Rrahman Rama shpallet Qytetar Nderi i Mitrovicës

Mitrovica

Rrahman Rama shpallet Qytetar Nderi i Mitrovicës

Më: 30 qershor 2017 Në ora: 14:18
Agim Bahtiri dhe Rrahman Rama

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, u shpall Qytetar Nderi i Mitrovicës.

Ky titull iu dha sot gjatë një seance solemne nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, në shenjë mirënjohjeje e respekti për kontributin e dhënë për Mitrovicën, Kosovën dhe çështjen kombëtare në përgjithësi.

 Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se qytetarët e Mitrovicës e obligojnë që të çoj në vend vullnetin e tyre për të shpallur Rrahman Ramën Qytetar Nderi të Mitrovicës.     

Bahtiri: Rrahman Rama ka qenë i lidhur jetësisht me Mitrovicën dhe qytetarët e saj

 “Duke qenë se Rrahman Rama ka qenë i lidhur jetësisht me Mitrovicën dhe qytetarët e saj, ka ndihmuar, mbështetur dhe përkrahur Mitrovicën dhe qytetarët e saj në momentet më të vështira, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, duke qenë se Rrahman Rama sërish ka vullnetin të vazhdojë të jetë i lidhur jetësisht me qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj, duke qenë se ai shpreh çdoherë gatishmëri dhe vullnet për të mbështetur Mitrovicën dhe t’i ndihmojë asaj kur është më se e nevojshme, qytetarët e Mitrovicës më obligojnë që të artikuloj dhe të çoj në vend vullnetin e tyre për të shpallur Rrahman Ramën Qytetar Nderi të Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, gjenerali Rama tha se ndjehet i privilegjuar tejmase për nderin që i ka bërë sot qyteti i Mitrovicës. Sipas tij, shërbimi për të gjithë qytetarët e Kosovës për nderimin e një vendi të lirë dhe me prosperitet, gjithmonë ishte dhe do të mbetet prioritet i tij profesional.

 Rama: Ky është ndër çmimet më të veçanta që kam pranuar ndonjëherë

 “Unë gjatë gjithë karrierës time kam marrë shumë shpërblime, mirënjohje e çmime të ndryshme, por ky çmim është i pakrahasueshëm dhe ndër çmimet më të veçanta që kam pranuar ndonjëherë... Shërbimi për të gjithë qytetarët e Kosovës për nderimin e një vendi të lirë dhe me prosperitet gjithmonë ishte dhe do të mbetet prioritet imi profesional, pavarësisht pozitës ku jam... Është obligim i të gjithë neve që të respektojmë amanetin e dëshmorëve dhe gjakun e derdhur për këtë vend, që të punojmë dhe kontribuojmë për ndërtimin e shtetit të lirë dhe demokratik dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Ne kemi obligim të vendosim mbi bazën e themeleve të shëndosha për gjeneratat e reja që ata të vazhdojnë zhvillimin e Republikës së Kosovës, ku të gjithë do të gëzojnë të drejtat dhe mundësitë e barabarta”, theksoi Rama.

Ai tha se këtë çmim ia dedikon familjes së tij në radhë të parë, si dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë kohës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat