Ministri Sefaj vizitoi Mitrovicën

Mitrovica

Ministri Sefaj vizitoi Mitrovicën

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 14:08
Vizita e Sefajt

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, me bashkëpunëtorë, ka qëndruar në Mitrovicë, me ç’rast është pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i cili e ka njoftuar atë për situatën e përgjithshme në Komunën e Mitrovicës.

Fillimisht ministri Sefaj, pasi e përgëzoi kryetarin Bahtiri për punën e mirë që ka bërë si kryetar i Mitrovicës gjatë katër viteve të fundit, tha se qëllimi i vizitës së tij në qytetin buzë Ibrit është që të njihet drejtpërsëdrejti me gjendjen e përgjithshme aktuale në Komunë, me theks të veçantë për atë të sigurisë, rendit dhe qetësisë publike, pasi që Mitrovica ka një rëndësi te veçantë për shkak të specifikave të saj dhe zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë periodës së pas luftës së fundit.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi e falënderoj ministrin Sefaj për vizitën që po i bënë Mitrovicës, shkurtimisht e njoftoj atë për punën e madhe që është bërë gjatë këtij mandati qeverisës në realizimin e projekteve të shumta në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, në fushën e mirëqenies sociale, zhvillimin ekonomik etj, duke vlerësuar njëkohësisht se ato e kanë përmirësua dukshëm cilësinë e jetës së qytetarëve të Mitrovicës.

Në vazhdim kryetari Bahtiri e njoftoj më gjerësisht ministrin Sefaj me situatën e sigurisë, rendit dhe qetësisë publike në Mitrovicë, duke i thënë se gjatë këtyre katër viteve janë bërë kthesa të jashtëzakonshme pozitive, duke e shndërruar Mitrovicën nga një qytet i pasigurt e me probleme të shumta të të gjitha natyrave, në një qytet plotësisht normal, të stabilizuar dhe njërin ndër qytetet më të sigurta në vend.

“Kur kam ardhur në krye të Komunës, Mitrovicën e kam gjetur me tela gjembor, dhjetëra barrikada, me mijëra incidente ndëretnike e të tjera, me raste të shumta të krimit të organizuar e kontrabandës. Mirëpo, falë punës së madhe politike që kemi bërë me qytetarë, falë vetëdijesimit të tyre dhe mbi të gjitha punës së jashtëzakonshme që kanë bërë policia e Kosovës dhe organet tjera të sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare, me të cilat kemi pas bashkëpunim të shkëlqyer, Mitrovica sot është një nga qytetet më të sigurta në vend, ku krimi e kontrabanda, incidentet ndëretnike dhe të tjera kanë shënuar rënie të vazhdueshme”, tha ai.

Kryetari Bahtiri i tha ministrit Sefaj se janë relaksuar shumë raportet ndëretnike në Mitrovicë, gjë që flet edhe fakti se gjatë katër viteve të fundit ka pas më pak se dhjetë incidente ndëretnike, ndërkohë që komunikimi ndërmjet qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike dhe drejtuesve të të dyja komunave të Mitrovicës, është në rritje e sipër.

Kryetari Bahtiri me këtë rast kërkoi nga Ministri Sefaj që për sigurinë, rendin dhe qetësinë e qytetarëve të lagjeve veriore që i takojnë Komunës së Mitrovicës Jugore, të përkujdesen policët e stacionit jugor, e jo ata të stacionit verior të policisë dhe se kjo është kërkesë e vet qytetarëve të këtyre lagjeve, sepse kështu ata po ndihen më të sigurt.

Ministri Sefaj tha se po ndjehet shumë mirë pasi dëgjoi për këto suksese të arritura dhe për stabilizimin e plotë të gjendjes në qytetin e Mitrovicës. Ai tha se do të shqyrtoj me kujdes kërkesën e qytetarëve të lagjeve veriore që i takojnë Mitrovicës Jugore dhe se pasi të bëjë analizat dhe vlerësimet e nevojshme me bashkëpunëtorë, do të marrë shpejt vendimin e duhur.

“Mirëpo, sido që të jetë vendimi, ju garantoj se ju si drejtues të komunave dhe qytetarët e Mitrovicës do të kenë mbështetjen dhe ndihëm e plotë të policisë së Kosovës dhe se bashkërisht do të kontribuojmë në stabilizimin e mëtutjeshëm të situatës së sigurisë, rendit dhe qetësisë publike”, tha ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat