Familja e Bajram Rexhepit ka një kërkesë për Institutin e Mjekësisë Ligjore

Mitrovica

Familja e Bajram Rexhepit ka një kërkesë për Institutin e Mjekësisë Ligjore

Më: 24 gusht 2017 Në ora: 21:46
Vajza e Bajram Rexhepit

Mendohej se sot gjatë ditës do të përfundonin gërmimet në Suhadoll të Mitrovicës në kërkim të mbetjeve mortore të një viktime të luftës së fundit në Kosovë.

Mirëpo, porsa ka nisur punën ekskavatori është tërhequr nga vendi ku po zhvilloheshin gërmimet.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliun, i cili tha se gërmimet janë ndërprerë me kërkesën e familjarëve të ish-kryeministrit të ndjerë, Bajram Rexhepit, për shkak se ishin duke u zhvilluar shumë afër shtëpisë së familjes Rexhepi ku edhe ishin hapur dyert për ngushëllime.

“Me kërkesën e familjarëve të të ndjerit kam kontaktuar ekipin e mjekësisë ligjore në vendin e ngjarjes që të largohen dhe gërmimet do të vazhdojnë pasi që të përfundojë ceremonia e ngushëllimeve” tha Gërxhaliu.

Më tej Gërxhaliu theksoi se këto gërmime kanë pasur të fillojnë të martën, në ditën e varrimit të ish-kryeministrit të Kosovës dhe të njëjtat janë shtyrë pikërisht për këtë arsye.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte shpallur ditën e martë ditë zie në vend në nderim të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, vdiq më 21 gusht të këtij viti në moshën 63-vjeçare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat