Refuzohet kërkesa për faljen e xhumasë tek ura e Ibrit

Mitrovica

Refuzohet kërkesa për faljen e xhumasë tek ura e Ibrit

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 12:04
Foto arkiv

Kërkesa e përfaqësuesve të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, si dhe e disa individëve, drejtuar organeve gjegjëse të veriut për faljen e namazit të xhumasë sot tek vendi ku para luftës ekzistonte xhamia e Ibrit në Mitrovicë, përkatësisht pranë cepit verior të urës kryesore mbi Ibër, nuk është aprovuar.

Kjo për shkak se akoma nuk janë krijuar rrethanat e duhura të sigurisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Kp, kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Burim Veliu. Sipas tij, pas bisedimeve të një grupi të xhematlinjëve, e pastaj edhe të përfaqësuesve të BI-së me organet gjegjëse të policisë së veriut, nuk është arritur një marrëveshje e tillë.

“Kemi kërkuar nga policia, nuk na është mundësuar dhe nuk kemi me fal namazin e xhumasë sot në atë vend. Shpresoj se një gjë e tillë do të realizohet herave tjera”, ka thënë shkurt Veliu.

Ai shtoi se rreth kësaj çështje ka biseduar edhe me kryetarin e jugut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për të kërkuar mbështetjen e tij në këtë drejtim.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka bërë të ditur se një kërkesë e tillë për faljen e xhumasë ka ardhur nga një grup individësh, përkatësisht tre persona.

“Pas vlerësimit të situatës së përgjithshme dhe asaj të sigurisë, është marrë vendim që të refuzohet për sot kërkesa e këtyre personave”, theksoi Hoti, duke shtuar se pret që në të ardhmen kërkesat e tilla të vinë në formën zyrtare nga organet përgjegjëse. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat