Pusetat pa kapakë, rrezik për qytetarët e Mitrovicës

Mitrovica

Pusetat pa kapakë, rrezik për qytetarët e Mitrovicës

Më: 13 korrik 2017 Në ora: 14:49
Qytetarët i bëjnë thirrje urgjente Komunës së Mitrovicës që të vendosen sa më parë kapakët e të gjitha pusetave aty ku mungojnë.

Mungesa e kapakëve të pusetave nëpër rrugët dhe trotuaret e Mitrovicës përbën rrezik permanent për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Qytetarët i bëjnë thirrje urgjente Komunës së Mitrovicës që të vendosen sa më parë kapakët e të gjitha pusetave aty ku mungojnë, në mënyrë që të parandalohet më e keqja dhe të mbrohet jeta e qytetarëve nga aksidentet e mundshme.

Enver Osmani nga Mitrovica, tha se këto puseta janë rrezik permanent për qytetarët.

 Sipas tij, Komuna e Mitrovicës është më mirë të kursejë paratë e qytetarëve nga drekat dhe darkat, dhe të investojë në rregullimin e këtyre pusetave.

Osmani: Kam parë një fëmijë kur ka lënduar gjurin në këtë pusetë

 “Këto puseta janë rrezik permanent për qytetarët. Kam parë vet një rast kur një fëmijë ka lënduar këtu gjurin. Dhe, në vend se Komuna ta rregullojë këtë pusetë, duke ndaluar darkat dhe shpenzimet tjera të tyre, sepse më mirë kishte me qenë ta rregullojë këtë për qytetarët”, ka thënë Osmani.

Besa, një qytetare tjetër nga Mitrovica, fajëson komunën për pusetat e hapura. Ajo bëri të ditur se kishte rënë edhe vet në njërën prej këtyre pusetave, me ç’rast kishte lënduar këmbën.

Besa: Më ka ndodhur edhe mua të lëndohem

 “Kjo është rrezik për qytetarët dhe kjo varet krejt prej Komunës…Komuna i ka fajet dhe kjo është rrezik për fëmijët e vegjël dhe për të gjithë… Po, më ka ndodhur edhe mua të lëndohem, por në pjesën tjetër të qytetit. Ka qenë e hapur puseta dhe kam rënë me njërën këmbë...Pak jam lënduar”, tha ajo.

Edhe Ramadan Zejnullahu, qytetar, ka potencuar se pusetat e hapura përbëjnë rrezik për qytetarët në përgjithësi, por për të moshuarit dhe fëmijët në veçanti. Ai akuzoi Komunën, përkatësisht njeriun numër një të saj, duke thënë se kryetari duhet të angazhohet më shumë për identifikimin e problemeve të qytetarëve.

 Zejnullahu: Pusetat duken problem i vogël, por mund të jenë fatale

 “Çdo njeri i vetëdijshëm e din se kjo paraqet rrezik, sidomos për njerëzit e moshuar, për fëmijët në përgjithësi. Kishte me qenë e dëshirueshme sa më shpejtë me I mbyllë këto puseta, sepse nuk kërkojnë investime të mëdha këto…Normalisht, njeriu I parë I Komunës duhet pak më tepër me u angazhu…Kishte me qenë mirë që këto gjëra të cilat për dikë mund të duken elementare, por mund të jenë edhe vdekjeprurëse”, theksoi Zejnullahu.

 Në anën tjetër, Besnik Beka, drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike në Mitrovicë, theksoi se kapakët e pusetave janë duke u vjedhur nga persona të papërgjegjshëm.

 Sipas tij, Komuna kohë pas kohe është duke vendosur kapakë nëpër vende ku vërehet mungesa e tyre, mirëpo, siç u shpreh ai, është vështirë të evidentohet secili kapak veç e veç, kur dihet se numri i tyre është mbi 3 mijë në tërë qytetin.

 Ai premtoi se problemi i kapakëve të pusetave do të zgjidhet më së largu brenda tre ditësh.

: Do të bëjmë të pamundurën që të gjitha pusetat nëpër rrugë të jenë funksionale

“Këto janë puseta që kanë kapakë të hekurit të cilat realisht janë duke u vjedhur nga persona të papërgjegjshëm…Kështu që kohë pas kohë kur po i vërejmë se i ka marr dikush, ne po i ndërrojmë…Ndërsa sa i përket kapakëve të pusetave nëpër trotuare, ne kemi një kontratë për rivitalizimin e trotuareve, operatori ka një kontratë tre vjeçare, ai është duke punuar kohë pas kohe për ndërtimin e atyre trotuareve…Mirëpo, ne do të bëjmë të pamundurën që sikurse pusetat nëpër trotuare ashtu edhe të tjerat nëpër rrugë të jenë funksionale… Kështu që, ashtu siç është zotuar edhe operatori, brenda dy tre ditësh aty ka me përfundu edhe çështja e kapakëve”, sqaroi drejtori Beka.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat