Në Mitrovicë u përkujtua pedagogu, dijetari dhe shkencëtari i shquar Ibrahim Gashi

Mitrovica

Në Mitrovicë u përkujtua pedagogu, dijetari dhe shkencëtari i shquar Ibrahim Gashi

Më: 27 maj 2017 Në ora: 17:38
Në Mitrovicë u përkujtua pedagogu, dijetari dhe shkencëtari i shquar. Ibrahim Gashi

Në pesëvjetorin e shkuarjes në amshim të atdhetarit dhe personalitetit të shquar të arsimit dhe shkencës shqiptare, ideatorit dhe themeluesit të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, Prof. Dr. Ibrahim Gashi, në Mitrovicë është përkujtuar jeta, puna dhe vepra që ai ka lënë trashëgim.

Në tubim ishin familjarët e tij që kishin ardhur nga Tirana, ku ka jetuar i ndjeri për shkak se ishte i burgosur dhe i përndjekur nga UDB-ja jugosllave, shkencëtarë,  intelektual, pedagog e bashkëveprimtarë të shumtë të këtij personaliteti, bir i shquar i Drenicës, i cili gjatë jetës së tij ka bërë shumë për Kombin e vet.

U tha se Ibrahim Gashi ishte intelektual i kalibrit të lartë, shkencëtarë në fushën matematikë-astronomi, hulumtues e krijues i pa lodhur, autor i tetë librave për kronologjinë dhe kalendarët, një temë unikale, që bëri hyrje në pasurinë e kulturës sonë kombëtare.

Po ashtu u tha se Ibrahimi po aq vizionar e prodhues u tregua edhe ën fushën historike-sociologjike, siç dëshmon vepra Kujtime nga koha e shkollimit dhe nga takimet e ndryshme për të ndjerin evokuan, Prof. Dr. Skender Skenderi, Sabri Maxhuni-Novosella, Prof. Dr. Nexhmedin Spahiu e të tjerë.

Për kontribut të jashtëzakonshëm në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, në avancimin e shkencës së astronomisë e matematikës, në zhvillimin e demokracisë dhe ndërtimin e lirisë në trojet arbërore, në themelimin dhe ngritjen e "Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare” etj., kryetari i Komunës, Agim Bahtiri i ndau një mirënjohje pas vdekjes së atdhetarit Gashi, e cila iu dorëzua familjarëve të tij.

Ibrahim Rrahim Gashi u lind më 23 gusht 1935, në Krujë në një familje atdhetare me origjinë nga fshati Kotorr i komunës së Skenderajt (Drenicë). I takon brezit të parë të maturantëve të Gjimnazit të Mitrovicës. Është njëri ndër pedagogët, dijetarët dhe shkencëtarët tanë më të shquar.

Pas përfundimit të Gjimnazit, në shtator të vitit 1955, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Beogradit, ku studioi në degën matematikë-astronomi. Ishte njëri ndër studentët më të mirë. Duke qenë se ishte njëri ndër studentët më aktivë në shoqatën studentore “Përpjekja”, organet e UDB-së e mbanin vazhdimisht në shënjestër. Kështu, në prag të diplomimit, në prill 1959, me disa studentë të tjerë shqiptarë, burgoset nga organet e UDB-së dhe me 15 qershor të atij viti dëbohet familjarisht për në Shqipëri.

Dr. Ibrahim Gashi, nga janari 1993 e deri shtator 1996, ka kryer detyrën e diplomatit (sekretar) në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Slloveni. Atje ndoqi çështjet e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e politikës, arsimit, kulturës, e mbrojtjes, si dhe çështjet konsullore. Në vitin 2007, botoi librin “Shqiptarët, Sllovenia dhe Ballkani i trazuar, sipas një diplomati”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat