Dalje shumë më e vogël në votime në bastionet e PDK-së

Mitrovica

Dalje shumë më e vogël në votime në bastionet e PDK-së

Më: 11 qershor 2017 Në ora: 17:51
Votimi ne Drenice

Procesi i votimit në Skenderaj dhe Drenas deri pasdite ka shkuar pothuajse pa asnjë incident, sidomos në qendrat e votimit nëpër qytete. Megjithatë, numri i votuesve deri në orët e pasdites ishte i vogël në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Menaxheri i qendrës me të madhe të votimit në komunën e Skenderajt në gjimnazin “Hamzë Jashari”  Selim Tahiraj tha për KosovaPress se hapja e vendvotimeve është bërë me kohë, derisa nuk ka pasur asnjë incident që do të prishte procesin e votimit.

Tahiraj: Nuk ka pasur asnjë incident në këtë qendër

“Po, të gjitha vendvotimet janë hapur në orën 07:00 sipas orarit dhe deri me tani nuk është shënuar asnjë incident as me i vogli në këtë qendër, pra po shkon sipas planifikimit...Po vërehet një numër i madh i votuesve që po vijnë të votojnë, kryesisht ky fluks po ndodh pas mëngjesit, por nuk kemi një numër të saktë përveç deri në orën 11 qe kanë dal diku 7 për qind. Por aktualisht nuk kemi rezultate të freskëta...Kjo qendër është më e madhja, ka 4 mijë e 600 votues”, tha Tahiraj.

Ndërsa, qytetarët që kryenin obligimin e tyre  për të votuar, shprehnin optimizëm se këto zgjedhje do të sjellin diçka me të mirë për qytetarët.

Avdyl Nuredini, edhe pse në moshë të shtyrë kishte dal për të votuar, derisa thotë për KosovaPress, se presim që të bëhet më mirë për qytetarët.

Nuredini: Presim që të bëhet më mirë për neve

“Presim mirë, edhe ka me u ba mirë. Ata që fitojnë sigurisht janë me të mirët sepse populli i ka besuar...po more përditë po bëhet më mirë, përditë po shohim gjëra të mira”, tha Nuredini.

Edhe Hajzer Zyhranaj pret nga Qeveria e ardhshme që të punojë me shumë për popullin, pasi sipas tij, qeveritarët janë mësuar vetëm për vete.

Zyhranaj: Ndoshta Qeveria e re punon për këtë popull

“Ndoshta Qeveria e re na ndihmon sepse populli marun...u luta me qenë një Qeveri më e mirë me e ndihmu popullin, t’i ndihmoj të varfërit, t’i punësojë qytetarët...mirëpo s’dihet qysh bahet sepse janë mësuar më hangër hajnat her knej her anej, ndoshta i kanë lënë ato gjëra mos me vjedh më....Unë jam tesh, as nuk kam të ardhura, as pension s’kam, sepse s’po ma pranojnë, as asgjë, qysh me jetu unë”, u shpreh ai.

Edhe në komunën e Drenasit votimi që nga mëngjesi është zhvilluar pa ndonjë ncident.

Shefqet Bytyqi, menagjer i qendrës me të madhe votuese në Drenas në shkollën fillore “Rasim Kiqina” tha për KosovaPress, se nuk ka pasur incidente, porse dalja në votime ka qenë e ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Bytyçi: Incidente nuk ka pasur, por dalja është e vogël

“Kjo qendër ka filluar në orën 07:00 me rregull. Kjo qendër i ka 3 mijë e 999 votues. Deri në orën 15:00 kanë votuar 956 votues, apo rreth 24 për qind. Deri me tani nuk ka pasur asnjë rast apo incident që vlen të theksohet për opinion...Unë pres me shumë dalje dhe bëj apel që të dalin më shumë, sepse ndoshta për shkak të ramazanit, por nuk e di pse është numri kaq i vogël i daljes, sipas përvojës zakonisht dalin pasdite, shpresoj se do të dalin”, tha Bytyçi.

Ndërsa, Asim Gashi, qytetar nga Drenasi, pasi ka votuar, theksoi për KosovaPress, se ka dal për të votuar duke menduar për një të ardhme me të mirë për fëmijët e tyre.

Gashi: Dola për të votuar për një të ardhme me të mirë për fëmijët tanë

“Besoj që deri me sot janë mbushur mend të gjitha qeveritë. Pa marr parasysh kush fiton secili e ka atë bindjen e vet dhe mendoj që tash e tutje duhet të punojnë me korrekt. Ju po e shihni sa kemi mbetur mbrapa, rinia, papunësia, gjithçka dhe kjo po na shtynë për një të ardhme me mirë të fëmijëve tanë që me dal me votu dhe i kisha lutur të gjithë që të dalin të votojnë për arsye për një të ardhme me të mirë”, u shpreh Gashi. Dy komunat Skenderaj dhe Drenasi kanë mbi 100 mijë votues me të drejtë vote. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat