Kurti: Synojmë me mendje dhe duam me zemër një Mitrovicë të zhvilluar

Mitrovica

Kurti: Synojmë me mendje dhe duam me zemër një Mitrovicë të zhvilluar

Më: 28 shtator 2017 Në ora: 20:12
Albin Kurti

Gjatë tubimit elektoral të mbajtur sot në Mitrovicë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i sigurt në fitoren e kësaj Lëvizje në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Ai tha se Vetëvendosja synon një Mitrovicë të bashkuar e të zhvilluar, ndërsa lavdëroi kandidatin e kësaj Lëvizje për kryetar komune, Fehmi Feratin, duke thënë se është më i miri ndër kandidatët tjerë.

Kurti: Synojmë me mendje dhe duam me zemër një Mitrovicë të zhvilluar

“Me Vetëvendosje ne synojmë me mendje dhe duam me zemër një Mitrovicë të zhvilluar, të bashkuar, një Mitrovicë prej nga nuk ikë popullsia, por punësohet rinia. Së bashku do ta ndryshojmë komunën, sepse duam ta ndryshojmë veten, do ta përmirësojmë komunën, sepse duam ta përmirësojmë jetën. Po, Feha është hajgaregji, por jo sa Agimi. Valdetja është serioze, por jo sa Feha. Serioziteti i këtyre të tjerëve është qesharak, edhe humori i Fehmi Feratit është serioz”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Ndërsa, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka potencuar shkatërrimin e këtij qyteti, duke përmendur edhe kontrabandën, e cila po zhvillohet gjithnjë e më shumë përmes, siç u shpreh ai, Veselinoviqit në veri, e Veselit në jug.

 Ymeri: VV doli e para në Mitrovicë

“Mitrovicali, qytetin juve ua ndan, Trepçën po ua shkatërrojnë, pasurinë ua vodhën, uzurpuan, shitën e privatizuan, vendet e punës ua morën, lumin Ibër e shndërruan në një vijë ndarëse, ndërkohë që urën mbi të në vijë të kontrabandës, vijë që lidhë krimin e organizuar, Veselinoviqi në veri, Veseli këtu në jug. Por ju asnjëherë nuk u dorëzuat karshi kësaj. Në këmbë po qëndroni, kurrizin drejt e ballin lart. Gradualisht, por sigurt, po ua ktheni atë që ua kanë vërë që 18 vite. Ua kthyet më 11 qershor. Ua shkundët dritat koalicioneve të territ. VV doli e para në Mitrovicë. E tash do t’ua ktheni edhe më 22 tetor, që Mitrovicës t’ia ktheni ndriçimin e shkëlqimin, dinjitetin e qytetit, mirëqenien dhe barazinë, drejtësinë dhe demokracinë”, tha ai.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës nga radhët e kësaj Lëvizje, Fehmi Ferati, ka përmendur premtimet megalomane të premtuara në të kaluarën nga ana e pushtetarëve të tanishëm, të cilat i quajti tallje me qytetarët e Mitrovicës.

Ferati: Këta politikanë kanë bërë hajgare me qytetarë

“Të dashur qytetarë, a ju kujtohet parku botanik, 7 milionë euro të investuara në Shalë, 200 mijë vende të punës plus 120 mijë tjera, 15 mijë vende të punës vetëm në Mitrovicë, a ju kujtohet kur na punësuan nga një anëtar për çdo familje, ngrohja me fara të kumbullave, dhe këta politikanë kanë bërë hajgare me qytetarë”, theksoi Ferati.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat