

Sipas tij, për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve të kësaj masakre, por edhe të të gjithë të tjerëve, është punuar pak.

Mujka: Është bërë pak për këto familje

 “Unë e di për këto familje të të vrarëve dhe të plagosurve gjatë kësaj masakre është punuar pak, në përgjithësi edhe për të gjithë të tjerët. Por, më e pakta që mund të bëhet është siç thash, që duke ndërtuar shtetin dhe Republikën e mirëfilltë, ku do të dominojë rendi dhe ligji, zhvillimi ekonomik, barazia dhe mirëqenia sociale për të gjithë qytetarët tonë, atëherë do të dihet se jetët e këtyre nuk kanë shkuar kot, dhe se kanë kontribuuar për ditë më të mira për Kosovën”, ka thënë Mujka.

Ndërkaq, drejtuesi i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, duke u shprehur i pakënaqur me interesimin e institucioneve për këtë ditë, tha se kjo ngjarje nuk guxon assesi të harrohet.

 Barani: Institucionet tona e kanë harruar këtë ngjarje

 “Sa jemi të kënaqur po shihet, një guri me një pllakë 40 me 70 është vendosur, tre rreshta…Institucionet tona ishte dashur të përkujdesen jo vetëm për këtë, por posaçërisht për këtë… Jo kjo me u harru nuk ishte dashur, por fatkeqësisht kjo po harrohet, madje po harrohet edhe prej disa prej atyre që janë plagosur dhe kanë pësuar këtu. Kjo është tragjike, kjo nuk do shumë fjalë”, theksoi Barani.

Në anën tjetër, njëra ndër viktimat që ishte i pranishëm në këtë përkujtim, Azem Beqiri, rrëfeu gjëra të tmerrshme që kanë ndodhur atë ditë.

Beqiri:  Ka qenë trishtim i madh

 “Unë isha duke punuar këtu, kur papritmas ka kërsit një eksploziv, ndërsa unë isha rreth dy metra afër. Atë moment e kam hetuar veten sikur me më pre me një skalper dhe duke vrapuar rrugës, kam parë se e kam dorën e këputur… Në atë moment nuk kam parë të vdekur, por të plagosur. Ka shkuar një panik i madh sa që nuk mundem me përshkru… Tash kam shkuar në Turqi kam ngjitë protezë, e falënderoj Zotin së pari që kam shpëtuar, Ministrinë që më ka ndihmuar, dhe shumë shokë të cilët kanë kontribuuar për mua”, tha Beqiri.

Në sulmin në tregun e Mitrovicës që ka ndodhur më 13 mars të vitit 1999  patën gjetur vdekjen gjashtë qytetarë, ndërsa ishin plagosur rëndë 128 të tjerë. Shumë prej të plagosurve kanë mbetur invalidë të përjetshëm, ndërsa një numër i konsideruar i tyre mbajnë proteza në gjymtyrë. 

Përkujtohet 18 vjetori i masakrës në tregun e Mitrovicës

Sot përkujtohet 18 vjetori i masakrës në tregun e Mitrovicës, ku ushtria dhe policia serbe gjuajti tri granata me ç’rast gjetën vdekjen gjashtë persona, si dhe u plagosën rëndë e lehtë mbi 128 shqiptarë, pjesa dërrmuese e të cilëve mbetën invalid.

Përkujtimi i kësaj masakre do të bëhet në orën 14:20, në vendin ku ishte tregu i gjelbër në Mitrovicë, ku gjetën vdekjen një grua rome me një fëmijë dhe një vajzë.

Sipas organizatorëve të këtij përkujtimi, disa prej invalidëve më vonë vdiqën nëpër spitale të ndryshme, jo në Kosovë por jashtë Kosove.

“Shumë prej atyre që mbetën invalid, kanë mbetur pa dy këmbët siç është Behxhet Salih Haziri, 30 vjeç. Aktualisht jeton në Suedi. Këtij iu plagosen edhe vëllai, Xhaferi dhe babai, Salihu banorë të lagjes “Ura e Gjakut” në Mitrovicë, pa një këmbë, me një këmbë të çalë, pa gishtërinj të këmbëve, pa gishtërinj të duarve, me nga një dorë të paaftë për punë, me njërin sy të verbër, me veshë të shurdhër etj. Po ashtu edhe me të dyja këmbët e këputura, Rrahim (Zukë) Peci (63), i cili pas disa ditësh vdiq në një spital në Beograd. Po ashtu, në spitalin e Beogradit pati vdekur pas disa ditësh edhe Ragip (Rifat) Bajrami (50) nga fshati Koshovë e Bobit, banor i përhershëm i fshatit Fushë-Ibër (Zhabar). Pati edhe shumë tjerë të plagosur rëndë e lehtë emrat e të cilëve nuk kemi mundësi tua cekim kësaj radhe pasi janë të shumë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat