Karateisti Enver Idrizi u shpall Qytetarë Nderi i Mitrovicës

Mitrovica

Karateisti Enver Idrizi u shpall Qytetarë Nderi i Mitrovicës

Më: 24 korrik 2017 Në ora: 17:33
Enver Idrizi

Në një mbledhje solemne të Kuvendit të Komunës, kryetari Agim Bahtiri, ia ka dorëzuar simbolikisht çelësin e qytetit të Mitrovicës, karateistit të njohur shqiptarë me famë botërore, Enver Idrizit, me iniciativën e të cilit Idrizi është shpallur Qytetarë Nderi i Mitrovicës. Mbledhjen e KK-së e  drejtoi Bislim Imeri, ndërsa që në të, përveç këshilltarëve, ishin të pranishëm edhe mysafirë të tjerë të shumtë nga Kosova, shqipëria, Maqedoni dhe diaspora.

Kryetari Bahtiri tha se Enver Idrizi, ky sportist i madh me famë botërore, është krenaria e shqiptarisë, sepse ai krahas rezultateve kulminante që i arriti në sportin e popullarizuar të karatesë, në të gjitha garat që mori pjesë në tërë rruzullin tokësor, me krenarinë më të madhe potenconte përkatësinë e tij etnike shqiptare dhe lidhjet e gjakut dhe shpirtërore me popullin e kombin e tij.

“Përveç kësaj, Enveri  bëri çmos që të ndihmojë shqiptarët kudo që ishin e në veçanti kosovarët, para,  gjatë dhe pas luftës. Ai njihet si bamirës i madh, që bëri edhe të tjerët të japin e ndihmojnë shumë kosovarët e zhvendosur nga lufta, që u desh të kërkonin shpëtim në Kroaci, Shqipëri,  Evropë e gjetiu. Ndërsa, pasi Kosova u çlirua dhe shqiptarët morën veten, Enveri nisi të kontribuojë ndryshe për vendin e çliruar nga Serbia. Prandaj, ne, këtu në Mitrovicë, nuk po e respektojmë Enverin vetëm për sukseset e jashtëzakonshme sportive, por edhe për kontributin e madh që dha për Kosovën, popullin e saj dhe shqiptarët në përgjithësi. E nder më të madh për ne, se ta shpallim Enver Idrizin Qytetarë Nderi të Mitrovicës, nuk ka”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Kryesuesi i Kuvednit të Komunës, Bislim Imeri, në fjalën e tij tha se me iniciativën e kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, në mbledhjen e mbajtur më 27 prill të këtij viti, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, mori vendim që sportistit, patriotit dhe humanistit tonë të njohur, Enver Idrizi, t’i jepet  Titulli “Qytetar Nderi” i Mitrovicës.  me motivacion: “Për kontributin e dhënë në sport dhe përfaqësimin e denjë të shqiptarëve anembanë botës; për kontributin e madh  dhënë luftës çlirimtare të Kosovës në aspektin financiar, për ndihmën e madhe për familjet e shumta shqiptare gjatë luftës për pavarësi të Kosovës në aspekte të ndryshme, duke përfshi këtu edhe atë strehimor”.

Ai në vazhdim tha se Enver Idrizi ka fituar rreth 15 tituj të ndryshëm, duke përfshi këtu edhe titullin e kampionit, në ish Federatën Jugosllave, ndrysa që sukseset i ka radhitur një pas një pothuaj në gjithë Botën, duke u bërë kampion i karatesë në Ballkan, Evropë e Botë. “Në vitin 1993 dhe 1995 ishte kampion i karatesë në Evropë, Kampion i Botës në karate ishte tri herë:më 1995 në Gjermani, më 1996 në Amerikë dhe më 2001 në Prishtinë”, tha kryesuesi Imeri.

Më gjerësisht për veprimtarinë sportive, patriotike e bamirëse të karateistit të madh shqiptarë, foli nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka. Ai tha se tha se është nder i madh që në një mbledhje solemne të Kuvendit të Komunës të flitet për një njeri të madh, për një njeri që ndër të parët ngriti lart emrin e popullit tonë, qysh 25 vjet më parë, e mbase edhe më herët.

Në vazhdim, Mujka tha se sportisti me nam Enver Idrizi, është ky njeri i madh për të cilin po flitet në këtë mbledhje dhe se ai është ndër të parët shqiptarë që na bëri të ndihemi dikush në botë, teksa merrnim vesh se po bënte kërdi në sportin e karatesë, gjithandej globit.

“Enver, me respektin më të madh dhe me mirënjohjen më të madhe, Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe Kuvendi i Komunës, në emër të qytetarëve të Mitrovicës po të shpallin, po pranove sigurisht, qytetar nderi të qytetit tonë me nam, më i miri, më i famshmi dhe më i lakmuari qytet i Kosovës”, iu drejtua karateistit Enver Idrizi, nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat