Mbi 350 mijë dollarë donacion për shëndetësinë në Mitrovicë

Mitrovica

Mbi 350 mijë dollarë donacion për shëndetësinë në Mitrovicë

Më: 9 gusht 2017 Në ora: 13:53
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri

Një donacion nga "Globus Relief" në SHBA, përmes “Islamic Relief-Kosova" që përmban paisje dhe material harxhues me vlerë 353 mijë e 758 dollarë amerikan, i është dhuruar sot Rrjetit të Qendrave Klinike të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë.

Gjatë ceremonisë së pranimit të donacionit, u tha se vlera e tregut mendohet të jetë disa herë më e lartë, ndërsa rrjeti i QKMF-së në Mitrovicë nuk do të ketë mungesë sa i përket materialit harxhues së paku 3-4 vitet e ardhshme.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar përfaqësuesit e ‘Islamic Relief – Kosova’, për siç tha ai, punën e pakursyer që ka bërë kjo organizatë për qytetarët e Mitrovicës.

Bahtiri: Ky është projekti i 15-të me radhë nga kjo organizatë për mitrovicasit

“Kjo organizatë ka ndihmuar çdoherë komunën e Mitrovicës, ky është projekti ndoshta i 15-të me radhë, që përmban ndihma në shëndetësi me vlerë mbi 350 mijë dollarë. Ky çmim është i fabrikës, jo i shitjes…Në emër të qytetarëve të Mitrovicës falënderoj për punën e pakursyer që kanë bërë”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, drejtori i ‘Islamic Relief Kosova’, Ramadan Berisha, ka premtuar se organizata të cilën ai udhëheqë, nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë aktivitetin e saj humanitar në disa fusha.

Sipas tij, do të vazhdohet me projektet të cilat kanë për qëllim të nxjerrin njerëzit nga varfëria, siç janë projektet e jetesës së qëndrueshme dhe projektet në punësim.

Berisha: Fusha e shëndetësisë është njëra prej fushave në të cilën jemi aktivë

“Islamic Relief’ në Kosovë si pjesë e rrjetit të madh global Islamic Relief në botë, do të vazhdojë patjetër aktivitetin e saj humanitar në disa fusha. Fusha e shëndetësisë është njëra prej fushave në të cilën jemi aktivë, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë globin. Gjithsesi fokusimi ynë mbetet në rajonet të cilat kanë nevojë më së shumti. Fatkeqësisht Mitrovica është njëri prej këtyre rajoneve në Kosovë…Do të vazhdojmë aktivitetin tonë humanitar në të gjitha aspektet.. projektet të cilat kanë për qëllim të nxjerrin njerëzit nga varfëria, siç janë projektet e jetesës së qëndrueshme dhe projektet në punësim”, theksoi Berisha.

Ndryshe, organizata ‘Islamic Relief ‘ kishte ndihmuar vitin e kaluar Ministrinë e Shëndetësisë dhe QKUK-në me mbi 3.5 milionë dollarë material dhe paisje të ndryshme për shëndetësi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat