Kryetari Bahtiri vlerëson angazhimin dhe bashkëpunimin e zjarrfikësve shqiptarë dhe serbë në shuarjen e zjarreve

Mitrovica

Kryetari Bahtiri vlerëson angazhimin dhe bashkëpunimin e zjarrfikësve shqiptarë dhe serbë në shuarjen e zjarreve

Më: 8 gusht 2017 Në ora: 11:07
Agim Bahtiri

Janë lokalizuar me sukses dy zjarret e fuqishme që përfshinë të shtunën dhe të dielën mbi 100 hektarë pyje, në dy lokacione të ndryshme të Komunës së Mitrovicës.

Zjarri  përreth Kodrës së Cërnushës në fshatin Kqiq kishte rrezikuar edhe shtëpitë e disa lagjeve në këtë fshat dhe vetëm falë angazhimit dhe mobilizimit të madh të njësive të zjarrfikësve, por edhe të vetë qytetarëve, shtëpitë janë shpëtuar pa i përfshi zjarri.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, kanë qenë të angazhuar maksimalisht në organizimin e operacionit dhe marrjen masave për lokalizimin e zjarreve dhe shpëtimin nga zjarri të shtëpive të banuara. Ata e kanë menaxhuar situatën vazhdimisht nga afër.

Në operacione për shuarjen e zjarreve kanë qenë të angazhuar dhjetëra zjarrfikës me automjetet e tyre nga Mitrovica Jugore, Mitrovica Veriore, Skenderaj dhe Zveçani. Operacionet ishin të organizuara mirë dhe ekipet funksionin suksesshëm. Ishin të angazhuar në shuarjen e zjarreve edhe një numër i madh i banorëve që jetonin përreth zonave të përfshira nga zjarri.

Image

Duke vlerësuar angazhimin maksimal dhe punën e madhe që kanë bërë në lokalizimin e zjarreve dhe evitimin e pasojave të rënda që kanë mundur të ndodhin, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri falënderon të gjithë zjarrfikësit që kanë marrë pjesë në operacion dhe banorët e fshatrave përreth.

Kryetari Bahtiri në veçanti vlerëson lartë bashkëpunimin e zjarrfikësve shqiptarë dhe serbë, të cilët u angazhuan maksimalisht dhe me përkushtim për shuarjen e zjarreve që kishin rrezikuar shumë shtëpi shqiptare që gjendeshin përreth zonave ku ato ndodhën.

Ai në vazhdim thotë se ky është një shembull i mirë se si mund të bashkëpunohet dhe të organizohen shërbime të përbashkëta të komunave në dobi të qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat