Lajm i keq për Agim Bahtirin

Mitrovica

Lajm i keq për Agim Bahtirin

Më: 24 tetor 2017 Në ora: 20:39
Agim Bahtiri

Një billbord i Agim Bahtirit i vendosur afër një shkolle i ka kushtuar 1100 euro gjobë subjektit të tij.

Subjektit politik Aleanca për Kosovën e Re (AKR) i ka kushtuar 1100 euro një billbord i vendosur afër shkollës fillore “Migjeni” në Mitrovicë gjatë heshtjes zgjedhore.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur me këtë shumë AKR-në për thyerje të heshtjes zgjedhore, me detyrimin që subjekti ta paguajë gjobën në afat prej 15 ditëve.

Ankesën në lidhje me këtë billbord e bëri BIRN dhe Internews Kosova nën pretendimin për thyerje të heshtjes zgjedhore.

Paneli pranoi si të bazuara pretendimet e BIRN dhe Internnews Kosova dhe gjeti se veprimi i subjektit politik AKR, me rastin e vendosjes së billbordit ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike dhe Kandidatët.

Më konkretisht, Paneli ka cilësuar këtë veprim si shkelje të heshtjes zgjedhore, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 36 paragrafi (1), pika (b) përcakton së: “24 orë para hapjes së Qendrave të Votimit për hedhjen e votës, deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike, mbështetësve ose kandidatëve të tyre u ndalohet bërja fushatë në çfarëdo mënyre.”

Në përgjigjen në ankesë, AKR ka pretenduar se vendosja e bilbordit “është bërë pa qenë në dijeni strukturat partikake të subjektit politik AKR”. Megjithatë, këto pretendime nuk u morën parasysh nga PZAP-i.

BIRN dhe Internews Kosova kanë vëzhguar gjithë procesin parazgjedhor dhe zgjedhor, ndërsa vetëm për thyerje të heshtjes zgjedhore janë depozituar pranë PZAP-it 28 ankesa.

Subjektet politike nga ankesat në PZAP të BIRN dhe Internews Kosova janë dënuar me gjobë prej 98 mijë eurosh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat