Në Mitrovicë edhe të premten organizohen aktivitete të shumta kundër rrezikut nga loja “Balena Blu”

Mitrovica

Në Mitrovicë edhe të premten organizohen aktivitete të shumta kundër rrezikut nga loja “Balena Blu”

Më: 22 qershor 2017 Në ora: 16:23
Zyrtarët Komunal diskutojnë për “Balena Blu”

Me qëllim të evitimit të rrezikut  dhe mbrojtjes nga më e keqja të përdoruesve të rrjeteve sociale nga loja “Blue Whale Game”, përkatësisht “Balena Blu”, apo siç po quhet ndryshe edhe “Loja Vetëvrasëse”, nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, ka organizuar një takim më përfaqësuesit e Drejtorisë së Arsimit, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe përfaqësuesit e policisë së Kosovës, në të cilën është folur për shqetësimin e arsyeshëm të prindërve, familjarëve, institucioneve dhe në përgjithësi të shoqërisë, për rrezikun e madh që u kanoset atyre që eventualisht mund të kyçen në këtë lojë tepër të rrezikshme.

Në takim u tha se shqetësimi i prindërve, familjarëve e shoqërisë, si dhe i institucioneve edukativo-arsimore dhe të tjera për rrezikun që u kanoset fëmijëve nga kjo lojë, është shumë i arsyeshëm , prandaj edhe shtrohet nevoja që të merren një varg aktivitetesh dhe masash për sensibilizimin e fëmijëve e të rinjve, prindërve dhe në përgjithësi të qytetarëve, për këtë rrezik.

Po ashtu, në takim u u konstatua se është i domosdoshëm angazhimi shumë më i madh i institucioneve, shoqërisë dhe asociacioneve të ndryshme, që të kyçen në forma të ndryshme në aktivitetet për evitimin e rrezikut që u kanoset fëmijëve dhe të rinjve nga kjo lojë tepër e rrezikshme, që mund të ketë pasoja të rënda për ata që përfshihen në të.

Përveç obligimit të prindërve dhe familjarëve të fëmijëve, u shtrua nevoja e angazhimit të mëtutjeshëm në këtë drejtim edhe të institucioneve edukativo-arsimore,të cilat të martën ia kanë kushtuar një orë kësaj problematike.

Aktivitetet do të vazhdojnë nëpër Bashkësi lokale dhe në  Bashkësinë Islame e gjetiu, me qëllim  që të bisedohet në mënyrë intensive me fëmijë dhe të rinj, për t’i bindur ata se nuk duhet të kyçen në asnjë mënyrë në një lojë të këtillë që mund të përfundoj tragjikisht për ta.

Bisedat në këtë temë me prindër, fëmijë e të rinj, do të mbahen edhe në ditën e premte, kur nëpër Bashkësi lokale do të organizohen takime me prindër e fëmijë, për t’i sensibilizuar për rrezikun që u kanoset atyre. Po ashtu, të premten nëpër të gjitha xhamitë e Mitrovicës, imamët do tu flasin besimtarëve në këtë temë, ashtu sikur që për këtë rrezik do të flitet edhe në takimin me qytetarë, që kryetari i Komunës, Agim Bahtiri do ta organizoj javën e ardhshme.

Në të gjitha këto takime do të kërkohet nga fëmijët që të mos kyçen në këtë lojë vdekjeprurëse, ndërsa që nga prindërit dhe arsimtarët do të kërkohet që të jenë shumë më të kujdesshëm ndaj fëmijëve e të rinjve, duke i përcjell maksimalisht aq sa është e mundur veprimet e tyre dhe ofrimi i këshillave që këto ditë t’i përdorin sa më pak rrjetet sociale, me qëllim të evitimit të mundësisë për përfshirje në këtë lojë fatale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat