Mitrovicasit presin forcim të institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve

Mitrovica

Mitrovicasit presin forcim të institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve

Më: 11 qershor 2017 Në ora: 13:48
Florije Aliu

Në jug të Mitrovicës sot janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Kosovë, ndërsa mbi 72 mijë qytetarë me të drejtë vote në këtë komunë, pritet të dalin dhe të hedhin votën e tyre.

Në njërën nga qendrat më të mëdha në këtë qytet, 1102 B në shkollën ‘Migjeni’, deri në mesditë është vërejtur numër i konsiderueshëm i qytetarëve të cilët kanë dalë për të votuar.

Hamdi Shyti, menaxher i kësaj qendre, ka bërë të ditur se vendvotimet, si dhe të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë.

Sipas tij, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është e mirë dhe gjithçka është duke shkuar në rregull.

Shyti: Nuk ka asnjë ankesë

 “Për momentin është mirë, të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë, vendvotimet janë hapur me kohë, janë gjithsej 19 vendvotime. Deri tani pjesëmarrja e qytetarëve është e mirë, nuk ka ndonjë ankesë të veçantë dhe gjithçka është në rregull”, ka thënë Shyti.

Në anën tjetër, qytetarët duke preferuar dalje në numër sa më të madh të votuesve, janë shprehur se ky proces zgjedhor është shumë i rëndësishëm për vendin. Ata presin forcimin e institucioneve shtetërore, ndërsa kishte edhe të tillë që u shprehën skeptikë në këtë drejtim. S

Haqir Behrami, ka shprehur dyshime rreth koalicioneve, për të cilat tha se përkundër marrëveshjeve të arritura mes tyre, ato për një kohë të shkurtër po prishen.

Behrami: Sa fillojnë koalicionet, prapë prishen

“Taman fillojnë prap prishet ai koalicion, fillojnë përsëri veç të shohim kësaj radhe, ndoshta ishalla po bëhet mirë. Masovikisht kisha preferu me votu popullata”, tha ai.

Izedin Krasniqi, tha se ky proces zgjedhor është më i rëndësishmi pas luftës. Sipas tij, Kosova gjendet para shumë sfidave dhe është nevojë e konsolidimit të të gjitha institucioneve shtetërore.

Krasniqi: Vendi gjendet para sfidave të mëdha, duhet forcim i sovranitetit të Kosovës

“Është një proces zgjedhor shumë i rëndësishëm, besoj më i rëndësishmi në periudhën e pasluftës. Vendi gjendet para shumë sfidave të mëdha, duhet një konsolidim, rindërtim dhe në njëfarë mënyre forcim i sovranitetit të shtetit dhe të gjitha institucioneve tjera, zhvillimit ekonomik”, ka thënë Krasniqi. 

Edhe Florije Aliu, ka ftuar qytetarët që të dalin në zgjedhje masovikisht dhe theksoi se pret më të mirat nga këto zgjedhje.

Aliu: Qytetarët të zgjedhin më të mirët, most ë pendohen pastaj

“Unë mendoj se atë çka japim edhe do ta marrim. Pres më të mirën. Qytetarët të dalin masivisht të votojnë dhe ne ta zgjedhin më të mirin, e mos të pendohen pastaj”, u shpreh ajo. Hetem Geci, ka potencuar se përveç forcimit të institucioneve të vendit, pret edhe lidhje të forta euro-atlantike. Geci: Ta çojmë shtetin përpara (video) “Pres forcimin e institucioneve shtetërore, forcimin e lidhjeve euro-atlantike, të shtetit të Kosovës, popullit të saj me të gjitha shtetet mike të cilat na kanë njohur dhe që do të na njohin. Mendoj se është një moment i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe të votojnë që ta çojmë shtetin tonë përpara”, theksoi Geci. Ndryshe, komunën e jugut të Mitrovicës janë gjithsej 28 qendra të votimit me 97 vendvotime dhe numri i votuesve është 72 mijë e 560.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat